BallinaDeklarataEdi Rama: Nga sot në 150 gjimnaze të vendit do të ketë oficerë sigurie

Edi Rama: Nga sot në 150 gjimnaze të vendit do të ketë oficerë sigurie

ANXHELA RUÇI

Kur diskutohet për sigurinë në shkollat e mesme, në mendje të vijnë jo pak raste të episodeve të plagosjeve me mjete të mprehta apo shitja e konsumimi i lëndëve narkotike, tematika këto që zënë jo pak vend në mediat shqiptare.

Përgjatë vitit shkollor 2017-2018 Ministria e Arsimit aplikoi një projekt pilot për vendosjen e oficerëve të sigurisë në 15 gjimnaze të Tiranës, i cili sipas qeverisë dha rezultate pozitive. Edhe për këtë vit shkollor që ka pak muaj që ka nisur, si kryeministri Edi Rama ashtu edhe ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit Lindita Nikolla lajmëruan se ky projekt do të aplikohet në 150 gjimnaze të vendit.

Rama gjatë një konference për media ndër të tjera tha: “Sot ne kemi vendosur të nisim zbatimin e programit të ri për oficerët e sigurisë në shkollat e vendit. Fillimisht ky program u pilotua me rezultate të kënaqshme, të konfirmuara nga komuniteti i  mësuesve dhe prindërve dhe nga policia e shtetit në 15 shkolla. Tani do të shtrihet në 150 shkolla, gjimnaze kryesisht, ku do të fillojnë nga puna menjëherë 150 oficerë sigurie të trajnuar enkas për këtë program’’.

Në 25 tetor ky vendim u botua në Fletoren Zyrtare dhe që prej asaj dite ka hyrë në fuqi. Stafi i “Faktoje” u interesua në 10  gjimnaze të ndryshe nga veriu në jug, e më konkretisht; në Tiranë, Bulqizë, Laç, Gjirokastër e Vlorë, për të mësuar më shumë nëse programi për oficerët e sigurisë kishte nisur zbatimin në këto shkolla. Sipas informacioneve tona, të cilat janë siguruar nga kontakte me mësues, nxënës apo punonjës të tjerë në gjimnaze, rezulton se asnjë oficer sigurie nuk ka nisur punën për mbarëvajtjen e sigurisë dhe rendit në institucionet parauniversitare. Zgjedhja e gjimnazeve të mësipërm, ishte rastësore, në mënyrë që shtrirja gjeografike e tyre të ishte gjithëpërfshirëse dhe të ishim korrekt duke mos u përqëndruar vetëm në metropolin shqiptar, Tiranë.

Gjimnazistët e kryeqytetit na konfirmuam se gjatë vitit shkollor që lamë pas, disa prej shkollave kanë patur oficerë të sigurisë, ndryshe nga ky vit shkollor që edhe pse me një vendim që ka hyrë tashmë në fuqi dhe me garancinë e kryeministrit për të filluar menjëherë zbatimi i programit, oficerët ende nuk janë vendosur nëpër shkolla.

Sipas VKM-së, oficerët e sigurisë duhet të plotësojnë disa kushte për të qenë pjesë e programit, ku ndër më kryesoret është trainimi pranë Akademisë së Sigurisë, por mesa duket oficerët janë ende duke u trainuar.

Duke qenë se oficerët e sigurisë ende nuk janë shpërndarë nëpër shkolla edhe pse kreu i qeverisë gjatë fjalës së tij tha se do të nisnin punën “menjëherë”, deklaratën e tij do ta klasifikojmë GËNJESHTËR.

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img