.

.

BallinaPertejVerifikimi i lajmeve në FacebookE manipuluar video e John Travoltës të mllefosur ndaj festivalit të Sanremo-s

E manipuluar video e John Travoltës të mllefosur ndaj festivalit të Sanremo-s

Aktori John Travolta nuk ka shprehur kritika për festivalin italian të muzikës, Sanremo, pasi u detyrua të kërcente “vallen e rosakut”. Faktoje verifikoi se video e shpërndarë në rrjetet sociale është manipuluar, me qëllim satirik.

Ftesa e televizionit publik italian RAI ndaj aktorit të famshëm amerikan John Travolta gjatë netëve të festivalit të Sanremos ka ngjallur mjaft polemika në vendin fqinj. Zërat kundër kanë përmendur faturën e majme që është paguar nga taksat e kontribuesve për të sjellë shkurtimisht Travoltën në festivalin më të njohur të muzikës italiane. Mes këtyre debateve është vënë në qendër të vëmendjes edhe një kërcim qesharak, “kërcimi i rosës”, që organizuan prezantuesit Amadeus dhe Fiorello së bashku me të ftuarin John Travolta jashtë teatrit Ariston, gjatë mbrëmjes së dytë të Festivalit të Sanremos, më 7 shkurt 2024.

Në vijim të këtyre kritikave, në rrjetet sociale është shfaqur një video e Travoltës nën shënimin: “John Travolta, i kthyer në Amerikë flet për kërcimin qua-qua”.

Sipas titrave që shoqërojnë fjalimin e Travoltës, ai deklaroi se kishte ardhur në Festivalin e Sanremos “për t’u argëtuar”, por në vend të kësaj ishte ndjerë i poshtëruar, pasi e kishin detyruar të bënte “kërcimin e rosakut”, apo ndryshe “qua-qua”.

Postimet e shpërndara në rrjetet sociale

Videoja satirike, ku pretendohet se John Travolta flet pas festivalit u shpërnda fillimisht nga një llogari në Facebook që ndan meme dhe përmbajtje humoristike, gjithashtu me temë rreth Festivalit të Sanremos.

Pamjet në fjalë janë reale, por titrat në italisht nuk korrespondojnë me fjalët e thëna nga John Travolta. Në fakt, videoja është regjistruar më 12 mars 2023 gjatë edicionit të 95-të të Oscars, çmimit më prestigjioz të filmit, pra gati një vit para pjesëmarrjes së Travoltës në Festivalin e Sanremos.

Gjatë ceremonisë, aktori amerikan prezantoi seksionin “In Memoriam” kushtuar artistëve dhe regjisorëve të kinemasë që vdiqën në dymbëdhjetë muajt e mëparshëm, duke thënë se: “Nëpërmjet kontributit të pamatshëm, secili prej tyre la një gjurmë individuale dhe të pashlyeshme tek ne që na bëri bashkë dhe na frymëzoi, preku zemrat tona, na bëri të buzëqeshim dhe u bënë miq të dashur, të cilëve do t’u mbetemi të përkushtuar përgjithmonë.”

Me këto fjalë të fundit, të marra nga kolona zanore e filmit “Grease”, Travolta kujtoi në mënyrë implicite kolegen e tij dhe aktoren kryesore Olivia Neëton-John, e cila vdiq në gusht 2022.

Pra, në asnjë pjesë të videos, Travolta nuk flet kundër Festivalit të Sanremos. Çfarë duket se është e vërtetë, është fakti që RAI ka hequr videon e “kërcimit të rosakut” pasi nuk ka marrë aprovimin nga menaxherët e Travoltës, i cili duket se nuk ka rënë dakord për publikimin e këtyre pamjeve në television.

Kjo video është verifikuar edhe nga kolegët tanë italianë të Facta.news.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img