BallinaAktiviteteFaktoje organizon Konferencën për Ditën Ndërkombëtare të ‘fact checking’: Misioni duke u kryer!

Faktoje organizon Konferencën për Ditën Ndërkombëtare të ‘fact checking’: Misioni duke u kryer!

Data 1 Prill shënon Ditën e Rrenave, por në këtë ditë Faktoje organizoi Konferencën me mesazhin “Mos u Rrej! Fakto dhe Ti”. Në këtë takim ishin të pranishëm Ambasadori i Holandës në Shqipëri z. Reinout Vos, përfaqësues të Komisionit Parlamentar tëEdukimit dhe Mjeteve të Informimit Publik, z. Besnik Dervishi – Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, gazetarë dhe ekspertë të medias brenda dhe jashtë vendit, përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët diskutuan mbi rëndësinë dhe sfidat e verifikimit të fakteve në Shqipëri.

Në fjalën e mbajtur para të pranishmëve, drejtoresha ekzekutive e Faktoje.al, Klodiana Kapo dha shifra konkrete mbi deklaratat e verifikuara nga stafi dhe sa prej tyre janë mbajtur nga zyrtarët publikë.

“Faktoje për herë të parë feston Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit te Fakteve, e cila festohet në 60 vende të tjera të botës që janë si ne, organiziata fact-checking. Në 15 muaj ekipi i Faktojes ka verifikuar 260 deklarata dhe premtime. Janë 116 premtime të verifikuara, 110 rezultojnë të pambajtura

Nga 144 deklarata vetëm 24 janë të vërteta. E di që këto shifra nuk ju habisin, do t’ju habisë ndoshta zelli ynë për të verifikuar deklarata dhe premtime të politikanëve për çështje që kanë ndikim në jetën tonë dhe të fëmijëve tanë. Kanë premtime që janë përsëritur 3-4 herëradhazi dhe nuk janë mbajtur. Pse duhemi ne në këtë treg kaq të madh? Unë do të citoj kolegun Fatos Baxhakun, i cili do të ishte pjesë e rrugëtimit të Faktoje.

Baxhaku ka shkruar se verifikimi i lajmit nga sa më shumë burime është një nga parametrat universalë të punës tonë. Për fat të keq nuk janë të pakta rastet te ne, kur nuk shihet përtej dukjes së lajmit, të deklaratës apo qëndrimit, pozicione të cilat jo vetëm na largojnë nga e vërteta, por edhe e shtojnë rrezikun e manipulimit të shtypit prej burimeve të mirëmenduara. Faktoje ka këtë mision, të verifikojë përtej dukjes dhe t’u kujtojë politikanëve që po, ne i dëgjojmë, po ne i marrim seriozisht deklaratat dhe premtimet e tyre dhe jemi këtu për të bërë transparencë dhe për të informuar”, tha Klodiana Kapo.

I pranishëm në këtë konferencë, Ambasadori i Holandës në Shqipëri z. Reinout Vos e vuri theksin te rëndësia që ka verifikimi i fakteve në një kohë kur kemi një “bum” informacioni. Sipas tij, gazetaria cilësore është tipar i një shoqërie të lirë dhe demokratike.

“Jam i nderuar që jam këtu. Kur nisa karrierën time diplomatike mbaj mend që një diplomat më tha që ka shumë informacion në ditët e sotme. Por si mund ta menaxhojmë?

Ne duhet të luftojmë, Faktoje duhet të luftojë, Shqipëria duhet të luftojë, Holanda duhet të luftojë për të vërtetën, sepse në të njëjtën kohë kemi më shumë se kurrë akses në informacion, kemi akses në dizinformacion. Ky është problemi dhe jam i lumtur që Faktoje është këtu!” ,  theksoi ai.

Ndërsa për Zotin Besnik Dervishi, Komisioner për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Faktoje është shembulli se si duhet përdorur e drejta për informim.

“Ne e kemi vlerësuar jashtëzakonisht pjesëmarrjen sot, sepse Faktoje.al është një nga grupimet më aktive të viteve të fundit dhe që themi e ka mirëpërdorur të drejtën për informim, duke e konsoliduar atë në realizim të transparencës në shërbim të qytetarëve në radhë të parë, por edhe të detyrimit të autoriteteve publike që nëpërmjet transparencës pro-aktive të rrisin standartin e tyre të shërbimeve. Ajo që është më thelbësore dhe më e rëndësishme, është që prej vitit 2014 kemi miratuar një legjislacion tejet të përparuar për sa i përket të drejtës për informim, tejet ambicioz, i cili që prej vitit 2015 renditet i 5 ose i 6 në botë, ku me ligjin e vjetër për të drejtën e informimit Shqipëria renditej në vendin e 86. Në mbështetje të saj është forcuar edhe zyra e komisionerit me strukturën përkatëse për të drejtën e informimit, pavarësisht vështirësive strukturore, mendoj se sot kemi një strukturë të formuar, e cila modestisht ka dhënë kontributin e saj duke trajtuar mesatarisht, numrin e mbi 1 mijë ankesave në vit”, u shpreh zoti Dervishi.

Deputeti socialist Petro Koçi, në fjalën në këtë konferencë u shpreh ndër të tjera se Faktoje.al është kampione e së vërtetës.

