BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookFabrika Pfizer e dëmtuar nga tornado nuk mbante vaksina kundër Covid-19

Fabrika Pfizer e dëmtuar nga tornado nuk mbante vaksina kundër Covid-19

Pretendime shpesh herë mjaft të çuditshme zënë vend në rrjet duke u shpërndarë pa u verifikuar më parë për vërtetësinë e tyre. Kështu një video e një fabrike Pfizer në Karolinën e Veriut që u dëmtua nga një tornado është interpretuar si dëmtim i bërë enkas, pasi pretendohet se preku vetëm pjesën ku magazinoheshin vaksinat Covid. Një verifikim i Faktoje tregon se magazina në të vërtetë nuk mbante vaksina kundër Covid-19 dhe se, sigurisht, tornado ka shkaktuar edhe dëme të tjera në shumë shtëpi dhe biznese.

Jona Plumbi

Të mërkurën e 19 Korrikut një tornado shkaterroi një pjesë të fabrikës së Pfizer pranë Rocky Mount në Karolinën e veriut, duke rrezikuar ndërprerjen e shpërndarjes së medikamenteve në spitalet amerikane. Kompania deklaron se  në këtë godinë prodhohet gati 25% e ilaçeve injektuese sterile të Pfizer të përdorura në spitalet amerikane.

Lajmi shpejt mori trajtë keqinformuese në rrjet ku pretendohet se tornado kishte goditur një vend ku ruheshin specifikisht doza të vaksinës Pfizer kundër Covid-19. “Nëse shikoni videot, dëmi duket se ka të bëjë vetëm me fabrikën Pfizer dhe pak më shumë. Makinat, për shembull, duket se janë të parkuara mirë dhe mrekullisht të paprekura. Është një tornado no-vax” – shkruhet në publikimin në Facebook.

Postime të ngjashme janë shpërndarë edhe në Instagram dhe Twitter.

Një kërkim në rrjet tregon se fabrika e Pfizer në Rocky Mount të Karolinës së Veriut “është një nga objektet më të mëdha të injektimit steril në botë”. Por zëdhënësja e Pfizer, Pam Eisele tha për Associated Press se kjo fabrikë nuk përdorej për të prodhuar apo ruajtur doza të vaksinës kundër Covid-19 apo për Paxlovid, ilaçin e kësaj kompanie që përdoret për trajtimin e të sëmurëve me Covid-19.

Në këtë fabrikë prodhoheshin ilaçe për injeksione, si ato të përdorura në infuzione apo që lëshohen nën lëkurë ose në muskujt e pacientit. Shembuj janë ilaçe anestezie dhe anti-infektive të përdorur zakonisht për infeksione mykotike.

Fabrika furnizonte spitalet amerikane me më shumë se një të katërtën e ilaçeve sterile të injektueshme të përdorura. CNN citon shqetësimin e ekspertëve të zinxhirit të furnizimit të cilët i tremben një përkeqësimi të nivelit tashmë të lartë të mungesës së barnave në vend, me më shumë se 300 ilaçe në mungesë që nga fundi i qershorit, sipas një baze të dhënash nga Shërbimi i Informacionit të Barnave të Universitetit të Utah.

Njëkohësisht, pretendimi se tornado ka prekur “vetëm fabrikën e Pfizer” në Karolinën e Veriut është plotësisht i pavërtetë dhe kjo vërtetohet lehtësisht përmes videove dhe imazheve të publikuara nga mediat në SHBA.

Tornado i të mërkurës në Karolinën e Veriut u klasifikua si “i rëndë” nga Shërbimi Kombëtar i motit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, gjë që tregon se shpejtësia e erës ka qenë nga 219 km në orë deri në 265 km në orë.

Nisur nga të dhënat publike në rrjet dalim në përfundimin se pretendimi për shembje vetëm të fabrikës së Pfizer ku ruheshin vaksinat Covid-19 është i pavërtetë.

*Lajmi publikohet në kuadër të bashkëpunimit mes Faktoje dhe Facebook për të luftuar dizinformimin

Jona Plumbi
Jona Plumbi
Gazetare me eksperiencë 10-vjeçare në median vizive dhe atë të shkruar. Diplomuar për shkenca politike në nivelin bachelor, ajo kreu studimet e masterit shkencor për Politikat Rajonale të Europës Juglindore në Universitetin e Tiranës, ku ishte pjesë edhe e rrjetit të studentëve ekseletë të UT (NES). Gjatë karrierës së saj Jona ka punuar në fusha të ndryshme të komunikimit publik, si reportere terreni për çështje të aktualitetit politik në televizionin informativ “ABC News”, redaktore e lajmeve në “Euronews Albania” apo si eksperte e komunikimit për zyrtarë të lartë si Presidenti i Dhomës Amerikane të Tregtisë

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img