Imazhe të Papë Franceskut të mbështjellë me flamurin shumëngjyrësh të komunitetit LGBT po qarkullojnë në rrjet. “Faktoje” shpjegon se këto imazhe nuk janë fotografi, por janë gjeneruar me anë të një programi të inteligjencës artificiale.

——————————–

Imazhet e krijuara me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI) vijojnë të ngatërrojnë përdoruesit e rrjeteve sociale.

Një imazh që tregon Papë Franceskun me flamurin e ylberit të komunitetit LGBT të hedhur mbi shpatulla po qarkullon edhe në rrjetet sociale shqipfolëse, shoqëruar me komentet e zakonshme tallëse apo të skandalizuara që dëshpërohen për degradimin e pretenduar moral të shoqërisë apo fesë, specifikisht.

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve, Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se imazhi i mësipërm, krahas disa të tjerëve të ngjashëm, është postuar për herë të parë në Facebook dhe Twitter nga llogaritë me emrin Gay Forest në 3 prill 2023.

Vihet re se të dyja postimet janë etiketuar me hashtaget #midjourney dhe #midjourneyv5.

Midjourney është një program i inteligjencës artificiale me anë të të cilit mund të gjenerohen imazhe nga një përshkrim i cili jepet nga përdoruesi.

Një tjetër tregues se imazhi është gjeneruar me anë të një programi kompjuterik janë ‘gabimet’ në detaje. Këtu, për shembull, një nga duart e papës duket e deformuar, si pasojë e një gabimi në renderizim nga programi.

“Faktoje” ka verifikuar dhe më parë imazhe të gjeneruar me AIjanë marrë për të vërteta në rrjete sociale.