BallinaFaktometerE PavërtetëE rreme zhdukja e ndihmave të tërmetit nga Komuniteti Musliman Shqiptar

E rreme zhdukja e ndihmave të tërmetit nga Komuniteti Musliman Shqiptar

Akuzat e publikuara në rrjetet sociale ndaj Komunitetit Musliman Shqiptar për shpërdorim të fondeve të mbledhura për tërmetin në Turqi rezultojnë të rreme. “Faktoje” verifikoi dokumentat bankare që vërtetojnë se dhurimet kanë shkuar në destinacion në Turqi dhe Siri.

Jona Plumbi

Portali në shqip mexhlis.com, një faqe e fokusuar kryesisht në tema të lidhura me islamin, publikoi në 23 prill një artikull ku ngrihen akuza ndaj Komunitetit Musliman Shqiptar për përvetësim të fondeve të mbledhura për tërmetin në Turqi dhe Siri. Artikulli u nda gjithashtu në profilin e faqes në Facebook duke u klikuar mbi 200 herë dhe marrë komente nga lexues të ndryshëm.

Sipas verifikimit të “Faktoje”, artikulli është një përkthim në gjuhën shqipe i informacionit të publikuar më parë nga agjencia turke TRT në 19 prill. Artikulli mban titullin “Si FETO mashtroi donatorët dhe keqpërdori fondet e ndihmës ndaj tërmeteve në Shqipëri”.

*Lajmi për akuzën e abuzimit me fondet e tërmetit i publikuar në mexhlis.com

I njëjti lajm është publikuar nga mexhlis.com me titull “Gylenistët e KMSH, marrin për organizatën e tyre 12.8 milion euro donacione për tërmetin në Turqi.

Lajmi pretendon se KMSH ka mbledhur më shumë fonde nga sa ka deklaruar dhe se ka përvetësuar mbi 12 milionë euro. Sipas artikullit, paratë e padeklaruara tek shteti shqiptar, janë transferuar në selinë qendrore të FETO-s, fondacionit të Gylen, në Pensilvani. Artikulli pretendon gjithashtu se ministria shqiptare e Financave ka nisur një hetim për këtë rast.

*Lajmi i publikuar në agjencinë turke TRT 

Nisur nga akuza e rëndë “Faktoje” vendosi të verifikojë informacionin me Komunitetin Musliman Shqiptar.  Me një kërkim në rrjet zbulohet se KMSH hapi tri llogari bankare në monedha të ndryshme (ALL, EUR, USD) në bankën Credins në Shqipëri për të grumbulluar donacionet.

Kjo tregon se donacionet janë mbledhur përmes llogarive bankare të hapura enkas për këtë rast dhe se veprimet janë kryer përmes bankave.

Përmes një kërkese për informacion drejtuar Komunitetit Musliman Shqiptar, “Faktoje” mori në dispozicion dokumenta bankare që tregojnë paratë e hyra dhe destinacionin ku janë dërguar nga KMSH.

Këto të dhëna tregojnë se në mandatin përfundimtar bankar, të cilin “Faktoje” e disponon, llogariten 13,788,637 lekë ose 120,973 euro. Këto para, më pas janë dërguar në tre destinacione të ndryshme.

Dokumentat bankare që “Faktoje” i ka parë, vërtetojnë se rreth 121 mijë euro të mbledhura si donacione për tërmetin në Turqi, janë dërguar në tre destinacione të ndryshme. Përkatësisht 18.310€ janë dërguar në Myftininë Iskenderun në Turqi në datën 23 mars 2023, përmes myftinisë së Shkodrës.

Shuma prej 53.356€ është dërguar në llogarinë e Shtabit të Emergjencave Civile turke (AFAD) në 26 Prill 2023.  Pjesa tjetër prej 50.200€ të tjera janë dërguar në Siri përmes ambasadës siriane në Pragë në datën 27 Prill 2023.

Dy transferta jane kryer nga llogaria bankare e Komunitetit Musliman Shqiptar dhe një prej tyre nga llogaria bankare e Myftinisë në Shkodër. Faktoje pyeti median turke TRT se ku i ka bazuar akuzat dhe jemi në pritje të një përgjigjeje.

Nisur nga mungesa e të dhënave apo dokumentave që mbështesin akuzën e ngritur nga TRT në turqisht dhe nga Mexhlis.com në shqip, dhe duke parë edhe të dhënat bankare të llogarive të KMSH si dhe transfertave bankare që vërtetojnë se paratë e mbledhura janë dërguar në destinacionet e premtuara, rezulton se lajmi i është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img