BallinaFaktometerE PavërtetëKu është projekti për portin turistik të Shëngjinit që u premtua para zgjedhjeve të 25 prillit?

Ku është projekti për portin turistik të Shëngjinit që u premtua para zgjedhjeve të 25 prillit?

Albina Hoxhaj

Në fushatën për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021, kryeministri Edi Rama, premtoi ndër të tjera realizimin e 4 porteve duke u zotuar para qytetarëve të Lezhës edhe për port turistik në Shëngjin. Nga verifikimi për Faktoje rezultoi se jo vetëm që nuk ka një projekt të tillë, por në portin e Shëngjinit mungojnë elemente emergjente si dallgëmbajtësja. Nga ana tjetër, premtimet për këto vepra madhore, shihen me rezerva nga ekspertët të cilët i konsiderojnë ato gropa thithëse të parave publike.

————————————

“Gjatë mandatit të tretë do të bëhemi me 4 aeroporte dhe së bashku me portet e reja turistike që nga Saranda, Vlora, Durrësi dhe më pas ai i Shëngjinit do të kemi një hartë tjetër të Shqipërisë. Edhe në kategorinë e Turizmit do të sjellim edhe atë të jahteve dhe resorteve elitare që do të nxisin punësimin dhe do të kenë paga më të larta. Kështu ne brenda kësaj dekade do të bëhemi kampionë të Ballkanit në këto drejtime”- deklaroi kryeministri Rama në 9 prill 2021 gjatë një takimi në kuadër të fushatës elektorale të 25 prillit.

Nisur nga ky  premtim, që gjatë verifikimit për Faktoje rezultoi të jetë ricikluar nga një fushatë e mëparshme zgjedhore, po nga PS, ne vendosëm t’i drejtoheshim fillimisht me një kërkesë zyrtare për informacion, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Screenshot nga kërkesa për informacion dërguar Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në përgjigjen për Faktoje MIE mohon të ketë ndonjë projekt për portin e Shëngjinit, ndryshe nga çfarë artikuloi kryeministri Rama gjatë fushatës për zgjedhjet e 25 prillit.

“Porti i Shëngjinit është një port i hapur për të gjithë qytetarët vendas dhe të huaj. MIE nuk ka një projekt-strategjik të detajuar mbi dhënien me shfrytëzim të këtij porti. Operatoret ekonomikë të Kosovës kanë lehtësira si në Portin e Durrësit dhe në atë të Shëngjinit, gjithashtu nuk ka një parashikim se kur do nisë projekti-strategjik dhe sa do jetë vlera ose përfitimet monetare te këtij-thuhet në përgjigjen zyrtare të këtij institucioni.

Screenshot i përgjigjes së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Ne iu drejtuam me një kërkesë zyrtare edhe Bashkisë Lezhë mbi ekzistencën e projektit për shndërrimin e Portit të Shëngjinit në një port turistik.

Edhe pse janë tejkaluar afatet në bazë të Ligjit për të Drejtën e Informimit, Bashkia Lezhë nuk ka kthyer një përgjigje.

Ndërkohë nga një kërkim në internet rezulton se i njëjti premtim është artikuluar në 12 shkurt 2019.

Pas këtij verifikimi, në fund të muajit nëntor 2021 ne shkuam në portin e Shëngjinit dhe gjatë bisedës me drejtorin e këtij porti, Gjergj Prendi, mësuam se jo vetëm që nuk ka një projekt për port turistik, por aktualisht situata ishte emergjente pasi ende nuk kishte përfunduar ndërtimi i dallgëmbajtëses.

Kërkohet ndërhyrje imediate, pasi situata është në limite. Ndërkohë që skoljerat perëndimore, ose siç njihet ndryshe dallgëmbrojtësja në gjuhën e përditshme, është rindërtuar në masën 35-40% dhe është emergjente për të ndërhyrë, pasi ndodhet në limitet e saj. Për momentin nuk përbën rrezik, por është rrezik potencial në çdo kohë. Baseni duhet të jetë i mbrojtur nga dallgët, apo siç njihen ndryshe dallgëkthyese.Këto kanë qenë nevojat tona emergjente që kërkojnë ndërhyrje për këtë vit”-tregon Prendi.

