ANILA  HOXHA

Vendimi i qeverisë për të mbyllur lokalet në orën 24.00 dhe për të fikur muzikën ne orën 23.00 duket se nuk pati zbatim të njëjtë për të gjitha bizneset në jug të vendit. Bizneset e vendosura pranë Lungomare në Vlorë, ishin nën monitorimin e plotë të policisë, ndërsa biznesët jashtë kësaj vije gjeografike duket se ishin më “të lira” për të mbajtur hapur lokalet jashtë orarit policor. Një pjesë e bizneseve qëndronin hapur përtej orës policore 24.00, por pa muzikë dhe ‘nën hundën’ e policisë. Por edhe duke përdorur këto “marifete” bizneset brenda dhe jashtë Lungomares nuk ia dolën të siguronin të ardhurat e shumëpritura në vitin e dytë pandemik. Pronarët e lokaleve, të detyruar të respektojnë oraret policore, por edhe të paguajnë taksat vjetore, shprehen të shqetësuar sesi ndikon mbylja 1 orë para e muzikës, në ndaljen e përhapjes se Covid 19.

Përgjatë Lungomares në Vlorë, muzika në kupë të qiellit vjen e miksuar nga të gjitha anët. Në lokalet e rreshtuar ngjitur me njëri-tjetrin, vështirë të dallosh se nga vijnë tingujt e këngës së Çelentanos dhe nga ato të këngës tradicionale të Napolonit. Klientët nëpër lokale duket se e shijojnë të shkujdesur muzikën, që jo rrallë kthehet në kakofoni, por këtë e vënë re më së shumti kalimtarët, që shëtisin përgjatë Lungomares.

Akrepat vrapojnë drejt orës 23:00 dhe në rrugën e tejngarkuar me biznese të turizmit veror, që janë përplot me turistë, atmosfera ndryshon brenda pak çastesh.

Në një prej këtyre lokaleve këngëtarja që performon ‘live’ e mbyll me këngën “The best” të divës Tina Turner dhe u kujton me nxitim klientëve dhe kalimtarëve, që kanë ndalur ta dëgjojnë, orën policore.

“Unë do doja shumë të këndoja gjithë natën për ju, por ka një orë policore dhe ne duhet ta mbyllim!” -thotë ajo

*Foto nga bizneset buzë lungomares

*Foto nga bizneset buzë lungomares

Foto nga bizneset buzë lungomares

Pas këtij çasti në Lungomare dëgjohet zhurma e pjatave, bisedat me zë të lartë dhe fragmente muzike që tashmë vijnë vetëm nga xhamat e hapur të automjeteve që qarkullojnë. Në orën 24:00, dritat e bareve dhe restoranteve fiken dhe për ata që vonohen, prezenca e policisë që patrullon edhe me automjete e sirena tregon se klientët duhet të nxitojnë e të përfundojnë shpejt pijet apo darkën.

Këto mbrëmje në Lungomare përsëriten me rigorozitet prej 18 korrikut, kur u shënua incidenti me forcat e policisë, pas një proteste të paprecedentë të thuajse 90 bizneseve përgjatë shëtitores,

Edlira Tahiraj, një sipërmarrëse vlonjate që ka aty një aktivitet, u shoqërua në polici pasi bashkë me biznese të tjera, bare dhe restorante, lëshuan njëherazi himnin kombëtar, në orën 22:00 kur ishte ende në fuqi, ora policore për ndalimin e muzikës.

**Foto nga raportimi I shoqerimit te Tahirit

“Morëm leje tek turistët nëse mund ta vendosnim himnin, ishin të gjithë dakord. Nuk e di pse policia erdhi këtu, ishin katër policë që hynë! Iu thamë që është himni, ju vazhdoni me gjobën, por ata kërkuan stafin. iu thashë mos e prekni stafin, u dola përpara.”

“Nëse i them unë klientit ngrihu se duhet ta mbyll në orën 24:00, e humbas si klient. Ndaj kur vijnë agjentët, nëse klientët janë ende duke konsumuar ushqim u them nëse do hajde vetë e ngreji nga tavolina.”-vijon Tahiraj, e cila tregon për Faktoje se çfarë e shtyu të organizonte protestën.

87 përfaqësues lokalesh në Lungomare krijuan një grup të përbashkët whatsapp-i në të cilin u organizuan duke reaguar me himnin kombëtar.

Ne kërkuam zgjatjen e orarit, kushtet për muzikën me orar të kufizuar dhe lokalet që mbyllen në mesnatë janë të ashpra dhe me pasoja ekonomike”-këmbëngul sipërmarrësja.

Fill pas protestës së bizneseve në Vlorë, më 19 korrik kryeministri Rama reagoi përmes një postimi në rrjetet sociale:

“Protestë në Lungomare për muzikën? Lungomare s’ka muzikë, por ndotje akustike të tmerrshme ku përzihen dhjetëra linja burime menjëherë”

Megithatë, pavarësisht kritikës, kryeministri paralajmëroi atë që do të shpallte të nesërmen, Komiteti i Ekspertëve, shtyrjen me një orë të orarit policor për muzikën.

“Muzika do të ndalet në orën 23.00”

*Screenshot i njoftimit të kryeministrit 19 korrik

Nuk vonoi dhe Komiteti Teknik i Ekspertëve e argumentoi zgjatjen me 1 orë të lejes për muzikën, me dinamikën e vaksinimit, por edhe të dhënat e hetimit epidemilogjik mbi rastet e infektimeve .

Por çfarë përmirësoi për bizneset në Vlorë, lejimi edhe për një orë më shumë i muzikës në lokale?

