BallinaFaktometerE PavërtetëXhelal Mziu: Nga 2013-2018 asnjë financim nuk është bërë në Bashkinë Kamëz për institucione arsimore

Xhelal Mziu: Nga 2013-2018 asnjë financim nuk është bërë në Bashkinë Kamëz për institucione arsimore

Anxhela Ruçi

Bashkia Kamëz sipas censusit të fundit (2011) numëron mbi 100 mijë banorë, dhe sipas kreut të kësaj bashkie Xhelal Mziu, numri i popullsisë vazhdon të rritet.

E megjithëse numri i popullsisë në këtë zonë vijon të shënojë rritje dhe shërbimet që duhet të ofrohen nga institucionet përkatëse të qeverisjes vendore dhe asaj lokale, duhet të rriten. Por nuk ndodh kështu me investimet, të cilat duhet t’i mundësojnë këto shërbime.

Çështja e investimeve është një prej ankesave që ka ngritur shpeshherë kryebashkiaku Mziu. Ai pretendon se qeveria e majtë ka bërë pak investime ose pothuajse fare për bashkinë që ai drejton. Mziu bën edhe një paralelizëm të investimeve në bashkinë Kamëz gjatë kohës që qeveriste Partia Demokratike dhe atyre të bëra gjatë qeverisjes së Partisë Socialiste për të cilat thotë se janë shumë të pakta.

“Nëse nga viti 2007 deri në 2012 janë ndërtuar 21 objekte shkollore, nga viti 2013 deri sot që flasim asnjë financim nuk është bërë as në ndërtim shkolle, as ndërtime kopshti e as rikonstruksion të tyre.”- është shprehur Mziu gjatë një interviste në emisionin “Përtëfol” në Skan televizion.

“Faktoje” për të qenë e balancuar në burime, pyeti Bashkinë Kamëz, Ministrinë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit si dhe Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë për të mësuar më shumë rreth investimeve që janë bërë në sektorin e arsimit në bashkinë e drejtuar nga Xhelal Mziu, meqë edhe deklarata e tij i referohej kryesisht shkollave e kopshteve.

Ministria e Arsimit, Rinisë dhe Sporteve së bashku me Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë na vunë në dispozicion të gjitha shumat financiare dhe objektet që janë ndërtuar apo rikonstruktuar në Bashkinë e Kamzës. Sipas tyre, nga viti 2013-2018 është investuar konkretisht për ndërtimin e tre shkollave 9-vjeçare, rindërtimin e një shkolle 9-vjeçare dhe ndërtimin e një kopshti.


Burimi:Ministria e Financave dhe Ekonomisë

Nga ana tjetër, Bashkia Kamëz në përgjigjen e parë zyrtare tha për “Faktoje” se nuk është bërë asnjë investim në pesë vitet e fundit dhe se disa nga investimet që përmenden nga Ministria e Financave janë të viteve përpara 2013-ës.

Ndërsa në komunikimin e dytë që patëm po me zyrtarë të kësaj bashkie, duke i treguar investimet e pretenduara nga Ministria e Arsimit dhe Sporteve dhe Ministria e Financave, na u konfirmua se në fakt këto investime janë bërë në bashkinë Kamëz për rindërtim apo ndërtim nga e para e institucioneve arsimore.

Ndoshta investimet në Bashkinë Kamëz nuk janë në të njëjtin nivel si në bashkitë e tjera, por nuk ka pasur mungesë absolute të investimet në institucionet arsimore ashtu siç deklaroi Xhelal Mziu gjatë intervistës televizive. Si ministritë ashtu edhe zyrtarë të bashkisë Kamëz na konfirmuan se gjatë vitit 2013-2018 janë bërë investime në institucionet arsimore. Për këtë arsye pretendimin e kryebashkiakut të Kamzës për mungesë investimesh do ta klasifikojmë GËNJESHTËR.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img