Eduard Gjokutaj
Një investim në të cilin nuk gjenerohet fitim, ose realiziohet më pak fitim nga sa është programuar konsiderohet si një investim i keq. Por një investim, i cili prodhon edhe efekte negative në taksat dhe tatimet, si dhe kosto buxhetore nga keqmenaxhimi dhe korrupsioni është shumë më tepër se i keq. Kjo është vija e kuqe për të vlerësuar efektivitetin e një vendimi, nëse ka qenë i mirë apo i dëmshëm.
Po çfarë ndodh me vendimet që merren për të kryer investime, veçanërisht kur paratë për investim nuk janë të aksionerëve privatë, por janë paratë e tatimpaguesve?
Qeveritë në Shqipëri, me logjikën tradicionale të vlerësimit të projekteve dhe propozimeve të investimeve, e bazojnë te mendimi për ti rikthyer sektorit ku do të investohet suksesin e dikurshëm, apo në rast se investimi do të jetë një rast suksesi që mund të tregtohet edhe politikisht.
Ne kemi përjetuar për shumë vite tashmë se ka shembuj të panumërt që tregojnë se nuk është kështu.
Në fakt, duhet të ishim në një stad tjetër të lëvizjes së lirë të kapitaleve dhe lirisë ekonomike, mbi të cilat qeveritë kanë ndikuar negativisht.
E vetmja detyrë e qeverive duhet të ishte vetëm krijimi i ambjentit për të bërë biznes me të njëjtat kushte si vendet të cilat renditen në vendet e para për lirinë ekonomike.
Nëse investimet krahasohen vetëm me përfitueshmërinë nga investime në forcimin e kapaciteteve të prodhimit dhe përpunimit të naftës dhe gazit, të kromit dhe bakrit, si dhe industrinë përpunuese për ato lëndë të para që sot shërbejnë për eksport, fondet e gjeneruara do ti shërbenin fuqizimit dhe rritjes së buxhetit. Nga ana tjetër, mund të prodhonin më shumë vlerë të shtuar, nëse një pjesë e investimeve do të kishte kaluar për arsimin dhe teknologjinë, për efektivizimin e aftësimin e kapaciteteve njerëzore, si dhe për rritjen e produktivitetit të sektorëve, si: agroindustria, shërbimet teknologjike, etj.
Por, sa kanë vlejtur vendimet për investime private/ privatizime në Shqipëri?
Investimet e huaja dhe vendase në Shqipëri janë bërë nga individë, por më së shpeshti kanë përfaqësuar kompani që në shumicën e rasteve janë bashkime me kompani apo individë shqiptarë. Këto investime janë të përqendruara në industritë nxjerrëse dhe përpunuese, pasuri të patundshme, sektorin e energjisë, bankat dhe sigurimet, dhe teknologjine e informacionit dhe komunikimit.
Nëse do ti referoheshim një liste të investimeve me kapital të huaj apo edhe me kapital miks (i huaj dhe shqiptar, vërehet se harta e vendeve të origjinës së investitorëve të huaj, sipas sektorëve të ekonomisë ku kanë investuar dhe operojnë është[1]:
- Sektori ElektroEnergjetik (Holanda, Norvegjia, Kina, Austria, Italia, Gjermania, Franca, Turqia)
- Sektori industrive nxjerrëse (Holanda, Turqia, Kina, Greqia, Italia, etj.)
- Sektori shërbimeve financiare (Austria, Turqia, SHBA, Gjermania, Italia, Hungaria, Bullgaria etj.)
- Sektori telekomunikacionit dhe transport (Zvicra, Britania e Madhe, Hungaria, Francë, Kina etj.)
- Sektori teknologjisë informacionit (Gjermani, Itali, SHBA, Kosova, Gjermania etj.)
- Sektori prodhues (Itali, Gjermani, Greqi, Austri, Greqi, Turqi, Korea e Jugut, Kinë etj.)
- Sektori pasurive të paluajtshme (Rusi, Turqi, Kinë, Itali etj.)
Si janë shpërndarë portofolet e investimeve të huaja deri në fund të 6-mujorit të parë 2023?