“Nuk ka asnjë kuptim, është paradoksale kjo masë kufizuese. Muzikë deri në 23:00 dhe lokal i hapur deri në 24:00? Çdo të thotë kjo, çfarë ndryshon një orë, çfarë rreziku nga covidi parandalon ky plan masash?”-thotë Edlira Tahiraj për Faktoje.

Ervin Sota, kreu i shoqatës së Bareve dhe Restoranteve kujton se si respektimi i orarit për muzikën e ktheu zonën e lokave të Lungomares, nga vend argëtues, në një zonë patrullimi.

Pas incidentit të 18 korrikut, policët me uniformë u zëvendësuan me agjentë civilë që presin me orë në dorë në hyrje të lokaleve të vijës së parë të Lungomares

“Kur ishte Drejtori i Përgjithshëm ishte për të qeshur, policët flisnin vazhdimisht në radio dhe konfirmonin se nuk ka muzikë. Është për të ardhur keq, kur qyteti është rrafsh me turistë dhe dalin kontrolle a e mbylle apo jo, e fike muzikën, në çfarë ore e fike fiks? Ndërkohë për t’i mbështetur bizneset s’ka tolerancë. Në fund të fundit ekonomia varet nga përthithja e turizmit’-thotë i indinjuar Sota.

Alma Golemaj, qytetare vlonjate, që preferon t’i kalojë pushimet në qytetin e saj thotë:

“Ç’kuptim ka, nëse shtyhet deri në orën 23:00? Turistët vijnë për argëtim dhe shumë syresh grumbullohen e vijojnë në ambjentet jashtë. Festat dhe grumbullimet masive ndodhin hapur në bare dhe restorante e madje edhe në plazhe, gjatw ditës, ku nuk respektohet dhe as inspektohet distanca midis shezlongëve. Ku është qëllimi i fashës dhe mbylljes në sezon vere?”

*Foto gjatë një feste ditën

Të pakënaqur me kufizimet, përfaqësuesit e bizneseve kanë vazhduar me këmbëngulje të kërkojnë lehtësim të tyre, sidomos gjatë sezonit të turizmit.

“Kemi kërkuar takim me prefektin dhe tha do t’ju lajmëroj. Kemi bërë kërkesë në kryeministri dhe nuk na ka ardhur përgjigje ende.” – thotë Ervin Sota, i cili raporton se bizneset turistike që u penalizuan më shumë gjatë sezonit janë diskot dhe pub-et. “Festat familjare, eventet dhe ceremonitë martesore gjithesi mbahen në këto ambiente, në orët e paradites dhe të pasditeve të vona.”-thotë Sota.

Andi Bozhani, menaxher i një diskoje dhe një beach bar-i në plazhin e vjetër në Vlorë ankohet:

“Për mua, mbyllja e muzikës është mbyllja e lokalit. Çfarë do bëj unë për 1 orë?” -thotë i riu, që pavarësisht se e kanë biznesin larg qendrës së banuar, i është nënshtruar urdhërave për ndaljen e muzikës e dhe mbylljen e lokalit në orën 24:00.

“Ne shohim që në vende të tjera ka patur shumë lëshime, këtu masat janë drastike. Ne jemi munduar të përshtatemi për të vonuar falimentin. Turisti nuk vjen në Vlorë vetëm për të ngrënë bukë, do të kërcejë, do muzikë, do të qëndrojë deri natën vonë. E humbëm dhe një vit tjetër, nuk kemi çfarë të bëjmë” – këmbëngul për “FAKTOJE” Bozhani.

Në brendësi të qytetit, apo në lokale të tjera, sa më shumë i afrohesh zonës së bregdetit, ka prej atyre që kanë ulur qepenat, kanë fikur dritat dhe me klientët brenda në bar, u shërbejnë të patrazuar pushuesve. Muzikë nuk ka, por sidoqoftë mesnata ka kaluar dhe ata janë në shkelje të orarit policor.

“Inspektori i zonës ka mbyllur një sy, mjafton mos të bëhet zhurmë dhe mos të kenë ankesa nga banorët sipër. Kuptohet që nuk bëhet pa polici, por qyteti tani ka kaq lëvizje që do të thotë para’ dhe të punosh deri në orën 2 të natës është mirë” – pranon  për “FAKTOJE” administratori i një bari, që pavarësisht lehtësimit se ka arritur ujdi me policinë, sidoqoftë, ka marrë masat e ‘duhura’ që frekuentuesit të mos zbulohen dhe as mos të bëjnë zhurmë.

Arseni, (kështu preferon të identifikohet) thotë për “FAKTOJE” se ata pak klientë që gjenden në bar, janë miq të tij dhe jo kalimtarë të rastësishëm.

“E kemi mbyllur u themi, policët e dinë dhe ikin. Por më vjen keq që erdhi dita që vera të pihet fshehtas”.

Ai refuzon të japë shjegime nëse kjo tolerancë ndaj biznesit të tij (edhe pse pa muzikë dhe me grila të mbyllura) vjen nga njohjet në polici apo sepse ka paguar ryshfet, ndonëse nuk mohon asnjë prej këtyre mundësive.

Teksa sezoni veror i erdhi fundi, zyrtarisht Policia e Vlorës konfirmon për “FAKTOJE” se katër qytetarë janë referuar për hetime të mëtejshme në prokurori për veprën “kundërshtim të punonjësit të policisë” për masat kufizuese, janë vendosur 11 gjoba ndaj subjekteve shkelëse, ku kryeson Saranda dhe Dhërmiu dhe në fund Vlora me 3 gjoba. Të gjitha masat administrative raportohet se janë kundërshtuar dhe ankimuar nga bizneset.