.

.

BallinaFakte dhe MjedisiEmergjencë mjedisore dhe financiare, inceneratori jo funksional i Fierit “gllabëron” çdo vit 7,5 mln euro

Emergjencë mjedisore dhe financiare, inceneratori jo funksional i Fierit “gllabëron” çdo vit 7,5 mln euro

MARJO BRAKA

Që prej 2016-s qeveria i ka paguar rregullisht koncesionarit milliona euro për realizimin e inceneratorit të Fierit. Kjo vepër parashikohej të zgjidhte problemin e trajtimit të mbetjeve të qytetit që prodhon mbi 60 mijë ton mbetje. Por ajo që ka “prodhuar” deri sot koncesioni për ndërtimin e inceneratorit, janë degradimi i mjedisit dhe dëmi ekonomik që vazhdon të thellohet. Sot Fieri, në vend të incerenatorit, ka një fushë grumbullimi dhe djegieje mbetjesh duke u shndërruar në një “bombë mjedisore”.


Katër kilometra nga qendra e qytetit të Fierit, në vendin e quajtur “Mbrostar”, gjendet fusha e mbetjeve. Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë,  60,311.72 ton mbetje depozitohen aty çdo vit. Vetëm zona urbane e Fierit, për vitin 2017 ka depozituar një sasi prej 49,731 ton mbetjesh. Hapësira prej 5 hektarësh, është i vetmi vend depozitimi për mbetjet e nëntë njësive administrative të bashkisë Fier. Ajo shfrytëzohet si vendgrumbullim plehrash që prej vitit 1970, kohë kur Fieri numëronte 30 mijë banorë, ndërsa sot qyteti numëron thujse 200 mijë banorë.

“Vendndodhja e papërshtatshme, shumë pranë shtratit të Lumit Gjanica, kolektorit Roskovec-Hoxha, vendbanimeve dhe linjës hekurudhore bën që ky venddepozitim të shfaqë njëkohësisht risk për mjedisin dhe komunitetin e zonës”,- i tha “FAKTOJE-së” Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Fusha e mbetjeve, Mbrostar, Fier / Foto: Marjo Brakaj, 05/05/2020

Bashkia Fier, përmes raportit “Vlerësimi Strategjik Mjedisor” që mban datën 29.12.2016 raportoi urgjencën për mbylljen dhe rehabilitimin e pikës së grumbullimit të mbetjeve në lagjen Sheq.

Vlerësimi Strategjik Mjedisor, datë 29.12.2016, Bashkia Fier

Faktoje pyeti edhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë lidhur me fushën e mbetjeve në Fier dhe plan-zhvillimin për këtë zone.

Përgjigjja e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë

Më 16 dhjetor 2017, me Vendim të KKT Nr.15, datë 16.10.2017 “Për miratimin e lejes për objektin: “Ndërtimi dhe administrimi i impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë”, me vendndodhje në Bashkinë Fier” u miratua Impianti i ri rajonal i trajtimit të mbetjeve urbane për Qarkun e Fierit.

Subjekti fitues i kontratës koncensionare është shoqëria “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k. njëherësh edhe subjekti zhvillues i këtij projekti.

Nga të dhënat e Qendrës Kombëtare të Biznesit, Integrated Technology Waste Treatment Fier është themeluar më 03.10.2016 me formën ligjore “Shoqëri me përgjegjësi të kufizuar, SPV (Subjekt për Qëllime të Veçanta)”.

“Ndërtimi, administrimi, operimi dhe transferimi e impiantit të trajtimit të mbetjeve urbane të Qarkut Fier dhe prodhimin e energjisë tek Autoriteti Kontraktues, ku përfshihet financimi, ndërtimi, vënia në punë, prodhimi, furnizimi, transmetimi, shpërndarja, shitja dhe eksportimi i energjisë elektrike, në zbatim të kësaj kontrate konçesioni si dhe çdo veprimtari tjetër tregtare e cila ka lidhje dhe ushtrohet në ndihmë të objektit të kontratës konçesionare apo projektit në tërësi. Përveç veprimtarisë tregtare që ushtrohet në kuadër të kësaj kontrate, shoqërisë nuk i lejohet të kryejë asnjë lloj tjetër veprimtarie tregtare, përveç rasteve kur kjo shoqëri merr miratimin e shkruar nga Autoriteti Kontraktues. Zhvillimin e veprimtarisë minerare me punime sipërfaqësore dhe nëntokësore. Transport e punë me lëndë plasëse”- thuhet në objektin e veprimtarisë së subjektit.

Integrated Technology Waste Treatment Fier rezulton të ketë përfituar më shumë se 2,3 miliardë lekë si transaksione prej 03.11.2016 deri më 11.12.2019, nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Në përshkrimin e faturës, në tabelën pasuese sqarohet se 37 transaksionet janë këstet për inceneratorin e Fierit.

