Rinkonstruksioni i Pallatit të Kulturës në Lezhë, ishte një nga premtimet që kyebashkiaku Pjerin Ndreu artikuloi gjatë fushatës për 14 majin. Por ndonëse investimi prej 124 milionë lekësh kishte muaj i përfunduar, dyert e tij për artistët dhe publikun lezhian u hapën këtë fundvit.
Esmeralda Topi
Në kulmin e fushatës për zgjedhjet e 14 majit, kandidati socialist Pjerin Ndreu zhvilloi një tryezë për artin dhe kulturën ku i prezantoi artistëve programin e tij për muzikën, teatrin, filmin, pikturën dhe gjithçka tjetër në shërbim të argëtimit.
“Iu premtova artistëve, se Pallati i Kulturës është vetëm maja e ajsbergut të asaj që ne kemi bërë për Artin dhe Kulturën.”, deklaronte Ndreu fill pas takimit me artistët lezhian më 18 prill.
Pallati i Kulturës ‘Dedë Ndue Lazri’ ishte duke u rikonstruktuar. Punimet për riforcimin dhe rikonstruksionin e godinës të nisura në prill të 2022 ishin drejt përfundimit. Investimi 124 milionë lekë i Bashkisë për Pallatin e Kulturës ishte një nga kartat e forta elektorale të socialistit që synonte mandatin e dytë në Lezhë.
Propoganda paszgjedhore
Pjerin Ndreu siguroi mandatin e tij të dytë në krye të Bashkisë Lezhë me 18,299 vota. Tre muaj pasi kishte marrë zyrtarisht detyrën Ndreu iu rikthye investimit të bashkisë në Pallatin e Kulturës ‘Dedë Ndue Lazri’.
“Pallati i Kultures “Dedë Ndue Lazri”; Lezhë, një tjetër investim, një tjetër ndryshim dhe hap cilësor para në pasurimin e jetës social- kulturore në qytetin tonë! E mbani mend si ishte?! Shikojeni si është!”, shkruante kryetari i Bashkisë Lezhë, teksa ndante një video të godinës së rikonstruktuar.
“Së shpejti hapet për artistët tanë dhe për publikun lezhjan!”, premtoi Pjerin Ndreu më 2 gusht të këtij viti.
Nisur nga ky premtim, vetëm një muaj përpara përfundimit të vitit, Faktoje udhëtoi drejt Lezhës për të verifikuar nëse Pallati i Kulturës ishte hapur për artistët dhe publikun lezhian.
Pallati i Kulturës i pakompletuar
Më 21 nëntor ne pamë nga afër objektin e rikonstruktuar të Pallatit të Kulturës në Lezhë.
Riforcimi dhe rikonstruksioni i godinës kishte përfunduar, por ndryshe nga ç’premtoi Ndreu, Pallati i Kulturës ende nuk i kishte hapur dyert për artistët dhe publikun lezhian.
Edhe pse derën kryesore e gjetëm hapur, Pallati i Kulturës ishte i pamobiluar.
Për të mësuar më shumë mbi arsyet e kësaj vonese ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Lezhës. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, Bashkia pranoi se nuk ka një datë për vënien në funksion të plotë të Pallatit të Kulturës.
“Përsa i përket vënies së këtyre ambienteve në dispozicion për artistët, ju informojmë se nuk kemi akoma një datë konkrete për shkak të vijimit të procedurave për arredimin dhe mobilimin e Pallatit të Kulturës.” sqaroi Bashkia e Lezhës.
Artistët dhe publiku lezhian do të duhet të presin deri sa Bashkia të financojë kompletimin e Pallatit të Kulturës. Dhe për këtë, ndryshe nga ç’premtoi Ndreu, institucioni që ai vetë drejton, nuk e ka ende një datë konkrete.
Inagurimi
Më 19 dhjetor, Pallati i Kulturës “Ded Ndue Lazri” në Lezhë rihapi dyert për artistët dhe publikun me një ceremoni të veçantë.
‘Me një program të pasur artistik nga të gjithe trevat e veriut, dhe me dhënien e titujve “Qytetare Nderi” kontribueseve të artit dhe të kulturës, Ismet Zusi, Frano Kulli, Nikolin Ivanaj, Marash Ndoka, si dhe “Certifikatë Mirënjohje” për Nezir Osmani dhe Bahri Rustja, salla ishte plot emocion!’, shkruante kryetari i Bashkisë Lezhë një ditë pas inagurimit.
Përfundim
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin për hapjen së shpejti të Pallatit të Kulturës në Lezhë, ta kategorizojmë të mbajtur.
*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.
Shënim: Artikulli është ndryshuar më datë 22 dhjetor duke reflektuar zhvillimet e fundit lidhur me premtimin e kryebashkiakut Pjerin Ndreu.