BallinaBurokraciStudimi i bashkisë për transportin publik nuk ka përfunduar, ende e paqartë se kur do shohim përmirësim të kushteve

Studimi i bashkisë për transportin publik nuk ka përfunduar, ende e paqartë se kur do shohim përmirësim të kushteve

Ina Allkanjari

Tre muaj pas nisjes së studimit dhe matjeve për shërbimin problematik të transportit urban, Bashkia Tiranë thotë se nuk ka ende gjetje për të publikuar. Në përgjigjen zyrtare për Faktoje, bashkia konfirmon se studimi është ende në proces dhe nuk jep një afat se kur do të publikohen gjetjet dhe masat që do merren për të përmirësuar kushtet në linjat urbane, pavarësisht se ky proces duhet të zgjaste tre muaj. Që prej heqjes së licencës së operatorit të linjës së Unazës, në fillim të shatorit vërehet një shtim i frekuencës së autobusëve të saj, por kushtet higjienike apo respektimi i masave anticovid, në të gjitha linjat në tërësi, mbeten në nivele shumë të dobëta.

——————

“Për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve, si dhe nga monitorimet e inspektorëve në terren, Bashkia e Tiranës ka planifikuar një periudhë tre mujore për kryerjen e verifikimeve dhe matjeve për riorganizimin dhe ristrukturimin e shërbimit të transportit urban”. Kështu deklaroi Bashkia Tiranë në 30 maj nëpërmjet një njoftimi për media, duke theksuar se muaji qeshor, korrik dhe gusht do të shërbejnë për studimin dhe analizimin e situatës së transportit urban, me qëllim ristrukturimin e linjave.

Nisur nga kjo deklaratë, në përfudim të periudhës tre mujore të studimit, kur kishte nisur muaji shtator, Faktoje pyeti bashkinë se cilat ishin gjetjet e studimit, dhe cilat ishin linjat më problematike të transportit urban në Tiranë.

Kërkesa dërguar Bashkisë Tiranë

 Më 21 shtator, në redaksinë e Faktoje, mbërriti përgjigjja e Bashkisë Tiranë, e cila konfirmon se studimi është në proces dhe nuk ka përfunduar, ndaj është e pamundur vënia në dispozicion e tij.

Ndonëse më herët u lajmërua se ky proces verifikimi do të zgjaste për një periudhë tremujore dhe Bashkia Tiranë ka filluar të marrë masat e para kundrejt linjave të transportit publik, ende nuk është bërë transparent asnjë informacion rreth gjetjeve të këtij studimi.

Pak ditë më parë, kreu i Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj, gjatë një takimi me administratorët e shkollave, në kuadër të masave të marra për mbarëvajtjen e vitit të ri arsimor u ndal edhe tek përmirësimi i transportit urban në kryqytet dhe abuzimeve të denoncuara nga përdoruesit e linjave.

Veliaj u shpreh se pas verifikimeve të kryera përgjatë periudhës së verës, në kuadër të studimit dhe kontrollit të rreptë të realizuar nga Bashkia Tiranë, u vendos t’i hiqej licensa kompanisë që menaxhon linjën e unazës. Kjo deklaratë u pasua me një paralajmërim edhe për linjat e tjera të transportit publik.

Përgjigja e Bashkisë Tiranë

Pas vendimit për heqjen e licensës për linjën e autobusëve të Unazës, në 14 shtator 2021 Faktoje i drejtoi një kërkesë për informacion edhe Agjensisë së Mbrojtjes së Konsumatorit në lidhje me gjetjet e konstatuara për linjën e Unazës veçanërisht dhe çfarë do të ndodhë me linjat e tjera, për të cilat po ashtu ka ankesa të vazhdueshme të qytetarëve.

Deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesë për Informacion drejtuar Agjensisë për Mbrojtjen e Konsumatorit, 14 shtator 2021

 Kujtojmë se në kuadër të këtij studimi në datën 1 qershor u pezullua edhe shitja e abonesë së përgjithshme, e cila u rikthye sërish në treg, brenda më pak se një muaji, me anë të një vendimi të këshillit bashkiak.

Kjo situatë problematike me shërbimin urban në Tiranë, prej kohësh është raportuar nga Faktoje gjatë monitorimit në terren, duke ngritur vazhdimisht shqetësimin se rregullat anti-Covid po neglizhohen në masë, dhe se kushtet janë po aq problematike sa edhe më parë.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img