BARDHA NERGJONI
Bashkia Elbasan konfirmon shtimin e 559 familjeve në skemën e ndihmës ekonomike gjatë tre muajve të parë të pandemisë. Sipas burimeve të Drejtorisë së Shërbimeve Sociale, rritja e numrit të familjeve në listat e mbështetjes sociale nga shteti ka të bëjë kryesisht me ndërprerjen e punës apo aktiviteteve të tjera.
Familjet e komuniteteve të varfëra dhe të rinjtë konsiderohen si më të prekurit nga pasojat e pandemisë, siç konfirmojnë shifrat zyrtare.
Rritje e papunësisë u vu re sidomos tek grupmosha 16-29 vjeç. Në krahasim me tremujorin e parë të 2019-s, sivjet rezultojnë 700 të regjistruar më shumë.
Zyra e punësimit në Elbasan e kontaktuar për përditësimin e të dhënave, fillimisht deklaroi se ky informacion nuk mund të përcillej publikisht, por më pas na sugjeroi të dërgojmë kërkesë zyrtare për informacion.
Në përgjigje të kërkesës zyrtare për informacion Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive, dega Elbasan konfirmoi se deri në gusht 2020 numri i të papunëve është rritur me 1521 persona nga viti 2019.
Nga shifrat e siguruara rezulton se në vitin 2019 ka pasur një rënie me rreth 200 persona krahasuar me vitin 2018. Numri më i madh që janë regjistruar si punëkërkues të papunë deri në 29 vjeç janë gra. Deri në gusht 2020 bashkia Elbasan numëronte 7249 persona të regjistruar të kësaj kategorie.
Sipas një vëzhgimi të specialistëve të zyrës së shërbimeve sociale, personat e përfshirë në skemat përfituese të qeverisë dhe të institucionit vendor, vijnë kryesisht nga familjet rome dhe egjiptiane si dhe familje të varfëra të vendosura kryesisht në zonat periferike të qytetit të Elbasanit.
Çaknor Mustafaj udhëtonte rregullisht drejt Greqisë ku furnizohej me rroba të përdorura dhe i shiste në tregun e qytetit të Elbasanit. Me mbylljen e kufijve dhe kufizimet e tjera për shkak të pandemisë, situata ekonomike e familjes së tij u vështirësua shumë. Ai jeton me qira bashkë me gruan dhe dy fëmijët.
“Janë pak para. Nuk mund të jetojmë me kaq lekë, por të paktën shtyjmë derisa gjendja të përmirësohet dhe ne t’i kthehemi punës” -thotë Mustafaj.
Ai përfitoi një pagesë prej 9600 lekësh në formën e ndihmës ekonomike nga bashkia për dy muajt, maj e qershor dhe 4800 lekë në muajin korrik si i përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike.
Edhe aktivisti i shoqërisë civile Raxhi Rakipi konfirmon se janë identifikuar shumë raste të familjeve rome që merreshin me tregti të rrobave të përdorura dhe për shkak të COVID-19 humbën mundësinë për ta vazhduar tregtinë. Ky kontigjent ka kërkuar të përfshihet në skemën e ndihmës nga shteti për shkak të humbjes së të ardhurave.
20 vjeçarja D. Maloku, nënë e dy fëmijëve nga komuniteti egjiptian, punonte në një firmë fasonerie deri në prill të vitit 2020. Muajin e dytë pas shfaqjes së pandemisë, kompania ku punonte kufizoi aktivitetin dhe ajo mbeti pa punë. Ndërkohë që aplikoi për të marrë asistencën sociale, kuptoi se sigurimet e saj nuk e mbulonin, pasi kishte punuar vetëm disa muaj dhe zgjidhja e vetme ishte skema e ndihmës ekonomike.
“Jam në kërkim të një pune, por është shumë e vështirë. Elbasani nuk ka punë për gratë. Të vetmet që mund të punësonin ishin rrobaqepësitë. Kam dy fëmijë për të ushqyer dhe burrin e kam të papunë. Presim ndihmë nga shteti pasi jetesa jonë është shumë e vështirë”.
Asim dhe Hajrie Hasani jetojnë në periferi të qytetit të Elbasanit prej 30 vitesh. Në lagjen 5 Maji, çifti hapi një dyqan materialesh ndërtimi dhe me paratë e fituara paguanin shkollën e fëmijëve dhe ushqimet.
“Të ardhurat ranë shumë dhe u detyruam që në maj të bënim letrat dhe ta mbyllnim. Nuk paguanim dot taksat dhe detyrimet dhe na u desh ta pezullonim deri në një situatë më të mirë, por nuk shohim se do të ketë përmirësim, gjendja po bëhet akoma më e vështirë. Askush nuk investon para për materiale ndërtimi në këtë kohë që po jetojmë”.
Adriatiku punonte si kamarier në një restorant në qytetin e Elbasanit. Për shkak të pakësimit të klientëve, pronarit iu desh të shkurtonte personelin në prill. Pasi mori një shumë prej 25 mijë lekësh, si pagë lufte, Adriatiku ka tre muaj që nuk gjen asnjë punë edhe pse ka kryer arsimin e lartë në degën Ekonomi.
