BallinaAktiviteteFaktoje ‘sfidon’ 1 Prillin me ndarjen e çmimeve për shkrimet më të mira fact-checking

Faktoje ‘sfidon’ 1 Prillin me ndarjen e çmimeve për shkrimet më të mira fact-checking

Katër gazetarë janë shpallur fitues për shkrimet më të mira të bazuara në verifikimin e fakteve, si pjesë e projektit të mbështetur nga programi MATRA i Ministrisë së Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Ambasadën Holandeze, për forcimin e gazetarisë fact-checking. Çmimi i parë që mban emrin e gazetarit Fatos Baxhaku, figurë e gazetarisë shqiptare, iu dha gazetares Anila Prifti nga mbesa e tij Arba Baxhakut. Konferenca e mbajtur këtë 1 Prill, në kuadër të ditëve të verifikimit të fakteve, ishte edhe një sfidë ndaj ditës së rrenave.

Faktoje zhvilloi këtë të premte konferencën kombëtare me temë: “Mos u rrej! Dita Ndërkombëtare e Verifikimit të Fakteve në Shqipëri”.

Pjesë kryesore e këtij aktiviteti ishte edhe dhënia e 4 çmimeve vlerësuese për gazetarët që morën pjesë në thirrjen e hapur për artikuj fact-checking, projekt që Faktoje po zhvillon me mbështetjen e Ambasadës Holandeze me qëllim, që në bashkëpunim të ngushtë me gazetarë dhe grupet e interesit, të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë e funksionarëve publikë si dhe të fuqizojë qytetarët dhe të nxisë debatin publik. Në përzgjedhjen e shkrimeve më të mira u patën parasysh, zbatimi i metodologjise fact-checking, aktualiteti, struktura, raportimi si edhe mënyra e rrëfimit të historisë.

Çmimi i parë, që mban emrin e një prej figurave të gazetarisë shqiptare, Fatos Baxhakut, iu dha gazetares Anila Prifti për shkrimin me titull: “A u kthye Himara në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore, siç premtoi kryeministri në 2015?”.

Artikulli nxirrte në pah problemin e ndotjes dhe mbetjeve në perlën turistike të jugut, pavarësisht se kishte një zotim nga kryeministri Edi Rama që në vitin 2015 për ta kthyer këtë zonë në shembullin e mirëmbajtjes mjedisore.

Ky çmim iu dorëzua gazetares Anila Prifti nga mbesa e Fatos Baxhakut, Arba Baxhaku.

“Tosi na ka përfshirë në profesionin e tij, pavarësisht se nuk jemi të këtij profesioni. Kështu që e di me çfarë pasioni dhe me çfarë dashurie ai mbështeste të vërtetën dhe mbështeste mbi të gjitha formimin e të gjithë atyre që ishin të profesionit të tij dhe gjithë brezave që më vonë u bënë kolegët e tij. Ndaj, më bëhet shumë qejfi që jam sot këtu për të dhënë këtë çmim”- theksoi Arba Baxhaku.

Arba Baxhaku, mbesa e Fatos Baxhakut 

Gazetarja Anila Prifti u shpreh e emocionuar pas vlerësimit me çmimin “Fatos Baxhaku” duke treguar edhe sfidat që kanë gazetarët.

Gazetarja Anila Prifti, fituese e çmimit të parë

“Prej shumë vitesh njerëzit besojnë fort se një gazetar në vendin tonë nuk është i drejtë, sepse ai ose gënjen ose i thonë të gënjejë dhe për pasojë nuk na duan. Një gazetar sot nuk tregon dot atë që shikon. Një gazetar sot nuk do të flejë i qetë për këtë fakt. Për pasojë ai trajtohet pa integritet. Unë mbijetova, ka shumë të tjerë që nuk kanë mbijetuar. Tek ‘Dyert e Rënda të Shtetit’, Fatos Baxhaku shkruante:

Kur gjërat nuk venë mirë sa duhet të shndërrohen aq familjare dhe normale saqë të mos ua vesh më veshin, nis e mësohesh ngadalë me to, si me një dhembje të vjetër trashëguar nga motet e fëmijërisë”. Përpiquni që kjo ndryshojë”- tha gazetarja Anila Prifti pas marrjes së çmimit.

Çmimi i dytë iu dha gazetarit Raimond Kola për shkrimin me titull: “Premtimi i shkelur për ujësjellësin dhe dëmet e parikuperueshme në qendrën historike të Gjirokastrës”.

Artikulli trajton problemin e mungesës së ujësjellësit në këtë qytet dhe se si zvarritja e këtij projekti po shkaktonte një tjetër dëm madhor në rrugët me kalldrëm të Qendrës historike të Gjirokastrës.

“U preka për Tosin, ishte një nga kolegët më të mirë. Prej 30 vitesh që punoj në media, besoj që gazetaria e terrenit është gezetaria më e bukur në botë, sepse është gjithmonë më afër të vërtetës dhe je ai njeriu që gjithmonë e shijon atë që bën”- u shpreh Raimond Kola pas marrjes së çmimit.

Fituese e çmimit të tretë u shpall gazetarja Voltiza Duro me artikullin me titull: “Statusi i minatorit, premtimi i pambajtur i qeverisë Rama”. Në këtë shkrim trajtohen problemet me të cilat përballen çdo ditë minatorët, pavarësisht zotimeve për kushte më të mira pune dhe rritje të pagave, pensioneve dhe lehtësirave në shërbimet publike.

“Shumë faleminderit për mundësinë” – tha Voltiza Duro, duke përsëritur edhe njëherë faktin që statusi i minatorit është një premtim i përsëritur, por që nuk po merr zgjidhje.

Me çmimin e inkurajimit u nderua gazetarja Albina Hoxhaj për shkrimin me titull: “Ku është projekti për portin turistik të Shëngjinit që u premtua para zgjedhjeve të 25 prillit?”

Artikulli sillte në vëmendje premtimin e kryeministrit Edi Rama për ndërtimin e portit turistik në Shëngjin, ndërsa nga verifikimi rezulton se një projekt i tillë ende nuk ekziston.

“Faleminderit shumë, ishte surprizë për mua ky çmim. Isha sot vetëm për t’u informuar më shumë. Ky ishte shkrimi im i parë në Faktoje”- tha e emocionuar  gazetarja Albina Hoxhaj.

Të pranishmit në këtë aktivitet theksuan fort rëndësinë që ka verifikimi i fakteve për të mos rënë pre e dizinformimit dhe lajmeve të rreme.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img