BallinaProjekteLufta kundër dizinformimit dhe zhvillimi i medias në Shqipëri20 mijë pensionistë me diabet "jashtë" rimbursimit

20 mijë pensionistë me diabet “jashtë” rimbursimit

Rimbursimi i fishave të diabetit për të moshuarit nuk është realizuar ende, ndonëse ka pasur një angazhim nga qeveria në vitin 2019. Kjo pranohet zyrtarisht për Faktoje nga FSDKSH, por konfirmohet edhe nga kreu i shoqatës së Diabetikëve dhe pensionistët. Këta të fundit tregojnë se me pensionet që marrin, kostoja për blerjen e fishave është e lartë për ta.

———————————————————————————————————-

“Po vlerësojmë mundësinë për ta shtrirë mbulimin me fisha edhe për pensionistët”, premtoi ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu në vitin 2019.

Tre vite më pas, ministrja u zotua sërish për të ofruar fishat e diabetit falas për moshën e tretë. “Ne do të mundësojmë që pensionistët, që grupet më në nevojë, ata pensionistë që kanë pensione jo të larta, të mundet të aksesojnë edhe një listë të pasisjeve mjekësore, sikurse janë fishat e diabetit”, deklaroi Manastirliu, pa dhënë një afat të qartë. Por sa është përmbushur ky angazhim i ndërmarrë nga qeveria? Faktoje iu drejtua fillimisht me një kërkesë për informacion Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm Shëndetësor, të cilin e pyetëm nëse kishte nisur rimbursimi i fishave të diabetit për të moshuarit.

Kërkesa për informacion dërguar FSDKSH, 5 tetor 2022

Në përgjigjen zyrtare për Faktoje FSDKSH sqaron se aktualisht fishat e diabetit rimbursohen për dy grupe pacientësh: fëmijë 1-18 vjeç dhe studentë 18-25 vjeç.  Mirëpo, shton se zgjerimi i skemës së rimbursimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, përfshirë fishat e diabetit për pensionistët do jetë subjekt i vlerësimit të komisioneve teknike.

“Pajisjet mjekësore, pjesë e të cilave janë edhe fishat e diabetit, janë pjesë e skemës së rimbursimit nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor nga viti 2018.

Lista aktuale e pajisjeve mjekësore të rimbursuara është miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave, Nr. 229 datë 13.04.2022. Në bazë të këtij vendimi, fishat e diabetit rimbursohen për dy grupe pacientësh: fëmijë 1-18 vjeç dhe studentë 18-25 vjeç.

Zgjerimi i skemës së rimbursimit të barnave dhe pajisjeve mjekësore, përfshirë fishat e diabetit për pensionistët, mbetet prioritet i punës së FSDKSH dhe do jetë subjekt i vlerësimit të komisioneve teknike.

Në lidhje me kategorinë e pensionistëve, është prioritet trajtimi i sëmundjeve kronike nëpërmjet terapive të përcaktuara në Listën e Barnave të Rimbursueshme, ku trajtimi për semundjet diabetike është i plotë dhe ofrohet falas për të gjithë”, sqaron FSDKSH.

Në lidhje me këtë premtim, Faktoje kontaktoi mjekun Florian Toti, President i Shoqatës së Diabetit në Shqipëri. Ai bëri të ditur se kjo është diskutuar që në vitin 2019 dhe se në Shqipëri janë 20 mijë pensionistë me diabet.

“Kjo çështje është diskutuar që në vitin 2019, por për shkak të tërmetit dhe pandemisë ngeli pezull. Janë 20 mijë pensionistë me diabet dhe pyetja që ngrita për Ministrinë e Shëndetësisë atëherë ishte: E përballoni dot? Propozimi që ne bëmë ishte që të paktën të përfitojnë invalidët dhe veteranët”, thotë mjeku Toti për Faktoje.

Ai shtoi se nuk kanë ende një shkresë zyrtare për rimbursimin e fishave të diabetit për moshën e tretë.

Po sa i kushtojnë një pensionisti fishat e diabetit? Një 65-vjeçare, e cila ka nevojë për 2 fisha të tilla çdo ditë tregon se kostoja mujore është të paktën 3 mijë lekë të reja.

“Unë kam nevojë për 2 fisha në ditë dhe një fishë kushton 50 lekë. Për mua që marr 18 mijë lekë pension, që kam për të paguar ujë, drita, por edhe ilaçe të tjera, fishat janë një shpenzim i madh”, thotë ajo.

Faktoje pyeti edhe në disa farmaci mbi kostot e fishave të diabetit.

“Fishat kanë çmime të ndryshme. Kemi pako me 50 copë që kushtojnë 1800 lekë të reja dhe ka pako të tjera, që kanë po 50 copë dhe kushtojnë 2600 lekë”, tregon një farmaciste.

Në maj të vitit 2019, ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastriliu njoftoi shpërndarjen e fishave të diabetit falas edhe për studentët e të rinjtë deri në 25 vjeç të prekur nga kjo sëmundje. Asokohe ministrja u shpreh se kjo i ka kursyer familjeve shqiptare 12 mijë lekë të reja në muaj.

“Pas rimbursimit të fishave të diabetit për fëmijët deri 18 vjeç, tashmë fishat për matjen e glicemisë janë falas edhe për studentët dhe për të gjithë të rinjtë me diabet deri në moshën 25 vjeç. Jo vetëm i kursejmë çdo familjeje 12 mijë lekë të reja në muaj, por sigurohet një cilësi më e mirë jete për këta fëmijë dhe të rinj”, deklaroi Manastriliu tre vite më parë.

Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacioni i grumbulluar vendosëm që deklaratën e ministres Manastirliu në vitin 2019 ta konsiderojmë pa kategori. Premtimi i bërë këtë vit për mundësimin e fishave falas për penionistët do të monitorohet në vijim nga Faktoje.

*Foto kryesore marrë në web

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img