Nëse shikojmë shpërndarjen sipas sektorëve, që përmbledhin një stok gjithsej prej 12.4 miliard Euro[2], vërehet se sektorët më kryesorë janë sipas tabelës më poshtë:
Nr. | Sektori ekonomik | Vlera e stokut (mld. Euro) | Pesha ndaj totalit të stokut të investimeve (%) |
1 | ElektroEnergjetika | 3.15 | 25% |
2 | Industria nxjerrëse | 2 | 16% |
3 | Shërbimet financiare dhe sigurimit | 1.5 | 12% |
4 | Pasuritë e paluajtshme | 1.33 | 11% |
5 | Telekomunikacioni dhe teknologjia informatike | 1.3 | 10% |
6 | Industria përpunuese | 1.1 | 9% |
GJITHSEJ Stoku i Investimeve të huaja | 10.38 | 83% |
Pjesa tjetër, që përbën 17% të stokut të investimeve të huaja gjithsej është e orientuar në aktivitete teknike e shkencore, në tregtinë me shumicë, në ndërtim, në transport, si dhe shërbime të tjera të lidhura me to.
Nëse analizojmë peshën e secilit shtet sipas rezidencës fiskale të investitorëve kryesorë, sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë deri në 6-mujorin e parë 2023[3], shihet se investitorët me peshën më të madhe janë sipas tabelës më poshtë:
Nr. | Shteti | Sektori | Vlera e stokut (milion Euro) | Pesha ndaj totalit të stokut të investimeve (%) |
1 | Zvicra[4] | Transport | 2.021 | 16% |
2 | Hollanda[5] | Industri nxjerrëse | 2.014 | 16% |
3 | Kanadaja[6] | Industri nxjerrëse | 1.594 | 13% |
4 | Italia[7] | Disa sektorë | 1.353 | 11% |
5 | Turqia[8] | Industri nxjerrëse Prodhim metale | 905 | 7% |
6 | Bullgaria[9] | Shërbime financiare | 785 | 6% |
7 | Austria[10] | Elektroenergjetikë | 772 | 6% |
8 | Franca[11] | Elektroenergjetikë Telekomunikacion | 440 | 4% |
9 | SHBA, Gjermania, Hungaria, Kosova, Qipro, Mbretëria e Bashkuar, Greqia[12] | Gjithë sektorët | 238 – 353 | 16% |
GJITHSEJ (Stoku i investimeve të huaja) | 11.750 | 95% |
Nga harta e shteteve që kanë kryer investime në Shqipëri dhe mbajnë stokun kryesor të kapitaleve të vendit shihet se disa shtete si Italia dhe Turqia kanë një peshë më të shpërndarë në disa sektorë.
Shtetet e tjera janë më pak të shpërndarë në sektorë duke mbajtur si portofol investimi vetëm një sektor kryesor, i konsideruar me normë të kënaqshme të kthimit të parave të investuara.
Ndërkohë, në dekadën e fundit ka një tjetër zgjerim të pjesës së investimeve nga vendet e Lindjes së Mesme, ku pas përvojës së investimeve në turizëm dhe pasuri të paluajtshme nga Kuvajti në vitet ’90, tashmë investitorët nga Emiratet e Bashkuara Arabe janë në rritje.
Investimet deri në fund të 6-mujorit I 2023 nga Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arritur në 40 milionë euro, kryesisht në sektorin e pasurive të paluajtshme. Pritshmëria në tre vitet në vijim nga investimet mikse me kapitale vendase dhe të tjerë investitorë pritet të arrijnë përtej 2 miliardë Eurove për rivitalizimin e portit të Durrësit në një qendër turistike dhe rezidenciale. Gjithsesi, kjo është pritur me skepticizëm nga një pjesë e mediave shqiptare.
Nga ana tjetër, Fondi Abu-Dhabi ka premtuar njëkohësisht financimin e Bulevardit të Ri dhe projekteve të Lumit të Tiranës, të cilat prej kohësh kanë nisur punën (Gazeta Si, 2022). Në përgjithësi, ka pak transparencë për investimet nga vendet arabe në Shqipëri, gjë që rrit skepticizmin dhe kritikat për këto fonde dhe financime.
Në pamje të parë duket se të huajt kontrollojnë pjesë të konsiderueshme të sektorëve strategjikë (treg energjetik, elektroenergji, prodhim nafte dhe gazi). Por nëse shihet nga kontributi në buxhet dhe ekonomi nuk duket se peshën kryesore e mbajnë investitorët e huaj. Ndërkohë, tregu i punës dhe ekonomia kanë një tjetër ndikim nga këto investime, edhe pse kapitalet kryesore nuk janë në sektorët me punësim të lartë.
