Skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye këtë prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por “aleanca fantastike” me Aeroportin e Mynihut, e trumbetuar që në nisje të punimeve, përfundoi përpara se aeroporti të fillonte operimin. Sot, Mynihu nuk është më pjesë e projektit dhe, siç konfirmon vetë aeroporti për Faktoje.al, kontrata nuk do të rinovohet.
Esmeralda Topi
Një javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 një avion i linjës ‘Air Albania’ zbriti në Kukës për të inaguruar aeroportin ndërkombëtar ‘ZAYED – Flatrat e Veriut’. Katër vite më vonë, një skenar i ngjashëm u përsërit në Vlorë. Pista e aeroportit të ri ndërkombëtar u inagurua me fluturimin e parë certifikues tre ditë përpara zgjedhjeve.
‘ Vlora do të jetë një aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht një aeroport turistik , tha kryeministri Edi Rama.

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e sheh përurimin e aeroportit të Vlorës si një tjetër rast të përdorimit të projekteve publike për përfitime elektorale.
“Në Shqipëri po ndërtohet një aeroport i ri dhe natyrisht, përurimi ndodh para zgjedhjeve,” thotë ai me ironi, duke shtuar se ndonëse vetë aeroporti mund të jetë një lajm pozitiv, mënyra si po promovohet e kthen atë në një shembull tipik të spekulimit dhe keqpërdorimit elektoral.
Aeroporti i Vlorës ndodhet në fshatin Akërni, pranë lagunës piktoreske të Nartës. Puna për ndërtimin e tij nisi më 28 nëntor 2021.
“Sot jemi këtu me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë”, deklaronte Rama gjatë ceremonisë inaguruese të punimeve.
Mirëpo sot, Rama nuk e përmendi këtë aleancë që deri para pak muajsh e çmonte aq shumë.
Fakt
Ndryshe nga sa deklaronte kryeministri, aleanca ‘fantastike’ për të ardhmen e aeroportit me aeroportin e Mynihut, përfundoi përpara se ky aeroport të niste operimin. Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al Munich International Airport thekson se nuk ka negociata të mëtejshme për rolin e tyre si këshillues në aeroportin e Vlorës.
Kontrata 2 vjeçare midis Munich Airport International (MAI) – një degë e Flughafen München GmbH – dhe Aeroportit të Vlorës është përmbushur plotësisht në fund të muajit prill.
“Nuk ka plane që MAI apo Flughafen München GmbH të operojnë Aeroportin e Vlorës dhe, siç u përmend më herët, kontrata aktuale e konsulencës përfundon në fund të prillit 2025”, pohoi për Faktoje.al Robert Ëilhelm, koordinator për marrëdhëniet me mediat pranë Flughafen München GmbH.
“MAI nuk ka pasur asnjë ndikim apo fuqi vendimmarrëse në lidhje me planifikimin dhe përzgjedhjen e vendndodhjes së aeroportit të ri”, sqaron më tej Ëilhelm.
Prej fillimit, organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare e kundërshtuan projektin. Sipas aktivistëve mjedisorë, aeroporti rrezikon vazhdimësinë e specieve në peizazhin e mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale. Këto paralajmërime ranë në vesh të shurdhër në Shqipëri, por jo në Gjermani.
Më 23 tetor 2024, pranë Bashkisë së Mynihut u dorëzua një peticion i firmosur nga rreth 500 gjermanë, aktivistë dhe ekspertë mjedisorë, që kërkonin ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri. Disa muaj më vonë, aerporti i Mynihut u tërhoq nga projekti.
Mynihu si ‘mjet’ propagandistik
Aleksandër Trajçe, drejtuesi ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), ngre shqetësimin se përfshirja e pretenduar e aeroportit të Mynihut në projektin e aeroportit të Vlorës ka shërbyer që në fillim si një mjet propagandistik, për të krijuar iluzionin e një partneriteti të fuqishëm ndërkombëtar dhe për të fshehur mungesën e transparencës si dhe ndikimin real negativ në mjedis.
“Tani që kontrata me Mynihun ka përfunduar dhe nuk po rinovohet, kjo “aleancë” nuk po përmendet më nga qeveria duke treguar qartë se nuk ka pasur asnjë qëndrueshmëri apo vullnet afatgjatë në këtë bashkëpunim dhe se gjithçka ishte stisur për të justifikuar një projekt kryekëput jo-transparent dhe shkatërrimtar për mjedisin”, argumenton ai.
Sipas Trajçes, projekti i aeroportit nuk përfaqëson një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, por një ndërhyrje shkatërruese që rrezikon të zhdukë një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut – deltën e Vjosës.
“Ky nuk është një vend bosh që pret betonin,” – thekson ai – “por një thesar natyror me vlera të jashtëzakonshme që duhet mbrojtur për të ardhmen tonë të përbashkët.”
Përfundim
Deklarata e kryeministrit Edi Rama për një “aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit të Vlorës” me Aeroportin e Mynihut rezulton e pavërtetë. Bashkëpunimi me Munich Airport International ishte i kufizuar në një kontratë dyvjeçare konsulence, pa ndikim vendimmarrës apo përfshirje në operim, dhe përfundoi përpara se aeroporti të niste funksionimin.