.

.

BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëElbasan/Investimet e pakta në infrastrukturën e lagjeve, Bashkia shpresë tek PPP-të

Elbasan/Investimet e pakta në infrastrukturën e lagjeve, Bashkia shpresë tek PPP-të

Kryetari i bashkisë së Elbasanit Gledian Llatja përgjatë zgjedhjes elektorale të 2019 premtoi se kishte një vizion ambicioz për qytetin dhe se do të punohej për zgjidhjen e infrastrukturës rrugore problematike. Faktoje pas dy vitesh ishte në bashkinë Elbasan nga ku konstatoi se në disa nga lagjet problematike, janë bërë investime, por në disa lagje banorët vijojnë dërgojnë peticione duke kërkuar ndërhyrjen urgjente në rrugë.


“Absolutisht ne kemi një vizion shumë ambicioz për qytetin. Ne i kemi filluar projektet tona, jemi duke punuar përditë, për zgjidhjen e infrastrukturës problematike” – deklaroi kryetari i Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja më 15 qershor 2019, në një intervistë për ERTV.

Lidhur me premtimin e bërë, Faktoje dërgoi një kërkesë për informacion bashkisë së Elbasanit, ku kërkoi informacion se çfarë investimesh janë bërë në fushën e infrastrukturës.

Kërkesa dërguar Bashkisë Elbasan me datë 12 Gusht 2021.

Sipas përgjigjes së bashkisë Elbasan në vitin 2019 janë rikonstruktuar 6 rrugë, në 2020 janë rikonstruktuar 3 dhe në 2021 janë rikonstrukuar 2 rrugë.

Përgjigjja e Bashkisë Elbasan me datë 13 Shtator

Faktoje verifikoi në terren përgjigjen e bashkisë Elbasan, ku një ndër to ishte dhe rruga Ymer Stringa që rezulton e shtruar.

Foto të rrugës Ymer Stringa

Faktoje shkoi në terren në fund të muajit nëntor 2021, për të parë situatën. Zona që ka përfituar një investim të rëndësishëm këtë vit është blloku i pallateve pranë rrugës “Ali Arapi”, në lagjen 5 Maj.

Blloku i pallateve në lagjen 5 maj

Banorët shprehen shumë të kënaqur me investimin, që kishin mbi 10 vjet që e prisnin. Por pak më tej në lagjen 5 Maj, rruga “Arif Dardha” investimet në rrugë, kanalizime, ujë të pijshëm mungojnë totalisht. Banorët të detyruar nga situata kanë nënshkruar një peticion ku kërkojnë ndërhyrjen sa më të shpejtë dhe parashikimin e investimeve me buxhetin 2022.

Foto nga lagjia 5 Maj

“Kemi vendosur të protestojmë pasi këtu mungon rruga, kanalizimi, ndriçimi dhe një kopësht për fëmijët. E filluam pa letra, por pastaj e bëmë kështu me firma për t’ia dërguar bashkisë që të na dëgjojë, nëse jo do ta përshkallëzojmë”, – shprehet Skënder Çarku, banor në këtë rrugë.

Ndërkohë një tjetër banor, Ramadan Bardhi na thotë se kjo lagje nuk ka as ujë të pijshëm.

“Më kërkojnë lekët nga ujësjellësi ndërkohë që nuk kemi ujë, nuk kemi kanalizime. Kam 25 vite këtu dhe nuk ka ndryshuar asgjë nga koha që kam ardhur”.

Banorët thonë se disa herë e kanë kërkuar rrugën dhe ndërhyrje të tjera të domosdoshme, por deri tani nuk është bërë asgjë konkrete.

Një tjetër lagje, ajo “Skënderbej” mbetet problematike sa i përket infrastrukturës.

Foto nga Lagjia Skëndërbej

Adem Berisha, banor i vjetër i lagjes “Skënderbej” thotë se rrugët e kësaj lagjeje janë lënë në mëshirë të fatit dhe lagja nuk ka parë investime prej shumë vjetësh.

“Unë kam kaq vite që jetoj këtu dhe në këtë gjendje rrugën nuk e kam parë asnjëherë. Më vjen keq që fëmijët duhet të kalojnë nëpër baltra kur shkojnë në shkollë. Jemi në 2021 dhe flasim për rrugë. E kemi kërkuar disa here, por nuk na ka dëgjuar njeri. Në këtë lagje ka pasur një ndërhyrje në sheshin qendror, por janë zona të tëra që vuajnë mungesën e infrastrukturës bazike”, thotë Adem Berisha.

Edhe banorët e pjesës së quajtur “Mëhalla e Madhe” në këtë lagje kanë vite që kërkojnë ndërhyrje në rrugë. Rreth 500 familje në këtë zonë nuk kanë parë investime në kanalizime, rrugë, ujësjellës dhe ndriçim. Veri Meçe, banor i zonës dhe një ndër nismëtarët e peticionit thotë se, situata është shumë e vështirë dhe banorët kanë bërë shumë përpjekje për të tërhequr vëmëndjen e bashkisë ndaj problemeve të tyre.

“Kemi nënshkruar peticion, e kemi dërguar pranë bashkisë, por deri tani nuk kemi marrë një përgjigje se kur do fillojnë investimet në lagjen tonë. Kemi vite që e kërkojmë”- shprehet Meçe.

Peticioni i qytetarëve dërguar bashkisë

Në të njëjtën situatë problemtike ndodhen edhe zona të tjera sidomos në periferi të qytetit, si në lagjen “Vullnetari”, “28 Nëntori” dhe “Çlirimi”.

Kryetari i bashkisë Elbasan, Gledian Llatja gjatë mbledhjes së Këshillit Bashkiak në tetor të vitit 2021 u shpreh se janë parashikuar disa ndërhyrje në këto lagje, që do të bëhen me partneritet Publik-Privat. Zgjedhjet parlametare dhe riformatimi i qeverisë shtyu procedurat e fillimit të këtyre investimeve, që pritet të bëhen efektive gjatë vitit 2022.

Edhe më parë Faktoje ka bërë një artikull   për investimet në fushën e infrastukturës. Pavarësisht investimeve në 11 rrugë bërë gjatë 2 viteve nga ana e bashkisë, disa lagje të Elbasanin vijojnë të kenë problematika me infrastuktrën e rrugëve. Në bazë të të dhënave të grumbulluara, si dhe nga vëzhgimi në terren, premtimin e kreut të bashkisë Elbasan për zgjidhjen e infrastrukturës problematikës do e kategorizojë si premtim të GJYSMË I MBAJTUR.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 15 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

 

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img