Në rrjete sociale po pretendohet se udhëheqësit e Forumit Ekonomik Botëror (WEF) kanë thënë se “Zoti ka vdekur” dhe se ata do t’i kthejnë njerëzit në perëndi. Në fakt, një autor që nuk punon për WEF, ka krahasuar përparimin teknologjik me njerëzit që fitojnë fuqi të ngjashme me perëndinë.
Një video e shpërndarë në internet tregon një grua duke cituar një artikull nga uebsajti NewsPunch (këtu), një media që njihet për shpërndarjen e lajmeve të rreme.
Gruaja pretendon se Klaus Schwab, udhëheqësi i Forumit Ekonomik Botëror, tha se “Zoti ka vdekur” dhe se “udhëheqësit e WEF kanë fituar fuqi hyjnore për të sunduar mbi njerëzimin” (këtu), (këtu).
“Dora e djathtë e Klaus Schwab, Yuval Noah Harari, ka njoftuar se WEF ka qenë aq e suksesshme në planet e saj sa po “përvetëson fuqi hyjnore” të “krijimit dhe shkatërrimit” – shprehet gruaja në video teksa shton se Harari “premton se WEF do t’i kthejë njerëzit në Zota”.
Edhe një përdorues i facebook në Shqipëri, ka shigjetuar Hararin teksa shpërndan videon në fjalë.
Por pretendimet e ngritura në rrjete sociale i hedh poshtë Yann Zopf, një zëdhënës i Forumit Ekonomik Botëror. Ai tha për kolegët tanë të Reuters se as WEF dhe as Klaus Schwab nuk kanë bërë kurrë një deklaratë të tillë.
Për më tepër, Yuval Noah Harari nuk po punon për WEF dhe nuk është “krahu i djathtë i Klaus Schwab”, theksoi Zopf, duke shtuar se ekzistenca e një biografie të Hararit në faqen e internetit të WEF “thjesht do të thotë se ai mori pjesë në një nga ngjarjet tona, por ai nuk punon për organizatën tonë.” (këtu).
Edhe ekipi i marrëdhënieve me publikun i Hararit konfirmoi për Reuters përmes emailit se ai nuk ka punuar kurrë për Forumin Ekonomik Botëror, por se ai ishte ftuar të fliste në konferencën e Davosit të WEF në 2018 dhe 2020 (këtu), (këtu). Përfaqësuesit shtuan se Harari kurrë nuk ka pretenduar se WEF duhet të sundojë botën ose se organizata po planifikon të fitojë fuqi hyjnore.
Harari është një profesor universiteti dhe autor i njohur librash, mes tw cilwve edhe libri i titulluar “Sapiens: A Graphic History”. Citimet në postimet e mediave sociale janë marrë nga një intervistë e vitit 2020 në lidhje me atë libër, (këtu) (1:05:29).
Në një fragment më të gjatë nga përgjigja e tij ndaj një pyetjeje interviste, Harari tha: “Tani njerëzit po zhvillojnë fuqi edhe më të mëdha se kurrë më parë. Ne po fitojmë me të vërtetë fuqitë hyjnore të krijimit dhe shkatërrimit. Ne me të vërtetë po i përmirësojmë njerëzit në perëndi. Ne po fitojmë, për shembull, fuqinë për të riinxhinieruar jetën.”
Në një intervistë të vitit 2017 me Huffington Post për një tjetër nga librat e tij, Harari tha se teknologjia, inteligjenca artificiale dhe shkenca u japin qenieve njerëzore cilësi të perëndishme (këtu).
Po ashtu, nga një kërkim në Google me fjalët kyçe “Klaus Schwab” dhe “Zoti ka vdekur” nuk rezulton asnjë raportim nga burime të besueshme lajmesh për deklarata të ngjashme nga Schwab. Në librin e Schwab (këtu), ai diskuton ndikimin e teknologjisë mbi njerëzimin.