.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëFieri ende pa Pallat Sporti, rikonstruktohet godina e kompleksit sportiv pas 6 vitesh

Fieri ende pa Pallat Sporti, rikonstruktohet godina e kompleksit sportiv pas 6 vitesh

Kryebashkiaku i Fierit, Armando Subashi premtoi në vitin 2015 rikonstruksionin e kompleksit sportiv të qytetit. Në lidhje me terrenet sportive në Fier, edhe gjatë vitit 2019, Subashi u angazhua për një Pallat të ri Sporti. Faktoje verifikoi në terren se pas 6 vitesh nga premtimi i parë, ndërtesa është rikonstruktuar, por ajo ende nuk është vënë në funksion të sportdashësve, ndërsa për Pallatin e ri të Sportit puna nuk ka nisur ende.

“Do të kryhet përfundimi i projekteve infrastrukturore -sportive të nisura (kompleksi sportiv pranë ETC, Qendra e sporteve të rënda)“, premtoi kreu i bashkisë së Fierit, Armando Subashi gjatë fushatës elektorale në vitin 2015.

Një vit më parë Faktoje ishte në terren, për të verifikuar nëse premtimi ishte mbajtur, por konstatuam se për angazhimin e rikonstruksionin të kompleksit sportive nuk ishte bërë asgjë.

6 vite pas premtimit

Faktoje ishte në Fier në 20 shtator 2021, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur me rikontruksionin e Pallatit të Sportit dhe nëse ai ishte vënë në funksion për zhvillimin e aktiviteteve sportive.

Nga verifikimi në terren vumë re, se krahasuar me një vit më parë, godina ishte rikonstruktuar.

Kompleksi sportiv Fier, 20 shtator 2021

Kompleksi sportiv Fier, 20 shtator 2021

Gjithashtu edhe pjesa e përparme kompleksit, e cila një vit më parë ishte e mbuluar nga balta, ishte shtuar.

Banorët që jetonë në prani të kompleksit pranojnë për Faktoje, se godina është rikostruktuar, por aktivitetet sportive ende nuk kanë nisur.

“Ka 2-3 vite që ka nisur puna, tani e kanë rregulluar si godinë, por ende nuk kemi parë që të zhvillohen aktivitete sportive”, thotë një banor i zonës.

Në momenti që ne ishim për verifikim, dyert e godinës ishin të mbyllura.

Aktualisht ekipi i Apollonisë, i qytetit të Fierit stërvitet në qytete të ndryshme të vendit.

Pak metra larg kësaj godine, ndodhen fushat sportive. Në kohën që Faktoje ishte në terren, fushat ishin të mbyllura me kyç, por qytetarët na thanë që pasditeve zhvillohen aktivitete sportive.

Kompleksi sportiv Fier, 20 shtator 2021

Nga ajo që arritëm të shihnim, ambientet dukeshin se ishin gati.

Kompleksi sportiv Fier, 20 shtator 2021

Kompleksi sportiv Fier, 20 shtator 2021

Pallati i ri i sportit

“Është një nga gjërat e munguara një pallat sporti. Ndjej dhimbje kur pallat sporti kanë shumë qytete të Shqipërisë shumë më të parëndësishme se Fieri në aspektin financiar. Gjithë ai kompleks, nuk do ketë vetëm një sallë, por një zonë atraktive për qendrën si vlerë e shtuar.

Do t’i japë atë që na mungon të gjithëve dhe do jetë shtysë për zhvillimin dhe ngritjen e disiplinave në një nivel tjetër, aty ku Fieri e meriton që të jetë”- shprehej kryebashkiaku Armando Subashi, në 6 mars të 2019-s në një intervistë televizive, gjatë kohës kur i rikërkonte fierakëve, që të votonin sërish për të.

Vendi ku do ndërtohej Pallati i Sportit, shtator 2021

2 vite pas këtij premtimi, Faktoje konstatoi në terren më 20 shtator se nuk ka asnjë shesh ndërtimi për ngritjen e këtij Pallati Sporti.

Vendi ku do ndërtohej Pallati i Sportit, shtator 2021

Ne pyetëm edhe banorët në lidhje me këtë, por askush nuk kishte informacion për këtë investim të ri, që është premtuar të bëhet në qytetin e tyre.

Edhe një vit më parë, Faktoje raportoi se në zonën e ish-këndit të vjetër të lojërave, aty ku ishte premtuar nga kryeministri Edi Rama, nuk kishte asnjë gjurmë se kishte nisur puna.

Vendi ku do ndërtohej Pallati i Sportit, 2020

Projekti ambicioz

Në datën 11 mars të 2019-s, në sallën e konferencave të Bashkisë Fier u bë prezantimi për pallatin e sportit të dizenjuar nga studioja italiane “MAU ARCHITECTURE”.

Projekti i Pallatit të Sportit Fier

Projekti është pjesë e procesit për rizhvillimin e qendrës së qytetit, të fituar nga studioja në fjalë. Në buxhetin e Bashkisë Fier për vitin 2020 parashikohej se në vitin 2021 ishin llogaritur 35 milionë lekë për projektin e pallatit të sportit. Ndërkohë në vitin pasardhës, në 2022, do të shtoheshin edhe 50 milionë lekë të tjera.

Screenshot nga dokumenti i vitit 2020

Ne dërguam një kërkesë për informacion në Bashkinë Fier në lidhje me projektet e premtuara, por pavarësisht kalimit të afatit ligjor, deri më tani nuk kemi marrë një përgjigje.

 

Lidhur nga të dhënat e mbledhura dhe nga verifikimi në terren, premtimet për terrenet sportive të Fierit, do t’i konsiderojmë deri tani gjysmë të mbajtura.

 

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img