BallinaTë pambajturaVeliaj nuk premton më afate për kopshtin Zoologjik, por Bashkia Tiranë konfirmon muajin dhjetor

Veliaj nuk premton më afate për kopshtin Zoologjik, por Bashkia Tiranë konfirmon muajin dhjetor

Në Kopshtin Zoologjik të Tiranës, punimet po vijojnë edhe pse zyrtarisht ka skaduar afati i projektit, rreth 700 mln lekë të reja. Ndryshe nga herët e tjera, kryebashkiaku Veliaj nuk dha një afat të ri, gjatë intervistës në emisioni ‘Real Story’ ku ishte i ftuar pak ditë më parë. Faktoje arriti të marrë një konfirmim zyrtar nga institucioni i bashkisë Tiranë se punimet përfundojnë në dhjetor, edhe pse i njëjti institucion konfirmoi në muajin maj se punimet përfundonin në javën e tretë të qershorit.

…………………

“Jemi në fazën finale të Kopshtit Zoologjik. Unë e kam inspektuar 2-3 herë, ka dalë fantastik. Kemi disa salla, kemi një parking nëntokësor për herë të parë. Do kemi disa hapësira didaktike për të bërë shfaqe, disa hapësira multimedia, që fëmijët realisht të kenë një mundësi që të kalojnë gjysmën e ditës. Ai liqeni, me kopshtin zoologjik, realisht do të dalë hapësira më e bukur e Tiranës.  Dhe pas orarit të Kopshtit Zoologjik do jenë banorët që do shfrytëzojnë një parking nëntokësor”-deklaroi kryebashkiaku Veliaj në emisionin “Real Story” “News 24” ku ishte i ftuar thuajse një javë më parë.

Edhe pse u pyet nga gazetari Sokol Balla, për afatin e përfundimit të projektit, zoti Veliaj iu shmang këtë herë përcaktimit të një date.

Nga verifikimi që Faktoje bëri në terren, rezulton se punimet po vijojnë edhe për ngritjen e disa objekteve brenda kopshtit, ashtu siç deklaroi zoti Veliaj.

Punimet në kopshtin Zoologjik, shtator 2021

Në tabelën e vendosur në hyrje të kantierit shkruhet se afati për përfundimin e punimeve është 12 muaj, por nuk tregohet data e nisjes së punimeve. Sipas faqes zyrtare të Agjencisë së Parqeveve dhe Rekreacionit (APR) punimet kanë nisur në gusht 2020, ndërsa nga përgjigjet zyrtare të bashkisë Tiranë, fillimi i punimeve rezulton në qershor 2020. E sigurtë është që afati zyrtar i projektit, referuar qoftë tabelës në kantier apo dokumentave të bashkisë, ka përfunduar.

Tabela e projektit për rikonceptimin e Kopshtit Zoologjik

Faktoje, e cila ka raportuar shkejen e premtimit të radhës nga Zoti Veliaj për hapjen e kopshtit Zoologjik në 1 qershor, iu drejtua sërish Bashkisë Tiranë, në javën e parë të shtatorit duke e pyetur se kur parashikohet të përfundojë ky projekt.

Në përgjigjen e marrë nga Bashkia më 21 shtator bëhet e ditur se Kopshti Zoologjik do të jetë gati në muajin dhjetor. Gjithashtu, në përgjigjen zyrtare theksohet se afati 1 qershor nuk ishte data e përfundimit të punimeve, por një dëshirë e kryetarit për ta përfunduar për festën e fëmijëve.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë, 21 shtator 2021

“Punimet në këtë objekt janë drejt përfundimit të tyre dhe përfundojnë sipas parashikimeve në dhjetor 2021. Ju sqarojmë se data 1 Qershor nuk është data e përfundimit të punimeve sipas kontratës, por ishte një dëshirë e mirë për të përfunduar para kohe, në festën e fëmijëve. Kjo datë nuk u arrit për shkak të punimeve të paparashikuara të hasura gjatë pastrimit të bazamentit”- thuhet në përgjigjen e Bashkisë për Faktoje.

Vetë institucioni i bashkisë, në një përgjigje zyrtare dërguar në 7 maj 2021, i konfirmonte Faktojes:

“Punimet për rikonceptimin e Koopshtit Zoologjik janë realizuar në masën 60 për qind. Këto punime sipas afatit kontraktual të tyre përfundojnë në datën 18.06.2021. Vlera e plotë e kontratës së sipërmarrjes është 739 908 795. 98 lekë me TVSH.”

Përgjigjja e Bashkisë Tiranë, 7 maj 2021

Sa herë dështuan premtimet e kryebashkiakut Veliaj për Kopshtin Zoologjik!

Rijetëzimi i Kopshtit të ri Zoologjik ka qenë një ndër premtimet e bëra që në mandatin e parë si kryebashkiaknga zoti Veliaj,  në vitin 2015.

Në 13 tetor të vitit 2018 ai deklaroi se në vitin pasues do të nisnin punimet për Kopshtin Zoologjik.

“Ne do të vemë disa para mënjanë, do të financojmë kopshtin e ri Zoologjik, këtu ku jemi do të bëhett komplet nga e para, do të jetë ndoshta nga më të bukurit, në të gjithë rajonin tonë. Do të bashkojmë të gjithë kopshtin Zoologjik më atë Botanik, pra që dhe bota e bimëve dhe e kafshëve të jetë e përzier”- u zotua Veliaj tre vite më parë.

Edhe në vitin 2019 u përsërit i njëjti premtim.

Në 2020-n zoti Veliaj prezantoi projektin, duke njoftuar edhe nisjen e punimeve për zbatimin e tij.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img