KLEVIS PALOKA
“ Përjashto taksën mbi më të pasurit, që ne e kemi deklaruar dhe që kaloi nga 10% në 15% kur vjen puna te kompanitë, ndërkohë që u rrit progresivisht kur vjen puna tek taksimi mbi pagën, si dhe taksën e karburantit që ne e kemi rritur, unë ju sfidoj të më tregoni një taksë tjetër që ka rritur qeveria, një të vetme”.
Kështu u shpreh kryeministri Edi Rama gjatë një interpelance në platformën e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al me Sindikatën e Minatorëve “Janar 1991” për ecurinë e projektit të Statusit të Minatorit me 16 prill 2018.
Këtë deklaratë kryesocialisti Rama e përdori edhe në disa qytete të ndryshme të Shqipërisë gjatë turit të llogaridhëniës kështu që “Faktoje” nisi punën për verifikimin e kësaj deklarate. Si fillim i dërguam një kërkesë për informacion Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për ta pyetur sa kanë qenë taksat para vitit 2013 dhe sa janë aktualisht.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë na dërgoi një listë me të gjitha taksat qendrore ku tregoheshin për çdo vit sa kanë qënë dhe sesa kanë ndryshuar në vitin pasardhës.
Përveç dy taksave që vetë kreu i qeverisë ka përmendur në listën e taksave që janë rritur, në fakt duhet të shtohen edhe dy taksa të tjera, ajo e primit të sigurimit dhe taksa e të ardhurave personale por jo mbi pagë, por që kryeministri nuk i ka përmendur.
Tatimi mbi primet e sigurimit, me përjashtim të primeve të sigurimit për jetën, shëndeti në udhëtim dhe karton jeshil, është rritur nga 3% në 10% të vlerës së primit.
Ndërsa taksa e dytë e ngritur është ajo mbi të ardhurat personale të tjera ku përfshihen; të ardhurat mbi interesat, të ardhurat nga qeratë dhe enfiteoza dhe të ardhurat nga dividentët dhe aksionet. Kjo taksë nga 10% është bërë 15%.
Edhe pse këto taksa nuk janë kryesore dhe që nuk njihen apo jo domosdoshmërisht kuptohen nga të gjithë, deklaratën e Ramës mbi rritjen e vetëm dy taksave do ta kategorizojmë si GËNJESHTËR.