Propaganda ruse është përpjekur të denigrojë imazhin e presidentit ukrainas Zelensky duke manipuluar një foto zyrtare të tij me presidentit amerikan Biden, gjatë vizitës së fundit në SHBA. Kjo foto e manipuluar është ndarë për fat të keq edhe në rrjetet sociale në gjuhën shqipe.
————————————————————————————————————-
Më 23 dhjetor, në Facebook është publikuar një foto e presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, Zonjës së Parë të SHBA-ve, Jill Biden dhe presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Në këtë imazh shihet se presidenti Biden ka “prekur të pasmet” e Zelensky. Në detaj i tillë ka mjaftuar që të bëhet virale në rrjetet sociale.
Screenshot, foto e postuar në Facebook
Për të informuar saktë lexuesit dhe nisur nga interesi i madh që kjo foto mori në rrjetet sociale, ne vendosëm të kontrollojmë vërtetësinë e imazhit në fjalë.
Gjatë një kërkim në rrjet, pamë që një foto e ngjashme ishte postuar nga zonja Biden në Twitter më 21 dhjetor, shoqëruar me mbishkrimin: “President Zelensky, ne shpresojmë që ti ta dërgosh dashurinë dhe mbështetjen tonë te Olena, fëmijët dhe gjithë familjet e Ukrainës”.
Dhe në këtë foto shihet qartë se dora e zotit Biden nuk është në të pasmet e Zelensky.
Screenshot, postimi i zonjës Biden në Twitter
Nëse do t’i shohim imazhet më nga afër, zbulojmë një sërë detajesh që tregojnë se imazhi është edituar.
Foto origjinale dhe foto e montuar
Nëse do shohim foton origjinale vihet re se në bluzën e presidentit të Ukrainës ka disa pjesë të rrudhosura në fund, të cilat duken se janë fshirë në imazhin e montuar, ku është ndryshuar edhe vendosja e dorës së Biden.
Detajet si është manipuluar foto
Gjithashtu, krahu i presidentit amerikan duket shumë i gjatë në foton e edituar dhe shihet qartë që është në dispropocion me trupin.
Edhe në videon e publikuar dëshmohet qartë se një “incident” i tillë nuk ka ndodhur gjatë takimit të dy liderëve.
Gjithashtu, gjatë kërkimit në Google vumë re se artikulli është verifikuar edhe nga kolegë të tjerë të verifikimit të fakteve, të cilët kanë zbuluar se kemi të bëjmë me një foto të montuar. Propaganda ruse ka investuar shumë burime shtetërore për të krijuar manipulime të tilla të fakteve që prej nisjes së agresionit ushtarak ndaj Ukrainës.