.

.

BallinaPremtimeEdi Rama: Në vjeshtë nis puna në By-Passin e Fierit

Edi Rama: Në vjeshtë nis puna në By-Passin e Fierit

ANXHELA RUÇI

By-passi i Fierit është një nga segmentet rrugore të rëndësishme të vendit tonë dhe që jo pak herë ka qenë në vëmendje të “Faktoje”, kjo edhe për shkak të premtimeve të vazhdueshme që janë dhënë për 22 km rrugë, punimet për të cilën kanë nisur që në vitin 2014.

Muajt e vjeshtës, konkretisht shtatori dhe tetori do të ishin vendimtare për fillimin e punimeve në këtë aks, të paktën sipas premtimeve të dhëna nga kryeministri Edi Rama.

Vetëm verën e kaluar kryeministri premtoi dy herë duke thënë se brenda vjeshtës puna do të niste për të mos u ndalur deri në hapjen e trasesë së By-Passit të Fierit në fillim të sezonit turistik, që i bie vera e vitit 2019.

“Në shtator do të jemi gati për të filluar dhe për mos e ndalur më punën, në mënyrë që të kemi të përfunduar By-passin e Fierit përpara sezonit tjetër turistik.”, u shpreh Rama gjatë prezantimit të investimeve në qarkun e Fierit.

Dy muaj më vonë, në muajin gusht, nga Jala kryeministri përsëriti edhe një herë premtimin se brenda tetorit do të nënshkruhej kontrata dhe do të niste puna në terren.

“Besoj që në muajin shtator, le të themi tetor për të qenë brenda nga pikëpamja e të gjitha burokracive të nevojshme për procesin, ne do të kemi më në fund një kontratë të re dhe do të kemi një fillim pune për mos u ndalur më dhe për ta hapur atë trasenë e By-Pass të Fierit në fillim të sezonit të ardhshëm…”, tha Rama nga Jala.

Por cila është ecuria e punimeve në By-passin e Fierit?

Kaloi behari, shtatori, tetori, nëntori e tashmë ka hyrë dhjetori, por punimet ende nuk kanë nisur.

Sapo jemi futur në muajin dhjetor, duke lënë pas vjeshtën dhe premtimet për fillimin e punimeve në By-passin e Fierit. Në përgjigjen zyrtare që “Faktoje” ka marrë nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, thuhet se kontrata e punimeve për By-passin e Fierit është nënshkruar më datë 5 nëntor, jo në tetor siç premtoi Rama nga Jala.

Por ky nuk është i vetmi premtim që nuk është mbajtur. Jemi në muajin dhjetor dhe puna në terren nuk ka nisur ende. Burime të “Faktoje” në Fier thonë se makineritë dhe materialet janë në terren, por puna nuk ka filluar ende pasi pritet inagurimi i punimeve nga ministri Damian Gjiknuri.

Duket se e vetmja rrugë ku po punohet në Fier është ajo që ecën paralelisht me By-passin e Fierit dhe që mund ta shihni edhe në foton ilustruese. Këto ditë trafiku në dalje të qytetit të Fierit, veçanërisht në zonën pranë Kopështit Zoologjik, ka qenë e rënduar për shkak të asfaltimit dhe rrugullimeve që po bëhen në këtë aks.

Kjo nuk është hera e parë që punimet për By-passin e Fierit shtyhen duke e e klasifikuar si PREMTIM TË PAMBAJTUR deklaratën e kryeministrit Edi Rama se në tetor do të nisnin punimet në këtë aks. Nën vëzhgim nga “Faktoje” është dhe deklarata e ministrit Damian Gjiknuri se puna do të fillojë brenda dhjetorit dhe premtime të tjera sipas së cilave, në fillim të sezonit turistik ky aks do të jetë i hapur. Ndërsa qeveria nuk lodhet duke premtuar dhe ne nuk do të lodhemi duke mbajtur nën vëzhgim dhe duke shkruar për premtimet e të zgjedhurve të popullit.

LEXO EDHE:

Për 22 km Bypassi i Fierit mbetet ende tek lista e premtimeve të pambajtura

 

Bypassi i Vlorës dhe i Fierit duhet të rifillonin punimet në prill

 

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img