Një vështrim analitik në brendësi të sektorëve kryesorë të investimeve
Sektori i industrisë nxjerrëse (sektori minerar, sektori naftës dhe gazit) duket se përveç investimeve ende modeste në prodhimin dhe përpunimin e kromit dhe bakrit nga investitorë kryesisht turq dhe shqiptarë, shihet se ende nuk ka ndryshuar pozitivisht mirëqenien e banorëve dhe ekonominë rajonale në zonat ku operohet[13].
Investimet në shfrytëzimin e burimeve minerare janë një vendim i bazuar në objektiva ekonomike të momentit. Nëse do të ishte ndryshe, fondet për zhvillim dhe mirëqenie, do të ishin krijuar me kohë për të shërbyer për përballimin e kostove për statusin e minatorëve. Tashmë, ka vite tashmë që industria minerare orientohet për tregun e Kinës dhe një numër i madh biznesesh kryesisht nga India kanë investuar në sektorin e shfrytëzimit të burimeve minerare, për të kryer këto eksporte drejt Kinës. Por përtej shfrytëzimit të vendburimeve ata nuk janë angazhuar në indutsrinë e përpunimit, e cila aktualisht zotërohet nga investitorë rezidentë shqiptarë.
Ndërkohë, mbështetja politike duket se ka ndikuar që investimet dhe vetë sektori minerar të mos zbatojë standarte dhe ligjet lidhur me standartet e punës dhe rritjen e pagave bazuar te puna e denjë dhe barazia gjnore. Mirëpo, e keqja tjetër që kanë mbartur këto modele investimi është se kthehen në kosto për periudhat e ardhme për të kompensuar pensionet e ulta, por edhe shpopullimin e zonave nga mungesat e arsimit, ofertave të pakta nga tregu i punës dhe shërbime publike të munguara.
Efekti i industrisë minerare në ekonominë shqiptare është me një ndikim që nuk i kalon 2% të PBB-së[14], ndërkohë që kontributi në të ardhurat e buxhetit është deri në 4.5 miliardë lekë në vitin më të mirë. Ky efekt është i njëjtë me industrinë e prodhimit të metaleve, i cili edhe pse i vendosur kryesisht në zonën e Elbasanit ku operon kompania turke KURUM, duket se ka një peshë të ngjashme me gjithë efektin në ekonomi të indutrisë minerare.
E njëjta situatë e ngjashme është me investimet në sektorin e prodhimit të naftës, të cilat nuk po i shërbejnë zbutjes së kostove në kohë krizash si ajo që filloi e fortë prej vitit 2022 dhe ndihet akoma me çmimet e shtrenjta të karburanteve, por edhe me investimet në kompaninë shtetërore të prodhimit të naftës (përfshirë përpunimin e naftës)[15].
Prodhimi mesatar vjetor në dekadën e fundit është deri në 900 mijë tonë në vit duke tejkaluar këtë sasi në vitet më të mirë deri në 1.2 milion tonë. Por nëse nafta ka një sasi prodhimi që i vlen ekonomisë shqiptare me të paktën 2.2% të saj dhe me një kontribut fiskal në buxhetin e shtetit me të paktën 20 miliard lekë në vit[16].
Edhe pse për shumë vite investitorët mbizotërues të shfrytëzimit të vendburimeve prodhuese të naftës dhe gazit ishin rezidentë kanadezë, tashmë pas ndryshimit të pronësisë në zotërim të kompanive rezidente kineze, situata e përfitimit nga buxheti nuk ka ndryshuar, megjithëse prodhimi në vijimësi duhet të rezultonte me një situatë më pozitive në favor të buxhetit të shtetit.
Një tjetër kompani e mirënjohur si SHELL, e cila përbën vlerë të shtuar për kulturën e tregut shqiptar të prodhimit të naftës dhe gazit e zgjeron hartën e investitorëve në më shumë se dy kontinente. Por duket se do të duhet ende kohë që menaxhimi korporativ nga kompani të tilla të fuqishme të bëhet një vlerë e shtuar për gjithë tregun hidrokarbur.