Organizatat vendore që kanë në fokus shtresat në nevojë konfirmojnë se ndihma e dyfishuar u mor jo më shumë se dy muaj nga një pjesë e konsiderueshme e familjeve të kësaj kategorie, për shkak të mbarimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore dhe zbatimit me vonesë nga bashkitë të vendimit të qeverisë. Kjo konfirmohet nga drejtuesi i Lëvizjes Rinore Egjiptjane Rome Ervis Çota.
Sipas drejtorit të Drejtorisë së Kujdesit Social në bashkinë Elbasan, Shefki Lika, nga muaji prill deri në qershor 2020, numri i familjeve në skemë shkoi 5982.
“Gjatë 3 muajve të gjendjes së pandemisë COVID-19, numri i përfituesve në skemën e ndihmës ekonomike u shtua me 559 familje ose mesatarisht 153 familje më shumë në muaj, duke filluar nga prilli krahasuar me muajin mars të këtij viti. Pra nga 5423 familje që ne kishim në mars, numri shkoi 5982 familje në qershor.”- tha ai për “Faktoje”.
Kjo rritje, sipas Likës lidhet kryesisht me ndërprerjen e punës apo aktiviteteve të tjera gjatë periudhës së zgjatur të pandemisë. Bashkia Elbasan raporton se gjatë pandemisë ka trajtuar mbi 170 familje të penalizuara më herët nga formula e pikëzimit.
“171 familje jo përfituese për shkak të formulës së pikëzimit gusht 2019-prill 2020 janë trajtuar me pagën e luftës prej 16 mijë lekësh”. Bashkia konfirmon gjithashtu se familjeve në skemën e ndihmës ekonomike u janë dhënë edhe pako ushqimore. Gjatë tre muajve të parë të pandemisë janë trajtuar me nga një pako me ushqime 4300 familje, që janë përfshirë në skemën e ndihmës ekonomike, sipas këtij instituvcioni.
“Në bashkëpunim me fondacione dhe OJF janë furnizuar me paketa shtesë në ushqime për familje të kësaj skeme. Vetëm komuniteti rom ka përfituar dy paketa ndihme ushqimore dhe një paketë higjenizuesish në periudhën e pandemisë. Paketa higjenizuese është shpërndarë edhe për rreth 5 mijë familje në skemën e ndihmës.”-pohon bashkia Elbasan.
I pyetur nëse këto familje janë ende pjesë e skemës së mbështetjes ekonomike, Shefki Lika deklaroi se rreth 40% e familjeve nuk janë më në skemë.
“Largimi i rreth 40% (240 familje) nga skema ka ardhur për faktin se një pjesë e mirë e tyre kanë lëvizur drejt vendeve fqinjë si emigrantë sezonalë, një pjesë nuk kanë plotësuar tërësisht kushtet e sistemit, duke bërë që të përjashtohen nga përfitimi në vazhdim i ndihmës ekonomike. Ndërkohë familjet e mbetura kanë marrë dy herë ndihmë të dyfishuar duke vazhduar tashmë me nivelin normal të ndihmës ekonomike.”- tha ai për Faktoje.
Qendrat ditore që ofrojnë ushqim falas, patën një rritje të numrit të personave që kërkojnë të ushqehen apo trajtohen, pas shfaqjes së pandemisë. Njëra prej tyre konfirmoi për “Faktoje” se në bashkëpunim me bashkinë, me mbylljen e qendrave ditore, modifikoi shërbimet duke ua shpërndarë ushqimin në shtëpi personave në nevojë.
Arsim Berisha, pedagog pranë fakultetit Ekonomik në Elbasan, deklaron se pezullimi i aktiviteteve të biznesit gjatë izolimit dhe falimentimi i një pjese të tyre në vijim, jo vetëm varfëroi familjet shqiptare, por gjithashtu shtoi shpenzimet shtetërore në skemën e sigurimeve shoqërore.
“Efektet në sistemin e sigurimeve konsiderohen “domino” pasi ka një ulje të subjekteve që paguajnë kontribute, pra më pak të ardhura për fondin, ndërkohë që do të duhet të mbështetet ajo kategori që mbetet e papunë. Shteti duhet të ndërhyjë për të mbuluar deficitin e krijuar, shumë e cila nuk është bërë publike, megjithëse mendohet se është tej mase e konsiderueshme.
Mbyllja e bizneseve dhe shtimi i personave në skemat mbështetëse, sigurisht që shton varfërinë. Sipas të dhënave komuniteti rom dhe egjiptian, duket më i prekur nga pasojat e kësaj krize duke rritur ndjeshëm numrin e punëkërkuesve.”-thotë Berisha për “Faktoje”.
Ai sugjeron më tej:
“Ndihma ndaj këtyre kategorive duhet të përkthehet në një shumë të hollash në bazë të disa kritereve të vendosura nga institucionet përgjegjëse, qoftë edhe një paketë konkrete ku të jenë të përfshira nevojat ushqimore në përballimin e jetesës deri në një situatë të normalizuar.
Bonusi që dëgjojmë shpesh në vendet fqinje duhet të bëhet fakt që familjet të kenë mundësi të shpenzojnë duke ndihmuar kështu biznesin t’i rikthehet fitimit dhe të vetëgjenerohen të ardhura në zinxhirin e konsumit në shërbim të kalimit të krizës ekonomike.”
Vetëm ditët e fundit qeveria shpalli programin që parashikon skema punësimi për kategoritë e rrezikuara.
Megjithatë ende duhet pritur për efektet që do të japë kjo skemë në shpëtimin e tyre nga varfëria.