Rruga e lagjes në Maqellarë u asfaltua

Bashkia e Dibrës ka përfunduar asfaltimin e rrugës në lagjen Lekaçe në Maqellarë. Gjatë një verifikimi që Faktoje bëri në terren rezulton se kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu e mbajti zotimin e bërë para banorëve në fushatën për zgjhdjet e 14 majit. Tani ata kërkojnë që ndërhyrja të shtrihet edhe në rrugicat e lagjeve.

Në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit, kryebashkiaku i Dibrës, Rahim Spahiu, i cili garonte për mandatin e radhës, premtoi shtrimin e rrugës në lagjen Lekaçe në Maqellarë.

“Në Burim do të asfaltojmë brenda pak javësh rrugën e lagjes Lekaçe”-premtoi kryebashkiaku në 29 prill 2023.

Postimi i shpërndarë në Facebook nga kryebashkiaku Rahim Spahiu, 29 prill 2023

Faktoje vendosi të verifikojë premtimin e kryebashkiakut të zgjedhur të Dibrës, Rahim Spahiu. Fillimisht iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së këtij qyteti. Zyrtarisht institucioni bën të ditur për Faktoje:

“Kanë përfunduar punimet për asfaltimin e rrugës në lagjen Laçe. Vlera e investimit është 45,270,928 lekë me TVSH. Kjo rrugë u shërben 487 banorëve”.

Për të parë nga afër përmbushjen e zotimit, ne udhëtuam drejt Maqellarës më 4 dhjetor, ku dallohej ndërhyrja dhe shtrimi me asfalt në të gjithë gjatësinë e rrugës në lagjen Lekaçe.

“Shumë mirë e kanë bërë rrugën, na hoqën një problem të madh me baltën dhe pluhurin. Ta bënin taman punën kishin hedh dhe një ‘dorë’ asfalt në këto rrugicat e vogla nëpër lagje”, thotë një banore e zonës.

Rruga në lagjen Lekaçe, 4 dhjetor 2023

Banorët e lagjes Lekaçe tregojnë se ka disa muaj që ka përfunduar rruga dhe se rikonstruksioni i saj, një investim i shumëpritur prej tyre.

Rruga në lagjen Lekaçe, 4 dhjetor 2023

“Problem i madh ishte kjo rrugë. Të paktën këtë dimër nuk do kemi baltë nëpër këmbë”, thotë një tjetër banor i lagjes Lekaçe.

Rruga e asfaltuar në lagjen Lekaçe, 4 dhjetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer në terren dhe informacioni i grumbulluar, premtimin për aslfatimin e rrugës në lagjen Lekaçe në Maqellarë, do ta kategorizojmë të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img