Ndërkohë, investime të tilla të lidhura me gjasa me politikën shqipotare, si investitorët e ndryshëm të tregut të përpunimit të hidrokarbureve, ku të fundit ishin pronarët e kompanisë ARMO sh.a. nga Azerbajxhani, u vërejt se jo vetëm u përfitua pak në drejtim të vlerës së shtuar në ekonoimi dhe konkurueshmëri në treg, por ndodhi e kundërta e përfitimit ekonomik. Gropa financiare në mospagimin e detyrimeve fiskale arriti në mbi gjysëm miliard euro (deri në momentin kur asetet shkuan realisht për skrap). Një investitor me këto dëme ekonomike ka ndikuar jo vetëm direkt me detyrimet e papaguara dhe problemet sociale të krijuara nga mospagimi pagave të punonjësve, por eskpozoi buxhetin, i cili ka paguar pagat e punonëjsve deri në momentin e mbylljes. Investime të tilla toksike u shndërruan në mesin e dekadës së kaluar në konsumuese të fondeve, vatra të korrupsionit shtetëror dhe mbartës të një modeli biznesi toksik për shëndetin e ekonomisë, i cili ndikoi në mbajtjen e çmimeve të larta të naftës dhe benzinës gjatë krizës energjetike të vitit 2022.
Në sektorin e energjisë elektrike duke filluar nga investimi në TEC Vlora[17] dhe vendimet politike në dekadën e fundit për investime në energjinë elektrike nga dielli dhe biomasa dhe mbetjet urbane (djegësat) janë një dështim i madh dhe me efekte të ndjeshme[18], pasi konsiderohen si modelet më korruptive në historinë e investimeve në vend.
Pesha e tyre në buxhetin e shtetit është me të paktën 250 milion euro, pa përfshirë në këtë listë edhe pagesat që po vijojnë për djegësta dhe dy TEC-et lundruese që konsiederohen si vendime investimi të gabuara dhe me kosto buxhetore me një kosto të paktën 3 herë më shtrenjtë se TEC Vlora.
Ndërkohë, sektori publik elektroenergjetik me një histori keqmenaxhimi dhe korrupsioni[19] prej viteve’90 e në vijimësi, përtej investimeve të mëdha dhe me barrë të madhe edhe për koston e qytetarëve është një nga dështimet e prekshme të qeverive shqiptare në këto tre dekada.
Kështu privatizimi i shpërndarjes dhe furnizimit të energjisë nga investitorë rezidentë çekë (CEZ s.a.) rezultoi një tjetër model dështimi, pasi problemi më i madh është mendësia e qeverive, të cilat i kanë përdorur privatizimet e aseteve strategjike, si platforma për të realizuar qëllime perdsonale apo grupi dhe jo si një vlerë të shtuaqr për ekonominë dhe mirëqenien e qytetarëve.
Kostoja e buxhetit për këtë privatizim ishte një bilanc negativ, ku shitja e realizuar ishte 120 milion Euro u rikuperua në masë të plotë nga rimarrja e pronësisë me forcë nga qeveria shqiptare plus kostot e korrupsionit ende në hetim, si dhe kosto të tjera të paguara nga qytetarët llogaritet se kanë krijuar një dëm prej 479 milion Euro, sipas KLSH-së. Megjithatë, edhe pas këtij ekspozsimi të dëmit asnjë përgjegjësi apo kosto e rikuperueshme nuk është ndërmarrë nga qeveria shqiptare.
Ndërkohë, pas fillimit të administrimit të operatorit të shpërndarjes në 2013 nga qeveria shqiptare, shihet se vetëm dekadën e fundit, kompania publike e shpërndarjes së energjisë ka shpenzuar më shumë se 300 milion euro investime dhe ende niveli i humbjeve në rrjet është me të paktën 6% më pak se programi i hartuar në bashkëpunim me Bankën Botërore[20]. Nëse shikojmë vetëm në vitin 2022, në kohën e krizës së çmimeve energjetike nga taksat e buxhetit u transferuan fonde në llogari të OSHEE sh.a. në vlerën e mbi 250 milion Euro, në një kohë kur objektivat sipas Plan biznesit[21] të kësaj shoqërie publike duhej të ishin një histori suksesi.
Në një bilanc të kostos dhe përfitimeve nga ndërmarrjet publike të sektorit të energjisë kuptohet se nëse do të ishin të listuara në bursën e aksioneve, këshilla që do të jepnim do të ishte se investimi në këto kompani janë me rrisk të lartë. Efekti që mund të llogaritet së bashku në mospagim tatimesh apo dëme financiare nga menaxhimi i dobët, si dhe kontrata të hartuara keq dhe me ndikim negativ financiar për buxhetin nga vendimet e proceseve gjyqësore arrin deri në shumën kumulative të 850 milion Euro për gjithë historikun e tyre (llogaritjet nga ALTAX).
