JOEL ÇELA
Masat e forta shtrënguese për parandalimin e koronavirusit kanë paralizuar disa nga hallkat e ekonomisë, duke ngritur një problem paralel me atë shëndetësor. Për këtë arsye kryeministri Rama ka prezantuar një plan ekonomik për përballimin e kësaj lufte që duhet zhvilluar në disa fronte. Cilat janë mundësitë e ekonomisë shqiptare dhe a do ta parandalojnë ato kolapsin? “Faktoje” bisedoi me dy ekspertë të ekonomisë, zotin Arben Malaj dhe zotin Adrian Civici.
………………………………………………………………………………………………………………………………………………………
Kryeministri Rama të enjten e 19 marsit publikoi “planin ekonomik për përballimin e luftës ndaj koronavirusit si një familje e vetme”.
“Faktoje” bisedoi me dy ekspertë të ekonomisë, zotin Adrian Civici, dekanin e Fakultetit të Shkencave në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë, dhe zotin Arben Malaj, ish-Ministër i Financave, të cilët besojnë se kjo pandemi do të ketë kosto sa shëndetësore aq dhe ekonomike.
“Ekonomia dhe financat shqiptare do ta kenë çdo ditë e më të vështirë ta përballojnë këtë situatë të jashtëzakonshme, veçanërisht sektori i shërbimeve dhe disa degë të industrisë që janë pothuajse totalisht të mbyllura”, tha zoti Civici.
Paketa ekonomike e miratuar nga qeveria, sipas zotit Arben Malaj është vetëm një hap i parë që nuk qartëson numrin e përfituesve dhe masën në të cilën ata përfitojnë.
“Unë besoj, duke parë gjithë analizën që bëhet, edhe në vende të tjera, edhe në Shqipëri, nuk do të kemi një opsion të një braktisjeje të mbrojtjes sociale apo të implementimit të skemave lehtësuese dhe mbështetëse për biznesin e thjeshtë se do të rritet defiçiti ose borxhi. Pra, do të bëhen përpjekje maksimale që të mos lihet që kjo krizë shëndetësore vrastare, të vrasë edhe ekonominë. Se në rast të kundërt pastaj, gjithçka është shumë e shtrenjtë dhe shumë e vështirë për t’u rikthyer në normalitet. Jeta do vazhdojë, por problemi është me çfarë kosto do dalim nga kjo krizë dhe sa shpejt do i kthehemi normalitetit.”, tha zoti Malaj.
Çfarë po bëhet nga qeveria?
Krahas masave shtrënguese që kanë sjellë paralizimin e disa hallkave të ekonomisë, kryeministri Rama ka paraqitur një plan për përballimin e kësaj situate paralele që mbështetet në këto pika:
- 25 milionë dollarë në dispozicion të Ministrisë së Shëndetësisë për pajisje, materiale shëndetësore apo mbështetje të të gjithë personelit të angazhuar mjekësor.
- 100 milionë dollarë garanci sovrane për kompanitë që kanë vështirësi objektive për të paguar pagat e punonjësve.
- 65 milionë dollarë për nevojat më imediate për shtresat më në nevojë, për biznesin e vogël dhe papunësinë e mundshme për shkak të situatës.
- 20 milionë dollarë i vihen në dispozicion Ministrisë së Mbrojtjes për operacionin humanitar.
- 10 milionë dollarë fond rezervë për Këshillin e Ministrave për çdo urgjencë të paparashikuar.
- Fshirja e kamatvonesave për debitorët aktivë që kanë konsum energjie sot, familjarë apo biznes i vogël me efekt financiar deri në 150 milionë dollarë.
- Riskedulimi në 6-mujorin e dytë të vitit 2020 dhe në vazhdim tatim-fitimin për të gjithë biznesin nga 20 mijë deri në 140 mijë dollarë xhiro.
Duke folur për planin ekonomik të qeverisë, zoti Malaj u shpreh se kjo paketë ka në thelb të saj tre kolona kryesore:
“1. Kolona e parë është mbështetja e shëndetësisë, për logjistikë dhe çdo burim tjetër financiar. Nga aty, bashkë me shëndetësinë është përfshirë edhe emergjenca civile. I është dhënë edhe asaj rreth 2 mld lekë të reja. Kjo është kolona e parë që është për përballjen me “armikun”.
