BallinaFake newsDezinformimi në kohë krizashE keqinterpretuar meme e KFC për tendat e refugjatëve palestinezë

E keqinterpretuar meme e KFC për tendat e refugjatëve palestinezë

Një shaka e nisur mes Antiguas dhe Barbudas (ishuj në Karaibe) për tendën e humbur të kompanisë lokale të shërbimeve publike është përdorur për të krijuar një polemikë të rreme në internet në lidhje me Palestinën dhe luftën në Gaza. Faktoje verifikoi se imazhi i përdorur nuk ka lidhje me tendat e ngritura në Rafah.

Postime të shpërndara në rrjetet sociale pretendojnë se rrjeti amerikan i ushqimeve të shpejta, KFC po tallet më fatkeqësinë e popullit palestinez, konkretisht me tendat e ngritura nga refugjatët e Gazës në Rafah.

KFC tallet me palestinezët të cilët qëndrojnë në Rafah nëpër tenda! ‘Na falni nuk ka tenda këtu, ka vetëm pulë të mirë“- shkruan profili i Facebook i “Gazeta Selam” në postimin që shoqëron meme-n e re të KFC.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Por, si qëndron e vërteta e këtyre pamjeve dhe çfarë simbolizojnë ato? Faktoje bëri një verifikim, fillimisht duke kërkuar në internet mbi detaje të mëtejshme. Nga kërkimi rezulton se fillimisht ky postim është shpërndarë me këtë qasje nga një krijues në Britani, Sulaiman Ahmed dhe mjekja daneze Anastasia Maria Loupis, të njohur për fitimet që po nxjerrin duke shpërndarë informacione të rreme rreth luftës në Rripin e Gazës.

Në lidhje me këto pretendime të ngritura, ka reaguar edhe KFC për kolegët e AFP. Zyrtarisht ata bënë të ditur se foto nuk ka asnjë lidhje me luftën në Gaza dhe popullin e Palestinës.

“Ky postim u shpërnda nga rrjetet sociale të KFC Antigua me qëllimin për t’iu bashkuar bisedës së momentit në Antigua në lidhje me një tendë që u raportua e zhdukur nga Autoriteti i Shërbimeve Publike të Antigua. Ky postim nuk lidhet në asnjë mënyrë me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe u hoq kur kuptuam se po keqinterpretohej. Kërkojmë falje për çdo keqkuptim të shkaktuar,” tha një zëdhënës për AFP.

Më 15 shkurt, Autoriteti i Shërbimeve Publike të Antigua-s, ishull në Karaibe (APUA), postoi në Facebook se një nga tendat e saj të përdorura për seancat stërvitore ishte “zhdukur” dhe “mund të ishte vjedhur”.

Autoriteti i Shërbimeve Publike të Antigua (APUA) kërkoi ndihmën e publikut për të gjetur tendën e saj, e cila u pa për herë të fundit në stadiumin “Sir Vivian Richards”.

Kërkesa për mbështetje publike ndezi shaka dhe meme të shumta në internet, me disa kompani që hynë në aksion, ku gjithçka ishte në kuadër të një shakaje, që më pas nisi të përdorej si strategji marketingu nga KFC.

Përpara KFC, një situatë të ngjashme kritikash dhe thirrjeje për bojkot në vendet e Lindjes së Mesme kanë pësuar rrjetet gjigande si McDonald, Starbacks dhe më e kufizuar edhe Zara.

Rreth 1.4 milionë palestinezë po jetojnë prej muajsh në kushte të vështira me tenda në qytetin jugor të Rafah pas hyrjes së ushtrisë izraelite në Gaza për të shtypur rezistencën e Hamas.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img