Lajmi se kompania Facebook do t’ju paguajë dëmshpërblim nëse keni patur llogari nga viti 2007 në 2022 është nxjerrë nga konteksti. Fatkeqësisht, ky dëmshpërblim mund të merret vetëm nga persona që kanë jetuar në Shtetet e Bashkuara në atë periudhë.

——————————————————

Artikulli i portalit tiranaweb.com jep lajmin e mirë se nëse keni patur llogari nga Maji 2007 deri në Dhjetor 2022 “Facebook ju detyrohet para”.

Artikulli i referohet një dëmshpërblimi prej $725 milionë që kompania Facebook do të paguajë si pjesë e një marrëveshjeje pas një padie të ngritur kundër saj për cënimin e privacisë së përdoruesve.

Por, ky dëmshpërblim nuk i ofrohet çdo përdoruesi. Siç specifikohet edhe në formularin që përdoruesit duhet të plotësojnë për të marrë pjesën e tyre të parave, vetëm personat që kanë jetuar në ShBA dhe kanë patur llogari në Facebook mes datave 24 Maj 2007 dhe 22 Dhjetor 2022.

Padia e sjellë kundër Facebook përpara një gjykate amerikane pretendon se rrjeti social lejoi që të dhënat personale të miliona përdoruesve të përdoreshin nga Cambrige Analytica, një kompani që mbështeste fushatën elektorale të Donald Trump në 2016.

Në 2018, një punonjës i Cambridge Analytica deklaroi se firma kishte përdorur të dhëna personale pa dijen dhe lejen e personave për të krijuar profile individuale të zgjedhësve amerikanë, në mënyrë që t’i shënjestronte me reklama politike të personalizuara. 

Këto të dhëna personale ishin mbledhur nga Facebook. Cambridge Analytica pagoi një aplikacion në Facebook, një lojë të quajtur “This Is Your Digital Life”, për të patur akses në këto të dhëna.

Si rrjedhojë e këtyre zbulimeve, kreu i Facebook, Mark Zuckerberg u mor në pyetje edhe nga Senati i ShBA.