Ndryshimet e politikave zhvillimore sipas preferencave të partive qeverisëse, kriza e menaxhimit ekonomik dhe ndikimet në tregun shqiptar kanë ndikuar në tërheqjen e investitorëve jo të fuqishëm, përveç rastit të disa kompanive (jo më shumë se 5) në sektorin elektroenergjetik dhe industrinë nxjerrëse.
Përtej faktit se Shqipëria konstatohet me një potencial të madh ekonomik, një kuadër ligjor të mirë dhe ka bërë përparim në kufizimin e korrupsionit, si dhe së fundmi ka dixhitalizuar shërbimet publike si për qytetarët ashtu edhe për bizneset…” [22], sistematikisht perceptimi për Shqipërinë mbetet si një vend të vështirë për të bërë biznes.
Për të tërhequr investitorë që nuk kthehen në kosto e shtuar për neve taksapaguesit, si në rastin e Bechetti e kontrata të tjera[23] nevojitet që të dëgjohet dhe vlerësohet shumë më tepër zëri i komunitetit të biznesit dhe gjithë ekspertëve vendas, për të mos shpërdoruar edhe më tej besimin e publikut me vendime të gabuara për investime të cilat i paguajmë me taksa dhe borxhe në vend që të ishin pjesë e fondit të mirëqenies për shqiptarët. Por, që të ndryshojë raporti i investimeve të gabuara me investimet e drejta duhet që të përmbushen ato detyra që kanë mbetur stok dhe pasohen si një “borxh i keq” nga një qeveri te tjetra.
Në këtë humbje të madhe të ekonomisë, ku shpërdorimi i pasurive kombëtare ka ndikuar në zhvillimin anemik, ku rezultati është ekonomia që kemi sot me një dinamizëm të dobët dhe strukturë të brishtë, e cënueshme nga investime joproduktive, madje edhe të dëmshme. Nevojitet që qeveritarët aktualë dhe ata që pretendojnë të vijnë në qeverisje të bazojnë vendimet e tyre nisur nga analizat e kosto-përfitim dhe gjithpërfshirjes së ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e investimeve/bizneseve publike me peshë të lartë në buxhet, të kontratave PPP dhe adresimin dhe dënimin e korrupsionit politik.
[1] https://fiaalbania.al/members-list/
[2] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,8,0,18666&uni=20231109110117162158210156463446&ln=1&mode=alone
[3] https://www.bankofalbania.org/?crd=0,8,1,8,0,18666&uni=20231109110145162158210154700539&ln=1&mode=alone
[4] në transportimin e gazit industrial, projekti TAP
[5] në prodhimin e naftës dhe gazit Shell
[6] në sektorin e naftës dhe gazit
[7] në gjithë sektorët kryesorë
[8] në sektorët e industrisë nxjerrëse, banka dhe prodhime lëndë ndërtimi
[9] në banka dhe shërbime të tjera
[10] në investime në elektroenergji
[11] në elektroenergji dhe telekomunikacion
[12] portofol investimesh në gjithë sektorët kryesorë, që së bashku arrijnë në 1.7 miliard Euro
[13] https://altax.al/product/ekonomia-e-rajoneve-shqiptare-larg-perspektives-se-zhvillimit-te-qendrueshem/
[14] https://www.instat.gov.al/media/12614/prodcom_2022.pdf
[15] https://altax.al/?s=rafineri
[16] https://altax.al/nafta-me-buxhetin-nje-maredhenie-qe-koha-po-e-ndryshon/
[17] https://www.reporter.al/2016/06/20/deshtimi-i-kushtueshem-i-termocentralit-te-financuar-nga-banka-boterore-ne-vlore/
[18] https://www.monitor.al/deshtimi-me-diversifikimin-2/
[19] https://www.zeriamerikes.com/a/klsh-cez-gjiknuri/3006232.html
[20] https://www.reporter.al/2019/01/08/projekti-i-rimekembjes-energjetike-me-pulle-te-kuqe/
[21] https://www.publeaks.al/wp-content/uploads/2017/04/781.pdf
[22] https://www.zeriamerikes.com/a/7200302.html
[23] https://euronews.al/klsh-5-humbje-4-fitore-388-5-mln-euro-dem/