.

.

BallinaFaktometerE Pavërtetë“Fushata e të pavërtetave” mbi emigrimin e shqiptarëve

“Fushata e të pavërtetave” mbi emigrimin e shqiptarëve

Deklaratat e përsëritura të kryeministrit se ikja e të rinjve nga vendi nuk vjen për faj të politikës, bien në kundërshtim me agumentat që vetë ai jepte në vitin 2013, para se të vinte në pushtet. Jo vetëm kaq, por nga verifikimi i shifrave të INSTAT rrëzohet edhe teza se të ‘ikurit’ po rikthehen. Ndërkohë ekspertët sugjerojnë se qeveria nuk ka nevojë t’u mbyllë derën qytetarëve që largohen, por të hapë kuletën, duke nënkuptuar lehtësimin e tyre përmes politikave që nxisin bashkëpunimin dhe ulin kostot.

Jona Plumbi

Javët e fundit kryeministri Edi Rama ka nisur të flasë lidhur me ikjen në masë të të rinjve, fenomeni që prej shumë kohe zë kryetituj lajmesh, sondazhesh dhe studimesh. Në takimet që mban në bashki të ndryshme, si fushatë për zgjedhjet e ardhshme vendore, Kryeministri ka “hedhur” tezën sipas të cilës asnjë shtet, apo skuadër politike, nuk mund t’i mbyllë derën njerëzve për t’i mbajtur në vendin e tyre; se shqiptarët nuk ikin për shkak të politikanëve, por sepse kanë ikur historikisht; dhe se këtij problemi po i vjen fundi.

Faktoje verifikoi deklaratën e kryeministrit, duke iu referuar statistikave shtetërore dhe ekspertizës së studiuesve të fushës.

Nga viti 2021 në vitin 2022, mosha mediane e popullsisë shqiptare u rrit nga 37 vjeç e 7 muaj në 38 vjeç e 2 muaj. Edhe varësia e të moshuarve mbi 65 vjeç ndaj të rinjve, u rrit nga 22,3% në 23,1%. Këto shifra të publikuara nga Instituti i Statistikave – INSTAT, tregojnë se popullsia në vend po plaket dhe se të rinjtë po vijojnë të largohen nga vendi.

Pavarësisht se largimi i shqiptarëve vijon të shtohet çdo vit, arsyet e largimit janë kryesisht pasoja të politikave publike dhe fundi i këtij problemi kërkon fillimisht pranimin e tij.

“MOS MBYLL DERËN, HAP KULETËN”

Në një takim me banorë të Kamzës, kryeministri i quajti “sipërfaqësore” pretendimet se emigrimi i shqiptarëve vjen si pasojë e politikës. “Asnjë lloj politike dhe asnjë lloj skuadre politike, nuk do të kishte mundur dot që të mbyllte derën edhe që shqiptarët t’i mbante këtu që të gjithë.” – i tha Rama banorëve të Kamzës, në një takim dukshëm elektoral.

Deklarata “thërret” kohën e sistemit komunist në Shqipëri, si një formë ekzagjerimi për të ilustruar argumentin e përsëritur disa herë: të rinjtë janë të lirë të ikin nëse duan. Ajo që do duhej të bënte kryeministri në këtë rast, sipas kreut të Qendrës për Studime Ekonomike, Zef Preçi, është të pranojë fenomenin dhe të njohë arsyet që çojnë të rinjtë në emigracion.

“Nëse do të shërosh sëmundjen, duhet të njohësh shkakun, ndaj nëse thua që të rinjtë ikin se janë të lirë, ky është anashkalim i problemit.”- thotë Preçi për Fakttoje. Sugjerimi i tij në këtë rast është kthimi i vëmendjes tek përballimi i problemeve të brendshme që ka ekonomia dhe shoqëria shqiptare.

Ka ardhur koha që të përdoren politika stimuluese për pagat, ashtu si për mjekët specialist mund të bëhet ndoshta edhe për punëtorë bujqësie. – tha Preçi – Por që kjo të ndodhë duhen politika që nxisin bashkëpunimin dhe ulin kostot.

PËRSE IKIN SHQIPTARET?

Si arsye për largimin e shqiptarëve, kryeministri Rama argumenton që “shqiptarët kanë ikur historikisht, sepse kanë qenë historikisht një popull që migronte”.