Baseni i portit të Shëngjinit, nëntor 2021

Gjergj Prendi, Drejtori i Portit të Shëngjinit

“Mesa duket Porti i Shëngjinit nuk është prioritet për këtë vit, por sigurisht që brenda mandatit qeverisës do të realizohet. Puna nuk ka nisur, por mbetemi në pritje dhe në kontakt me Ministrinë e Transportit dhe Energjetikës për realizimin e projektit në vijim”-vijon më tej drejtori i portit të Shëngjinit.

“Misioni ynë është përpunimi i mallrave dhe pasagjerëve; nëse qeveria vendos të bëjë shtesë është një plus, por për momentin nuk shoh diçka konkrete. Ne nuk jemi port peshkimi, ndonëse i ndihmojmë peshkatarët. Është folur që do të jetë pjesa veriperëndimore e basenit për ndërtimin e një porti për anijet e luksit, jahteve. Ky është një projekt prioritet i qeverisë, por në fakt nuk kanë të bëjnë me ne..”-tha Prendi.

Autoritetet e portit, sipas tij janë në diskutime me një kompani italiane për të realizuar një linjë pasagjerësh Bari-Shëngjin-Tivar dhe e konsiderojnë këtë një të mirë për komunitetin dhe bizneset, por kjo nuk ka lidhje me ndonjë projekt madhor për port turistik, sikurse ka artikuluar kryeministri.

Ne kërkuam edhe opinionin e ekspertit të financave, njëkohësisht ish ministër, Arben Malaj, i cili zbeh shpresat për realizimin e një projekti të tillë duke renditur një sërë argumentesh.

“Së pari, ne duhet të ndajmë portet  sipas infrastrukturës tregtare  dhe portet e jahteve si pjesë e strategjisë të zhvillimit të turizmit.

E dyta studimet e fizibilitetit të bëhen transparente dhe të jenë të miratuara në strukturat përgjegjëse qeveritare dhe me një oponencë thellësisht profesionalenga ekspertët.

Së treti – partneritete preferenciale publike-private, pa studime të thelluara profesionale dhe pa konkurrencë – në vendet me institucione të dobëta dhe nivele të larta korrupsioni dhe kapje te shtetit, rrezikojnë të jenë shumë të kushtueshme”,– argumenton zoti Malaj i cili shton:

“Është lehtësisht e verifikueshme që buxheti i shtetit nuk i ka këto fonde. Nëse qeveria e konsideron portin e Shëngjinit me interes për një port mallrash – për të cilin jam skeptik, duhet ta provojë me fondet e Konferencës së Berlinit – sepse si port mund të përmbushë parakushtin që do t’ju shërbejë dy ose më shumë vendeve në Ballkanit Perëndimor,  si një akses alternativ për import dhe eksport. Si ekonomist druaj se ky port ofron avantazhe të vogla konkurruese në raport me avantazhet e tij konkurruese të porteve në vendet e tjera të rajonit”

Ai tërheq vëmendjen se këto lloj projektesh butaforike, mund të kthehen në gropa thithëse të parave publike:

“Sipas studimeve të FMN-së kostot e këtyre projekteve për shkak të keqpërdorimeve, korrupsionit dhe kapjes se qeverive,rriten 33-35%,nëqoftëse ato variojnë nga 2-3 miliardë- kostot abuzive e korruptive luhaten nga 660 milionë deri ne 1.05 miliardë euro.”

Qeveria Rama, në fushatën për mandatin e tretë qeverisës ka premtuar ndërtimin e 4 porteve,Vlorë, Sarandë, Durrës dhe Shëngjin. Ashtu si për Shëngjinin as për portin e Sarandës nuk është bërë transparent projekti apo vlera monetare e investimit. Por në datën 10 prill 2021 kryeministri Rama ka publikuar pamjet nga porti ku tregon se puna ka nisur.

Në këtë port është investuar në vitin 2019 në vlerën 1,374,984,000 lekë pa tvsh.

Në Vlorë ka nisur puna për projektin e portit dhe vlera e investimit të projektit është  22.725.571 Euro pa TVSH.

Problematika janë hasur edhe në Vlorë, pasi rruga që lidh portin me qytetin nuk është bërë dhe rezulton se kompania që ka përfituar tenderin është përfshirë në skandale.

Porti i Durrësit do të realizohet nga Emaar Group dhe projekti u prezantua në prill 2021, me vlerë 2 miliardë euro dhe i konceptuar i shtrirë në portin ekzitues të Durrësit, që do kthehet në port turistik. Ndonëse plani është prezantuar, puna nuk ka nisur ende, por pritet të nisë në muajin prill të vitit 2022.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img