BallinaFaktometerE vërtetëErisa Xhixho: Gratë më të prekura nga kriza ekonomike

Erisa Xhixho: Gratë më të prekura nga kriza ekonomike

EDIT NIKOLLI

Ish-deputetja e LSI-së, Erisa Xhixho, në një postim në rrjetin social “Facebook”, argumentoi se gratë janë prekur më së shumti nga kriza ekonomike dhe keqqeverisja. Ajo argumentoi se në 4 vitet e fundit është ulur numri i grave të vetëpunësuara si dhe numri i biznesve të drejtuara prej tyre. Faktoje, referuar të dhënave zyrtare verifikoi këtë deklaratë.


Ish-deputetja Erisa Xhixho, aktualisht njëra prej zv.kryetareve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, në një postim në rrjetin social “Facebook”, akuzoi qeverinë se falë politikave të gabuara, gratë janë më të prekurat nga kriza ekonomike.

Në 2019 përqindja e grave të vetpunësuara arrin në 19,6 për qind, shifer kjo më e ulta që nga 2016 ku regjistrohej 21,6 për qind. Gjithashtu dhe bizneset e drejtuara nga gratë kanë pësuar rënie. Në 2020 sipas INSTAT bizneset e drejtuara nga gratë kanë qënë 25,4 për qind e krahasuar me 2017 që ka qënë 29,7 për qind ka nje ulje me 4,3 për qind – shkroi Xhixho.

Referuar të dhënave të Institutit të Statistikave, INSTAT, numri i grave që vetëpunësohen përmes hapjes së një biznesi ka pësuar një rënie progresive nga viti në vit.

Sipas të dhënave të anketës së zhvilluar nga INSTAT “Burrat dhe Gratë në Shqipëri 2020”, vihet re se përqindja e grave të vetëpunësuara në vitin 2019, arrin në 19.6 për qind, shifër kjo më e ulta që nga viti 2016 ku regjistrohej në 21.6 për qind.

Sipas të njëjtit raport, numri i grave që drejtojnë një biznes përgjatë vitit 2019 rezulton 25,4, ndërsa në vitin 2017 ka qenë 29,7 %.

Gratë menaxhojnë 25,4 % të ndërmarrjeve aktive gjithsej, krahasuar me 25,7 % gjatë vitit 2018. Qarku i Tiranës ka edhe përqendrimin më të madh të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë, me 32,4 %. Ndërmarrjet e drejtuara nga gratë janë kryesisht ndërmarrje me 1- 4 të punësuar, të cilat zënë 90,5 % të numrit të përgjithshëm të ndërmarrjeve të drejtuara nga gratë – thuhet në raportin e INSTAT.

Gratë shqiptare më të varfërat në Europë!

Sipas INSTAT gratë shqiptare kanë një hendek të madh në burime financiare në raport me gratë e Europës.

Gratë, të ardhurat, burimi: INSTAT

Në krahasim me shtetet anëtare të BE-së dhe me tre vendet kandidate të Ballkanit Perëndimor, rezultatet tregojnë se vlerat më të ulëta shënohen nga 5 vende ballkanike: dy shtete anëtare të BE-së (Rumania dhe Bullgaria) dhe tre vende kandidate (Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria). Sipas grafikut, Shqipëria tregon rezultatet më të ulta në krahasim me të gjitha vendet e marra në analizë.

“Faktoje” pyeti sociologen Entela Binjaku sesi e vlerëson ajo nivelin e përkrahjes së grave për nismat individuale.

Klima e përgjithshme në të cilën zhvillohen nismat në vendin tonë nuk është dhe aq mbështetëse ndaj sipërmarrjeve të reja, ndaj grave që kanë një situatë të veçantë familjare, ndaj grave më aftësi të kufizuara, ndaj grave të zonave rurale etj. Psikologjia shoqërore jona është e tillë që përfytyron çdo herë pas një gruaje që aspiron drejt një nisme individuale, mbështetjen e një burri. Kjo lidhet edhe me shumë përvoja që lidhen edhe me skepticizimin ndaj aftësive të gruas, se më mirë negociohet me një burrë sesa me një grua – thotë sociologia Binjaku.

Gjithashtu “Faktoje” pyeti sesi e vlerëson ajo ndikimin e krizave që solli pandemia në këtë aspekt.

Pandemia ka ndikuar mjaft. Shumë gra sipërmarrëse kanë përjetuar mbylljen e vendeve të punës, të tjera të punësuara në pozita drejtuese kompanish kanë përjetuar shkurtime të ekipeve, të tjera të punënsuara në sektorin e turizmit kanë përjetuar një ndalje thuajse të plotë të aktivitetit që është reflektuar në papunësi, ulje të të ardhurave, vështirësi në shlyerje detyrimesh, ankth dhe pasiguri për vete dhe familjet – thekson Entela Binjaku.

Deklaratën e ish-deputetes së LSI, Erisa Xhixho, pas verifikimit me të dhënat zyrtare do e kategorizojmë si “Të vërtetë”.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img