Në 10 vitet e fundit numri i emigrantëve ka ardhur duke u rritur çdo vit. Gjithashtu, INSTAT tregon se popullsia shqiptare në vitin 2003 ka nisur një rënie të vazhdueshme, duke kulmuar në vitin 2022 me 1.3% më pak qytetarë sesa një vit më parë. Nëse në 2013-n, popullsia ra me 0.5%, sot 9 vjet më vonë, kjo përqindje është më shumë se e dyfishuar.

“Kjo hemoragji kombëtare do sjellë kriza që nuk duken shumë sot, por nesër e pasnesër.”- theksoi eksperti i ekonomisë, Zef Preçi. Ai e quajti deklaratën e Kryeministrit Rama të papërgjegjshme dhe tërësisht politike, kur zgjedh të injorojë këtë fenomen.

[tabela 1]

“Emigrimi është më i theksuar mes të arsimuarve dhe familjeve të tyre, të cilët zotërojnë kursime dhe kapitale familjare, ndaj qeveria nuk duhet t’i injorojë ata, pasi mund të kenë efekt rrënues në sistemin e sigurimeve shoqërore.”- shpjegoi Preçi për Faktoje.

Kjo mbështetet edhe nga shifrat e INSTAT, ku sipas anketës së diasporës, arsye kryesore për largimin nga Shqipëria janë ato ekonomike – dhe më specifikisht thuajse 84% e shqiptarëve ikin për të gjetur mundësi punësimi. [tabela 1]

Ndaj sipas ekspertit, vendi ka nevojë për politika mbështetëse që synojnë të fusin në qarkullim ekonomik potencialet e tij.  Për këtë arsye Preçi përmend dy sektorë ku duhet investuar, pasi mund të hapin shumë vende pune në Shqipëri: turizmin dhe bujqësinë.

Vendi ka nevojë për programe që nxisin formim profesional të kualifikuar për këto sektorë, gjë e cila deri tani nuk ka ndodhur.” – tha Preçi.

“FUNDI” I EMIGRACIONIT APO IKIN 5 E KTHEHET 1?

Sipas kreut të qeverisë, emigrimit të shqiptarëve po i vjen fundi. “Jam i bindur se periudha kur më shumë ikin sesa kthehen po shkon drejt fundit e në vitet që vijnë, 3-4 vitet që vijnë, do fillojmë të shohim një periudhë që shqiptarët vazhdojë ikin, por kthehen” – deklaroi Rama.

Kryeministri nuk e tregon se si e ka krijuar këtë bindje, por ajo nuk mbështetet nga shifrat zyrtare të shtetit. Kjo sepse INSTAT në vitin 2021 numëroi mbi 42 mijë të larguar dhe më pak se 10 mijë të kthyer në Shqipëri. Thënë ndryshe, në 2021-shin ikën 5 vetë dhe u kthye vetëm 1 prej tyre.

Gjithashtu, numri i të larguarve nga Shqipëria thuajse është dyfishuar nga viti 2020 në vitin 2021, ndërsa numri i atyre që janë kthyer ka rënë me të paktën 20%. [tabela 2]

[tabela 2]

Sipas anketës “Barometri Ballkanik” të Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal – financuar nga Bashkimi Europian, 29% e popullsisë shqiptare beson se fenomeni i largimit të të rinjve të arsimuar, që njihet me emrin “largimi i trurit”, është problem serioz me të cilin përballet ekonomia e vendit.

Arsye për këtë janë pikërisht politikat qeveritare që favorizojnë ata që quhen “klientët e qeverisë”, thekson Preçi. Sipas tij, politikat qeveritare të hapjes së tregut të punës janë favorizuese për oligarkët, jo rininë. Sjellja e punëtorëve nga Bangladeshi ndihmon sektorin privat të japë paga të ulëta, duke ruajtur fitimet dhe nuk nxit sektorin privat të rrisë kualifikimin dhe pagat për punonjësit.

Gjatë fushatës elektorale të vitit 2013, kur në pushtet ishte Partia Demokratike, kryeministri Rama deklaronte se shqiptarët ikin për shkak të politikave të ndjekura nga qeveria, që sipas tij “shiste” çdo aspekt të jetës së qytetarëve. “Nga Shqipëria ikin çdo ditë 130 vetë?” – theksonte Rama asokohe kryetar i opozitës. Por sot, kur Shqipëria ka të paktën 100,000 qytetarë më pak se në vitin 2013, kur vijojnë të ikin nga 116 njerëz çdo ditë dhe kur mosha mediane e shqiptarëve në këto 9 vjet është plakur thuajse me 5 vjet, Kryeministri refuzon që faji të jetë i atyre që i quan “politikanë të poshtër”.

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img