“Çështja e verifikimit të fakteve është me shumë interes dhe këtu nuk është përgjegjëse vetëm politika. Politika në shoqërinë tonë shërben më shumë si alibi, pavarësisht se politika është kryemëkatarja e problemeve që ka shoqëria dhe institucionet në këtë vend. Mendoj që për qytetarët funksionon e drejta për t’u informuar, për median e drejta për t’u dhe për të informuar dhe për institucionet e drejta për të informuar. Nëse do kishim një media të shëndetshme, gjërat do të shkonim më mirë. Për sa kohë pronarët e medias do të kenë lirinë që të futen në tenderat publikë, të përfitojnë nga financat publike, nuk besoj se do të kemi ndonjëherë media të lira. Dhe për sa kohë nuk do të kemi media të lira, vështirë se do të vijnë ndonjëherë në një takim me Faktoje.al apo ndonjë organizatë apo strukturë tjetër që të jemi më optimistë”, argumentoi zoti Koçi.

Nga ana tjetër, deputetja demokrate, Ina Zhupa tregoi shembuj konkretë se si i është referuar të dhënave të Faktoje për mbetjet në Durrës, duke zbuluar informacione të vlefshme.

“Faktoje.al është ndër të vetmit institucione mediatike që përgjigjet e institucioneve i merr në formë zyrtare dhe materialet që i vendos në webin e vet janë të tilla, të sigurta në informacionin që jep, që ti mund t’i përdorësh edhe për çështje të tjera penale apo civile. Unë e kam përdorur në një komision hetimor për inceneratorët”, tha Zhupa.

Gjetjet e Faktoje

Përgjatë 15 muajve të fundit, në përmbushje të misionit tonë kemi

verifikuar 260 deklarata dhe premtime të zyrtarëve publikë. Nga kategorizimi i bërë sipas metodologjisë sonë të shprehur përmes Faktometrit rezulton se:

19 deklarata janë të Vërteta,

53 janë të Pavërteta,

24 Gjysmë të Vërteta

48 deklarata janë klasifikuar Pa Kategori.

Faktoje ka verifikuar 116 premtime nga të cilat:

6 premtime kanë rezultuar të Mbajtura

110 të Pambajtura.

Bazuar në përvojën tonë në komunikimin me institucionet, për atë çfarë garanton Ligji për të Drejtën e Informimit, rezulton se institucionet që vijojnë të kenë një qasje më pak transparente dhe jo në përputhje me ligjin janë: Kryeministria, Ministria e Rindërtimit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Bujqësisë, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Drejtësisë.

Çmimi “Fatos Baxhaku”

Një komponet shumë i rëndësishëm i konferencës së mbajtur më 1 Prill ishte edhe ceremonia e çmimeve për Konkursin Kombëtar të artikujve më të mirë të Verifikimit të Fakteve.

Në kuadër të projektit “Forcimi i gazetarisë Fact-Checking në Shqipëri” që mbështetet nga programi MATRA i Ministrise së Jashtme të Mbretërisë së Vendeve të Ulta, Faktoje hapi thirrjen për kryerjen e artikujve të mbështetur në fakte dhe të dhëna.

Çmimi i parë mban emrin e gazetarit të spikatur për integritetin e tij dhe për brumojsen e brezave të gazetarëve të ardhshëm, Fatos Baxhaku.

Juria e përbërë nga gazetarët profesionistë dhe ekspertë: Erjon Tase, Besar Likmeta dhe Elira Çanga, përzgjodhën 4 shkrimet më të mira ndër 10 të publikuar në Faktoje.

1- Çmimi i parë “Fatos Baxhaku” iu dha gazetares Anila Prifti për shkrimin me titull:

A u kthye Himara ne modelin e mirembajtjes mjedisore siç u premtua nga kryeministri Rama?

2- Çmimi i dytë, iu dha gazetarit Raimond Kola për shkrimin me titull:

Premtimi i shkelur per ujesjellesin dhe demet e parikuperueshme ne qendren historike te Gjirokastres

3- Çmimi i tretë iu dha gazetares Voltiza Duro për shkrimin me titull:

Statusi i minatorit, premtimi i pambajtur i qeverise Rama

4- Çmimi i inkurajimit iu dha gazetares Albina Hoxhaj për shkrimin me titull:

Ku eshte projekti per portin turistik te Shengjinit qe u premtua para zgjedhjeve te 25 prillit?

Organizata Faktoje vetëm gjatë javës së fundit të Marsit ka trajnuar rreth 150 studentë të gazetarisë në Tiranë, Shkodër, Elbasan nga eksperti i medias, gazetari holandez z. Frits van Exter.

Transparenca dhe faktet kanë rëndësi jetike në ditët e sotme ndaj brezi i ri i gazetarëve, duhet të jetë sa më profesional në kryerjen e këtij misioni.

Faktoje, e vetmja qendër mediatike e Verifikimit të Fakteve në Shqipëri, në 2 prill feston Ditën Ndërkombëtare të Verifikimit të Fakteve.

Lexoni deklaratën për shtyp:

https://faktoje.al/wp-content/uploads/2022/07/deklarata-per-shtyp-2-prill-2022.docx

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img