.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE pasaktë hipoteza shkencore e Hënës të përbërë nga plazma kozmike

E pasaktë hipoteza shkencore e Hënës të përbërë nga plazma kozmike

Pavarësisht pretendimit të këtij profesori të panjohur në 1965, Hëna nuk është e përbërë nga plazma kozmike. Teoria e propozuar, jo vetëm që nuk shoqërohet me prova, por ra poshtë në 1969 kur astronautët e Apollo 11 zbritën në Hënë. 

——————————————————–

Në rrjetet konspiracioniste që ndajnë dyshimin se NASA nuk ka zbritur kurrë në Hënë, po qarkullon një video bardhë e zi e një burri që pretendon se Hëna nuk është gur, por është përbërë nga “plazma kozmike”. Postimi që shoqëron videon e daton atë në vitin 1965 dhe e quan burrin “shkencëtari Prof. R. Foster”, i cili pretendohet se është zhdukur së bashku me studimet e tij.

Nëse Hëna është plazëm, pretendon burri në video, atëherë zbarkimi në Hënë është i pamundur dhe njeriu nuk do të mundë kurrë të shkelë në Hënë. Për më tepër, të gjitha ligjet e natyrës, përfshi edhe atë të gravitetit, do duhet të rishqyrtohen. 

Video duket se është shkëputur nga një intervistë më e gjatë e televizionit australian ABC Australia, logo e të cilët shfaqet në cepin e sipërm, majtas.

Në përshkrimin e videos së ngarkuar në kanalin e ABC Australia deklarohet se “ABC nuk ka mundur të konfirmojë identitetin e Z. Foster përtej një shënimi në fletorën e produksionit nga 1965: ‘Njerëz – Profesori Tazmanian (FOSTER)’“ Më tej, ABC “nuk ka mundur te gjejë ndonjë dokumentim të punës së tij.”

Duket se teoria e Prof. Foster nuk ka arritur të lerë gjurmë në histori. Duke qenë se ai nuk e shtjellon, shpjegon apo ofron prova për ta mbështetur atë gjatë intervistës me ABC, teoria e Hënës prej plazme mbetet e paprovuar.

Në një pjesë të videos, intervistuesi i thotë Foster se amerikanët dhe rusët po mendojnë të dërgojnë njerëz në Hënë. Kësaj, Foster i përgjigjet: “Oh, epo kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jo në Hënë. Në Mars, në Venus dhe planete të tjerë, po. Por Hëna eshtë padyshim, siç pohova, një plazmë.”

Teoria e Hënës prej plazme ra poshtë 4 vite pas intervistës së Foster, kur në 20 korrik 1969, anija kozmike Apollo 11 zbriti në Hënë dhe astronauti amerikan Neil Armstrong u bë njeriu i parë që shkeli në Hënë.

Astronauti Buzz Aldrin në sipërfaqen e Hënës, 20 korrik 1969

Siç mund të shihet nga gjurmët në foton e mësipërme, sipërfaqja e Hënës nuk është plazmë, por e ngurtë.

Gjurma e këmbës së Aldrin; pjesë e një eksperimenti për të shqyrtuar vetitë e dheut hënor

Astronautët e Apollo 11, Buzz Aldrin dhe Neil Armstrong, sollën kampionët e parë gjeologjikë nga Hëna në Tokë. Ata mblodhën 21.6 kg material, përfshi 50 gurë, kampionë nga dheu i sipërfaqes hënore, dhe dy tuba me material nga deri në 13 cm nën sipërfaqen e Hënës. Këta kampionë nuk pëmrbanin ujë. Ata përmbanin 2 lloj gurësh, bazalt dhe breccia. 

Bazalt (majtas) dhe breccia (djathtas) të marrë nga sipërfaqja e Hënës gjatë misionit Apollo 11

Pustina Patris
Pustina Patris
Gazetare Përpara se t’i bashkohej Faktoje, ka punuar si gazetare për faqen angleze të “Exit News”, si producente e emisionit “Me Pak Fjalë” në Euronews Albania dhe, si data journalist në të njëjtin televizion. Ajo është diplomuar për Histori në Brown University në SHBA.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img