2. Kolona e dytë është kolona e solidaritetit shoqëror, e cila ka brenda pagesën 65 mld lekë, e destinuar kjo për grupe të caktuara, të papunë, të paaftë dhe njerëzit që nga situata mbeten në kushtet e varfërisë, dhe duhet ditur kush janë dhe duhen asistuar patjetër. Është një kolonë e rëndësishme, sapo ndodh një krizë gjëja e parë që thonë ekspertët është qartësoni mbështetjen për të varfërit.
3. Kolona e tretë, që është e rëndësishme, është kolona e rritjes ekonomike, e masave për biznesin. Nga biznesi individual, familjar, biznesi i vogël, i mesëm deri tek biznesi i madh. Kjo është shumë jetike sepse të gjithë pranojmë që kriza do të shoqërohet me një rritje të papunësisë dhe ulje të pagave. Kompani të ndryshme do zgjedhin forma të ndryshme për të mbijetur, por sërish, në tërësinë e saj ekonomia do të ketë një rritje më të vogël se parashikimi, kështu që qeveria është e detyruar që të ketë fondin për të mbështetur të papunët e rinj, ata që do të preken në aspektin social.”
Kryeministri Rama ka deklaruar se kjo paketë paraqet vetëm planin A për një periudhë të caktuar kohore. Gjithçka varet nga elementi kohë, e cila është e panjohura që rrit paqartësinë dhe pasigurinë rreth gjendjes ekonomike. Në rast zgjatjeje, është bërë e ditur nga qeveria se do të kalohet edhe në planin B.
Zoti Civici shprehet se plani B është vetëm 2-3 javë larg, por as një plan C nuk është i largët në kohë:
“Duke iu referuar dhe asaj çka po ndodh me vendet e tjera të prekura, mund të themi se, nëse pandemia vazhdon gjatë, d.m.th. akoma dhe 7-8 jave të tjera, sepse askush nuk mund të japë në këto momente një datë të fundit të saj, me siguri që do kalohet në planet B dhe C. Këto plane kanë të paktën dy elementë:
-Thellimin e shumave financiare në shërbim të përballimit të situatës shëndetësore dhe veçanërisht asaj ekonomike e financiare.
-Rialokimet buxhetore, rritja e borxhit publik, rritja e defiçitit buxhetor, injektim i likuiditetit të ri në ekonomi dhe konsum etj., do të jenë pjesë e përballimit të situatës nëse ajo agravohet më shumë dhe mbi të gjitha nëse zgjat shumë. Besoj se Shqiperia ka akoma mundësi manovrimi dhe rezerva financiare për të përballuar planin B ose C. E rëndësishme është të marrim vendimet e duhura në kohën e duhur. Megjithëse për momentin po përsërisim shpesh se “jemi vetëm”, besoj se ndihma dhe solidariteti ndërkombëtar nuk do mungojnë.”
Përtej vështirësisë së situatës, zoti Malaj tha se ekziston mundësia për të dalë nga kjo krizë edhe me një rritje, duke iu referuar edhe historive të zhvillimit të ekonomive më të mëdha ndër vite. Sipas tij, duhet të mbështetemi në dy fakte pozitive:
“E para, në të gjithë historinë e zhvillimit të ekonomive më të mëdha, vitet më të lavdishme të zhvillimit kanë qenë vitet pas Luftës së Dytë Botërore, vitet 1950-1970 e pak, sepse ekonomia kërkonte rindërtim, dhe gjithçka kërkohej që të investohej, duke filluar edhe me planin Marshall në Europë.
E dyta, ne kemi një avantazh që duhet ta përdorim pozitivisht, që është shuma e dhënë për fondin e rindërtimit. Në kushtet kur bie kërkesa nga elementët e shkurtimit të aktiviteteve, të biznesit apo të pagave, ka një shumë parash të caktuara që mund të hidhen në ekonomi. Një pjesë që është grant mund të përdoret me shpejtësi më të madhe dhe ka një pjesë tjetër që do të jenë investime reale në ekonomi dhe duhet të fillojnë sa më parë. Pra, të plotësojnë diçka nga ajo që mungon. Dhe le ta shohim këtë si një kërkesë të re në ekonomi. Duke e parë si kërkesë të re, ka prodhim të ri dhe ka ringritje.”
*Foto kryesore është marrë nga iStock.com/Ca-ssis.