Transaksione thesari nga MIE për Integrated Technology Waste Treatment Fier

Transaksione thesari nga MIE për Integrated Technology Waste Treatment Fier

Kanë kaluar 4 vite nga lidhja e kontratës me koncesionarin Integrated Technology Waste Treatment Fier, por incerenatori ende s’është në funksion.

“Faktoje”, më 5 maj ishte në Fshatin Verri, në vendin e përcaktuar për ndërtimin e incerenatorit që do trajtojë mbetjetet e qytetit, por gjithçka ishte në process ndërtimi.

Integrated Technology Waste Treatment Fier / Foto: Marjo Brakaj, 05.05.2020

Hyrja në hapësirën ku po ndërtohet “Integrated Technology Waste Treatment Fier”, sipas përfaqësuesve të kompanisë, ishte “kategorikisht e palejuar”.

Nuk lejohet të fotografosh. Duhet të marrësh leje nga Tirana. Kështu janë urdhërat”, u përgjigj menaxhuesi i punimeve të incerenatorit, pa preferuar të identifikohej.

Është thuajse gati. Për pak muaj do vihet në funksion. Këtu do grumbullohen plehrat e gjithë qytetit”, shtoi ai.

“Faktoje”, më herët kishte provuar të kontaktonte edhe përfaqësuesit e Integrated Technology Waste Treatment Fier, por nuk mundi të marrë një përgjigje.

Kryetari i Bashkisë Fier, Armando Subashi përmes një postimi-video në rrjetin social “Facebook” më 26 qershor 2019, prezantoi projektin se si do transformohej fusha e mbetjeve,  me diçiturën “Ja si do bëhet fusha e mbetjeve, e cila prej tre dekadash vazhdon të mbetet problemi më i madh i qytetit

Postim në Facebook i kryetarit të Bashkisë Fier, Armando Subashi

Por ndryshe nga ky zotim, në momentin që FAKTOJE kërkoi informacion zyrtar se çfarë parashikohej të ndodhte me fushën e mbetjeve, Bashkia Fier ia “kaloi topin”, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë.

Përgjigjja nga Bashkia Fier

Fusha e mbetjeve, emergjenca mjedisore në mungesë të incerenatorit!

Edhe pse fusha e mbetjeve në Fier konsiderohet si “Emergjencë mjedisore”, incerenatori ende nuk është ndërtuar, kurse paratë i paguhen rregullisht koncesionarit.

“Faktoje” pyeti Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë se në çfarë faze është ndërtimi i incerenatorit. Na u komunikua se deri tani ka përfunduar 95 për qind e punimeve.

Përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

“Faktoje” pyeti edhe pse po vazhdohet të paguhet nga Buxheti i Shtetit, incerenatori që ende nuk është funksional. Kësaj pyetjeje MIE iu përgjigj me kushtet e oarashikuara në kontratën e lidhur me koncesionarin.

Përgjigje nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë

Incenatori jofunksional vijon të paguhet nga Buxheti i Shtetit prej vitit 2016 në vlerën e 752,772,000 lekë në vit!

“Faktoje” pyeti Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, lidhur me pagesat ndak koncesionarit.

Përgjigje nga Ministria e infrastrukturës dhe Energjisë

Siç edhe sqaroi eksperti i Ekonomisë, Fatos Çoçoli, në bazë të ligjit nr. 125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik Privat, koncesionari mund të padisë shtetin në rast të shkëputjes së njëanshme të kontratës.

Nëse ndërpritet pagesa për një konçesion ose PPP të vetme, menjeherë konçesionari padit shtetin tonë. Kur qeveria në vitin 2014 provoi të ndërpriste pagesat dhe konçesionin e skanimit doganor, kompania konçesionare kërkoi 359 milionë euro në arbitrazhin ndërkombëtar dhe mosmarrëveshja u mbyll me uljen përgjysmë të çmimit të skanimit”, sqaroi Çoçoli.

Në një kohë ku vendi përballet me goditjen e rëndë ekonomike për shkak të pandemisë, kostoja mjedisore dhe shpenzimet luksoze për vepra fantazmë po kthehen në skema rënduese në kurriz të shqiptarëve.


Ky artikull botohet në kuadër të projektit “Faktet dhe Mjedisi” zbatuar nga Organizata “Faktoje” dhe Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, në kuadër të projektit “Drejt Përmirësimit të Marrëdhënieve të Punës dhe Profesionalizmit në Median Shqiptare” mbështetur nga Bashkimi Europian, zbatuar nga Instituti Shqiptar i Medias dhe Federata Ndërkombëtare e Gazetarëve (IFJ). Përgjegjësia e vetme për përmbajtjen e këtij artikulli është e autorit dhe në asnjë rrethanë nuk mund të konsiderohet se pasqyron pozicionin e Bashkimit Europian.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img