KLEVIS PALOKA
“Sot jemi vendi me më shumë azilantë në Europë, me perjashtim të Sirisë që ka luftë”, kështu deklaroi në seancën e 31 janarit, ish-deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho.
Duke u nisur nga kjo deklaratë e Spahos, “ Faktoje” vendosi të kontaktonte me Eurostat-in, institucion i Komisionit të Europës që merret me të dhënat mbi numrin e azilkërkuesve në Europë.
Sipas raportit të publikuar në 14 mars nga Eurostat, Shqipëria renditet e nënta në botë për numrin e azilkërkuesve në Europë, me një numër prej 19.025 personash që kanë kërkuar azil në këtë kontinent. Përpara shqiptarëve renditen: Venezuela, Turqia, Nigeria, Irani, Pakistani, Iraku, Afganistani dhe vendin e parë e zë Siria.
Duke qenë se Shqipëria nuk ndodhet në renditje si vendi me më shumë azilantë në Europë pas Sirisë, siç ka deklaruar ish-deputeti i PD-së, por ka përpara saj edhe shtatë vende të tjera, madje edhe një shtet europian siç është Turqia, deklaratën e Spahos do ta kategorizojmë GËNJESHTËR.