BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëFier/ Transformimi i Teatrit “Bylis”, premtimi i mbajtur pas 6 vitesh

Fier/ Transformimi i Teatrit “Bylis”, premtimi i mbajtur pas 6 vitesh

Premtimin për rikonstruksionin e plotë të Teatrit “Bylis” në Fier, kreu i bashkisë Armando Subashi e mbajti pas 6 vitesh, që kur e deklaroi për herë të parë kur kandidoi për postin e kryebashkiakut.

Një vit më parë Faktoje verifikoi në terren se kishte përfunduar faza e parë e rikonstruksionit të tij, që përfshinte skenën, sallën, ndriçimin, sistemin e ngrohjes dhe ambientet e punës së aktorëve, por ende mbeti e pa përfunduar faze e dyte. Pas një viti Faktoje riverifikoi në terren dhe konstatoi se aktualisht ka përfunduar edhe faza e dytë e punimeve, duke i ofruar publikut dhe artistëve një shtëpi të re me kushte bashkëkohore.

—-

“Do të kryhet rikonstruksion i plotë i Teatrit ‘Bylis“. Ky ishte premtimi i bërë nga Armando Subashi në vitin 2015 në lidhje me ndryshimin e Teatrit.

Por, çfarë ka ndodhur me këtë premtim pas 6 vitesh? Më 13 nëntor të vitit 2020, Faktoje raportoi se që prej vitit 2019, Teatri i Fierit po i nënshtrohej një rikonstruksioni të plotë.

Pamja e jashtme e fasadës që po rikonstruktohej, tetor 2020

Rikonstruksioni ishte planifikuar të kryhej në dy faza. E para me vlerë prej 50 milionë lekë, e që përfshinte skenën, sallën, ndriçimin, sistemin e ngrohjes dhe ambientet e punës së aktorëve.

Pas mbylljes së fazës së parë në maj të vitit 2019, stafi drejtues, aktorë dhe regjisorë e mirëpritën dhe përshëndetën këtë si zhvillim. Drejtori i këtij institucioni, Astrit Hasani theksoi se ambientet e reja u mundësojnë aktorëve dhe artdashësve kushte moderne.

Pamje nga pjesa e brendshme e Teatrit, gusht 2021

Ndërsa në fazën e dytë përfshihej rikonstruksioni i hollit dhe pjesës së jashtme të ndërtesës ose fasadës, i cili nuk ishte realizuar deri më 13 nëntor të vitit 2020, kohë kur Faktoje bëri një verifikim të plotë në terren për të parë ecurinë e punës.

Lidhur me ecurinë e fazës së dytë, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion bashkisë Fier, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk kemi marrë një përgjigje.

Kërkesa per informacion drejtuar Bashkisë Fier

Duket se gjatë kësaj periudhe Bashkia është angazhuar për të çuar deri në fund projektin për transformimin e këtij objekti të rëndësishëm kulturor. Nga konstatimet e Faktoje në terren rezulton se Teatri “Bylis” tashmë është rikonstruktuar plotësisht.

Pamja e re e Teatrit, gusht 2021

.

Pamje brenda Teatrit “Bylis”,  gusht 2021

Pas rikonstruksionit të plotë, veç premierave të aktorëve fierakë, në këtë teatër bashkëkohor do të interpretojnë edhe trupa te tjera teatrore. Rikonstruksioni i teatrit Bylis është një vlerësim që i bëhet tempullit të teatrit në Fier,

Historiku i Teatrit “Bylis”

Teatri “Bylis” u krijua në vitin 1971 nga bashkimi i trupës amatore të teatrit dramatik me një grup aktorësh të rinj. Teatri përfshinte dy trupa teatrore: Teatrin Dramatik dhe Teatrin e Estradës.

Ai e nisi veprimtarinë me një kapacitet spektatorësh prej 480 vendesh. Sipas të dhënave të Bashkisë Fier, ky emërtim “Bylis” u bë për disa arsye: Së pari emrin Apoloni (e cila ndodhet më pranë qytetit Fier, sot pjesë territoriale e bashkisë) e mbanin shumë subjekte social-kulturore në qytetin e Fierit;

Së dyti, rrënojat e qytetit të Bylisit që ndodhen në fshatin Hekal të Mallakastrës dhe atëherë kjo krahinë ishte pjesë përbërëse e rrethit të Fierit;

Së treti edhe në Bylis, dikur një nga qendrat kryesore ekonomike dhe shoqërore të Ilirisë së jugut, kishte ekzistuar një traditë teatrore, që ishte përfaqësuar nga ekzistenca e një teatri më të madh nga përmasat se ai i Apolonisë.

Mjediset brenda Teatrit, gusht 2021

Duke u nisur nga fakti se në Teatrin e Bylisit kanë përfunduar të dyja fazat e punimeve, Faktoje e konsideron këtë premtim TË MBAJTUR pas 6 vitesh.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna  nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img