.

.

BallinaFaktometerPa kategoriFushata e vaksinimit për gripin e stinës nuk nisi më herët, ende pritet mbërritja e vaksinave

Fushata e vaksinimit për gripin e stinës nuk nisi më herët, ende pritet mbërritja e vaksinave

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka garantuar se do kryhet vaksinimi falas për gripin stinor për të gjithë grupet e rrezikuara. Fushata e vaksinimit, sipas ekspertëve dhe organizmave ndërkombëtare shëndetësore, duhej të niste më herët, për shkak të komplikacioneve që mund të sjellë pandemia “Covid-19”. Nga verifikimi i “Faktoje”, rezulton se procesi në Shqipëri, jo vetëm që nuk ka nisur, por ende nuk ka mbërritur sasia e porositur e vaksinave.
—————————————————————————————————————————

Këtë vit kemi siguruar shumëfishimin e vaksinave të gripit falas për kategoritë në nevojë, sipas përcaktimeve të Institutit të Shëndetit Publik – deklaroi ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu më 21 gusht.

“Faktoje”, përmes një kërkese për informacion, më 9 shtator pyeti në Institutin e Shëndetit Publik lidhur me procesin e vaksinimit në kuadër të sezonit të vjeshtës të rrezikuar nga gripi stinor.

Nga ISHP na u komunikua se deri më 14 shtator ishin siguruar 368,940 doza vaksinë dhe se në ditët në vijim pritej të vinte edhe sasia e parë e tyre.

Përgjigje nga Instituti i Shëndetit Publik

Shefja e Inteligjencës Epidemiologjike në ISHP, Eugena Tomini në një intervistë për emisionin “Wake Up”, më 22 shtator u shpreh se sasia e parë e vaksinës pritej të vinte.

Në ditët në vijim do të jetë në dispozicion edhe vaksina për të gjithë popullatën kush është i interesuar por ndërkohë edhe nga Instituti i Shëndetit Publik dhe ministria e Shëndetësisë, të gjithë grupet e riskut do të mbështeten ose ndihmohen me aplikimin e vaksinës kundër gripit. Rekomandoj të gjithë prindërit me fëmijë deri në 5 vjeç të bëjnë aplikimin e vaksinës në kohën e duhur, u shpreh Tomini.

Të premten, teksa ishte në qendrën shëndetësore Laprakë, Manastirliu risolli në vëmendje se po bëhej gati vaksina për gripin stinor.

Po bëhen gati edhe për vaksinën e gripit, e cila këtë vit do të ketë shumëfishim të dozave krahasuar me vjet, për të siguruar mbrojtjen e fëmijëve por edhe të gjithë grupeve të rrezikuaratha Manastirliu.

Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, CDC rekomandon muajt shtator dhe tetor për kryerjen e vaksinave ndaj gripit stinor.

Për ekspertin e shëndetit publik, Erion Dasho, procesi i vaksinimit në vend duhet të kishte filluar.

Popullata evropiane imunizohet për gripin stinor gjatë dy javëve të para të shtatorit dhe gjatë muajit pothuajse cilido është i vaksinuar. Ne jemi në fundin e shtatorit dhe jemi ende në kuadrin e planeve. Kapaciteti ynë imunizues në vitet e kalura ka shkuar në rreth 100 mijë persona. Ne mundohemi t’i ngjajmë botës, por nuk kemi as kapacitetet dhe as aftësi organizative për të bërë ato gjëra që deklarojmë – shprehet Dasho.

Ai shton se mbivendosja e gripit stinor me Covid-19, kombinuar me trajtimin mjekësor mund të kthehet në problem serioz për shëndetin e popullatës.

Në qoftë se paralelisht me Covid-19 do transmetohet në komunitet edhe gripi stinor, do krijojë vështirësi të mëdha për diagnozën dhe diagnozën diferenciale dhe duke qenë se është shfaqur një tendencë jashtëzakonisht e gabuar për çdo person të dyshuar me Covid-19, mund të kemi probleme serioze – thekson Dasho.

“Faktoje”, para publikimit të artikullit u përpoq të kontaktojë me zyrën e programit të vaksinimit në Institutin e Shëndetit Publik lidhur me nisjen e procesit të vaksinimit, por nuk mori një përgjigje. “Faktoje”  konsultoi edhe faqen zyrtare të Institutit të Shëndetit Publik në seksion dedikuar “Programit Kombëtar të Vaksinimit”, por faqja nuk ishte përditësuar.

Nga Ministria e Shëndetësisë na u komunikua se procesi do nisë së shpejti dhe në ditët në vijim do ketë edhe një njoftim mbi nisjen e tij.

*Foto ballore është marë nga rrjeti social “Facebook” i ministres Manastirliu.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img