Pretendimi: Dr. Anthony Fauci tha se i shpiku metodat e parandalimit të Covid-19 gjatë pandemisë

Verdikti: Mungon konteksti

———————————-

Përdoruesit e rrjeteve sociale po pretendojnë se eksperti i njohur amerikan i sëmundjeve infektive, Dr. Anthony Fauci, tha përpara Kongresit Amerikan se i shpiku masat parandaluese për Covid-19 që u këshilluan të ndiqen gjatë pandemisë. Shkak për këtë pretendim është konfirmimi i Faucit se udhëzimet për distancimin apo maskat nuk u mbështetën në studime konkrete për Covid-19.

Fauci, ish-drejtori i Institutit Kombëtar amerikan të Alergjisë dhe Sëmundjeve Infektive dhe ish-këshilltari kryesor mjekësor i Shtëpisë së Bardhë, foli përpara Nënkomitetit në Kongresin Amerikan për Pandeminë e Koronavirusit në Janar 2024. Dëshmia e tij zgjati 14 orë të shtrira në dy ditë.

Sipas zbardhjes së dëshmisë së Faucit ditën e dytë, ai tha se nuk ishte në dijeni të ndonjë studimi që mbështeste rregullat e distancimit social 2 metra larg që u vendosën nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC). 

Fauci tha se ky vendim ishte “empirik”, që në terma mjekësorë do të thotë një përcaktim i bazuar në përvojë më shumë se sa në të kuptuarit e shkakut të diçkaje. “Unë mendoj se do të binte nën kategorinë e empirikes,” tha Fauci. “Thjesht një vendim empirik që nuk bazohej në të dhëna apo edhe në të dhëna që mund të arriheshin. Por po mendoj shumë ndërsa po flas me ju… Nuk mbaj mend ndonjë diskutim që ‘Tani do të jetë’ – sikur thjesht u shfaq, që 2 metra do të jetë distanca.”

Sa i përket maskave, Fauci tha se ai nuk kujtonte studime specifike që mbështesin mbajtjen e maskave tek fëmijët. Fauci theksoi rolin CDC në hartimin e udhëzimeve të maskimit. 

3 qershor 2024, Fauci dëshmoi sërish, kësaj rradhe me dyer të hapura. Gjatë seancës, përfaqësuesja demokrate Kathy Castor akuzoi republikanët se e fshehën zbardhjen e seancës së Janarit për muaj të tërë dhe kishin keqkarakterizuar disa nga deklaratat e Fauci. Ajo e pyeti Faucin nëse donte të sqaronte ndonjë gjë publikisht.

“Një [gjë] që jam i sigurt se do të shfaqet më vonë është çështja e distancës prej 2 metrash,” u përgjigj Fauci. “Dhe unë bëra deklaratën se thjesht u shfaq dhe u mor sikur nuk e di se çfarë po ndodh, thjesht u shfaq. Në fakt erdhi nga CDC. CDC ishte përgjegjëse për ato lloj udhëzimesh për shkollat, jo unë.”

Ai gjithashtu sqaroi se çfarë donte të thoshte kur tha se nuk kishte parë ndonjë studim që mbështeste rregullin. “Ajo që nënkuptova me mungesën e shkencës pas tij, është se nuk kishte një test të kontrolluar që krahasonte 2 metra me 1 metër me 3 metra,” tha ai.

Ai tha se mendonte se CDC kishte përdorur studime të mëparshme në lidhje me përhapjen e stërkalave për të marrë atë vendim, përpara se zyrtarët shëndetësorë të kuptonin se virusi po përhapej përmes ajrit.

Një zëdhënës i CDC tha për PolitiFact se rekomandimi për largësinë 2 metra bazohej pjesërisht në një studim të vitit 1955 që shqyrtonte se si udhëtojnë stërkalat e sistemit të frymëmarrjes. Ky studim u përdor sepse nuk kishte të dhëna alternative mbi COVID-19, tha zëdhënësi. Rregullat e distancimit social u përditësuan në 11 gusht 2022, për të mos rekomanduar më distancën prej 2 metrash si pasojë e imunitetit të shumëpërhapur dhe trajtimeve efektive, tha zëdhënësi.

Zbulimi për largësinë 2 metra nuk është i ri. Dr. Robert Redfield, drejtori i CDC në administratën e ish-presidentit Trump, foli para një paneli të Dhomës së Përfaqësuesve më 17 mars 2022, rreth përpjekjeve të hershme lehtësuese.

“Nuk kishte magji rreth 2 metrave. Thjesht historikisht kjo është ajo që është përdorur për patogjenët e tjerë të frymëmarrjes,” tha Redfield. 

Fauci foli gjithashtu për udhëzimet e maskave për fëmijët. Një përfaqësues republikan e pyeti nëse kishte prova shkencore që mbështesin atë udhëzim.

“Nuk ka patur asnjë studim që ka provuar maskat tek fëmijët më parë,” tha Fauci. “Nuk mund të bëje një studim. Duhet t’i përgjigjeshe një epidemie që po vriste 4-5 mijë amerikanë në ditë.”