Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi të premten, 14 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.
Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.
Monitorimi bazohet në dy elementë kryesorë: niveli i transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushja e premtimeve elektorale. Nisur nga ky monitorim, transparenca për Bashkinë Elbasan, matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 50% duke u renditur e parafundit mes 10 bashkive të monitoruara.
*analiza krahasuese mes 10 bashkive të monitoruara për indikatorin e transparencës, viti 2024
Ky nivel transparence pasqyron një rënie krahasuar me vitet e mëparshme.
Sa i përket katër premtimeve elektorale të monitoruara nga qendra Faktoje, Bashkia e Elbasanit nuk ka përmbushur asnjë prej tyre.
Nga 40 premtime të verifikuara për 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.
2024 ishte viti i pestë që Faktoje monitoroi performancën transparencës dhe mbajtjen e premtimeve në 10 institucione të pushtetit vendor në Shqipëri në kuadër të projektit “40 premtime, 10 bashki”, mbështetur nga National Endoëment for Democracy (NED).
Analiza 5 vjeçare ka treguar se për periudhën 2019-2024, nga 135 premtime të verifikuara nga Faktoje, 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.
*analiza 5 vjeçare e premtimeve elektorale të monitoruara nga Faktoje
Bashkitë e Shkodrës dhe Lezhës kanë shënuar rezultatet më të mira në vite për përmbushjen e premtimeve, duke rritur gjithashtu nivelin e transparencës dhe llogaridhënies ndaj qytetarëve.
Ndërkohë, bashkitë e Durrësit, Elbasanit dhe Vlorës mbeten sfiduese në këtë aspekt. Monitorimi ka treguar se kryebashkiakët e këtyre bashkive kanë dështuar në përmbushjen e një numri të konsiderueshëm premtimesh, kryesisht në lidhje me infrastrukturën dhe shërbimet publike.
***
Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).