BallinaProjekteNxitja e llogaridhënies së zyrtarëve të lartëEko Parku ‘kampion’ për shkeljen e premtimeve nga zyrtarët qendrorë e vendorë

Eko Parku ‘kampion’ për shkeljen e premtimeve nga zyrtarët qendrorë e vendorë

Projekti rreth 2 miliardë lekë të reja për ndërtimin e Eko Parkut ende nuk mund të quhet i përfunduar. Zona që deri në 2019-n shërbeu si vendgrumbullim mbetjesh dhe burim i ndotjes së mjedisit në Porto Romano, u shndërrua në një park argëtimi, i cili ende nuk është funksional. Sipas bashkisë Durrës, procesi i tenderimit për kolaudimin e objektit, po zvarrit hapjen e Eko-Parkut në qytetin e Durrësit, ndërsa afatet e premtuara si nga qeveria, ashtu edhe bashkia, po shkelen njëri pas tjetrit.

—————————————————————————————————————————————

“Në 1 qershor të këtij viti inaugurohet ‘Eko Parku’, i cili është afër kësaj zone dhe që do të ketë impakt të drejpërdrejtë jo vetëm për banorët që jetojnë përreth tij, por për të gjithë qytetarët e Durrësit”, premtoi kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako më 3 mars të këtij viti.

6 muaj pas shkeljes së afatit të premtuar nga kryebashkiakja, Faktoje iu drejtua me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Ne e pyetëm zyrtarisht këtë institucion nëse kishin përfunduar punimet për ‘Eko Parkun’ dhe kur pritej të hapej objekti.

Kërkesa për informacion dërguar Bashkisë Durrës, 19 shtator 2022

Në përgjigjen e saj, Bashkia Durrës bën të ditur se Eko-Parku ka përfunduar, por është në proces kolaudimi.

“Projekti i Ekoparkut ka përfunduar. Afati sipas kontratës së lidhur është 18 muaj. Projekti i Ekoparkut pritet të hapet sapo të përfundojë procesi i kolaudimit të objektit dhe dorëzimi te Bashkia Durrës për shfrytëzim”, thotë zyrtarisht Bashkia e Durrësi

Më tej, argumeton: “Projekti i Ekoparkut nuk është në shfrytëzim, për shkak të vonesave në procedurën e përzgjedhjes së kolaudatorit, procedurë e cila është bërë në përputhje me legjislacionin e prokurimeve në fuqi. Ankimimet dhe shqyrtimi i ankesave nga KPP ka shtyrë edhe fillimin e procesit të kolaudimit dhe vënien në shfrytëzim. Së fundmi u vumë në dijeni se KPP, e ka sjellë vendimin zyrtarisht për përzgjedhjen e kolaudatorit dhe shumë shpejt do të fillojë puna për koladimin e objektit, dorëzimin e tij te përfituesi përfundimtar dhe shfrytëzimin nga publiku”. Sipas Bashkisë Durrës, kostoja e projektit është 1.950.115.822, 45 lekë me TVSH.

Eko Parku, 7 qershor 2022

Faktoje bëri një verifikim në Durrës më 7 tetor, për të parë nga afër se në çfarë faze ishte projekti i Eko-Parkut. Gjatë verifikimit në terren vumë re se kishte përfunduar puna për ndërtimin e tij, por objekti nuk ishte hapur ende. Duket se interesi i qytetarëve për parkun ishte i lartë. Gjatë verifikimit në terren takuam disa banorë, të cilët kishin ardhur për të pyetur se kur hapej objekti.

Eko Parku, 7 qershor 2022

“Na kanë gënjyer disa herë. Na thanë do hapet në qeshor, nuk u hap. Më pas thanë në shtator, erdhëm të shohim tani, por prapë nuk qenka hapur”, tha një 32 vjeçar.

Një 25-vjeçare u shpreh: “Një hapësirë e tillë mungon në Durrës. Eko-Parku ka fushë futbolli, volejbolli, basketbolli, ping-pongu, tenisi si dhe një vend për të bërë ngjitje. Ka dhoma zhveshjeje dhe një restorant”.

Eko Parku, 7 qershor 2022

Premtimet e shkelura për Eko-Parkun

Në qershor të vitit 2018, kryeministri Edi Rama foli për ndërtimin e Eko Parkut që do të zëvendësonte fushën e mbetjeve urbane në Porto-Romano.

Në vitin 2019, kryeministri Edi Rama deklaroi: “Xhuli [Zhyljen Varfaj, kryetar i komanduar i Bashkisë Durrës asokohe] më 1 qershor të 2021 duhet të jetë festa më e madhe që kanë parë kalamajtë ndonjëherë në historinë e Shqipërisë, këtu me parkun e ri të Durrësit”.

Premtime për hapjen e Eko Parkun janë bërë edhe nga kryebashkiakja e Durrësit Emiriana Sako. Në muajin mars të vitit 2021, Sako tha se projekti i parkut do të përfundonte në tetor të atij viti.

Një tjetër premtim për këtë park është bërë edhe nga ministrja Belinda Balluku në maj të vitit 2021. Ajo premtonte se në fund të shtatorit do të përfundonin punimet.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar, vendosëm që premtimin e kryebashkiakes së Durrësit Emirjana Sako ta kategorizojmë të Pambajtur. Premtimi per Eko Parku bën pjesë tek angazhimet madhore që ndërmerren në fakt nga qeveria, por shpesh ato artikulohen nga drejtuesit lokalë duke joshur dhe krijuar pritshmëri tek publiku.

“Faktoje”, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) ka nisur një projekt monitorimi në 10 bashkitë të vendit, me qëllim verifikimin e premtimeve të dhëna nga kryebashkiakët. 

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img