BallinaTë pambajturaProjekti 'Bus Rapid Transit’ nuk u lançua në 2023-in siç premtoi Veliaj

Projekti ‘Bus Rapid Transit’ nuk u lançua në 2023-in siç premtoi Veliaj

‘Tranziti i shpejtë me autobusë’ ose ‘Bus Rapid Transit’, projekti me vlerë 110 milionë euro duhej të kishte nisur vjet në Tiranë. Kryebashkiaku Veliaj në shkurt 2023 dha lajmin e mirë se linjat Kinostudio-Kombinat, Unaza dhe Tirana e Re do jenë me autobusë elektrikë dhe lëvizja do bëhet në korsi të pandërprera, duke rritur shpejtësinë dhe ulur ndotjen nga CO2. Deri më sot projekti nuk ka nisur dhe në rastin më të mirë ai përfundon në 2029-n. Tri linjat urbane përfshijnë pjesën më të madhe të totalit prej 200 mijë pasagjerësh që përdorin transportin publik në Tiranë dhe qytetarët ankohen për vonesat dhe kushtet aspak normale në autobusë.

Në shkurt të vitit 2023, kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në verën e po atij viti do të lancohej projekti për linjat e shpejta të autobusëve urbanë.

“Ne jemi gati që këtë verë të lançojmë ‘Bus Rapid Transit’, tranziti i shpejtë me autobusë me linja të superdedikuara dhe të pandërprera. Do të kalojmë në këtë sistem 3 linja: Linjën Kinostudio-Kombinat, do kalojmë Unazën, do kalojmë dhe Tiranën e Re. Parashikimi është që nëse na merrte 54 minuta, le të themi udhëtimi i plotë i linjës, duam ta çojmë në 24 minuta”- deklaroi Veliaj.

Në verë nuk u lançua projekti në fjalë, ndaj Faktoje vendosi të verifikojë se kur do të ndodhë lançimi i premtuar. Në përgjigjen zyrtare që mban datën 31 janar 2024, Bashkia Tiranë thekson se projekti ndiqet nga Banka Gjermane, KfW.

“Në përgjigje të kërkesës së sipërcituar, ku keni kërkuar informacion mbi projektin për korsi të dedikuar pa ndërprerje për 3 linja të transportit qytetas, ju bëjmë me dije se ky projekt ndiqet nga Banka Gjermane KfW. Shumë shpejt do të bëhen publike detajet e projektit”-thekson Bashkia Tiranë.

Faktoje kërkoi informacion nga KfW, e cila sqaroi detajet e projektit dhe afatet e përfundimit.

Sipas KfW, kostoja totale e projektit është 110,37 milionë euro, nga të cilat 50 milionë euro do të financohen nga ‘German Financial Cooperation’, nëpërmjet KfW.

Deri në 31,2 millionë euro financohen nga Bashkimi Europian nëpërmjet WBIF dhe deri në 29,17 milionë euro, parashikohen të jenë kontribut i Bashkisë së Tiranës. Kohëzgjatja e projektit është deri në vitin 2029 dhe agjencia zbatuese e projektit është Bashkia e Tiranës.

“Projekti përfshin zbatimin e një sistemi ‘Bus-Rapid Transit’ në Tiranë bazuar në autobusë bateri-elektrikë në tre korridoret e autobusëve në Tiranë (Unaza, Tirana e Re, Kombinat-Kinostudio). Qëllimi i projektit është përmirësimi i ofrimit të shërbimeve në transportin publik dhe reduktimi i emetimeve të CO2 dhe ndotësve lokalë. Kjo është për të kontribuar në mbrojtjen e klimës dhe mjedisit, si dhe përmirësimin e efikasitetit të energjisë”, sqaron KfW.

Projekti konsiston në disa komponentë, ku një prej tyre është futja e autobusëve elektrikë dhe përmirësimi i infrastrukturës për karikimin e shpejtë të tyre.

Sipas KfW, projekti synon të sigurojë një pjesë të konsiderueshme të kërkesës në rritje të qytetit për lëvizshmëri përmes transportit publik të qëndrueshëm, të gjelbër, të sigurt, të rehatshëm dhe të aksesueshëm me autobusë publik.

“Në veçanti, projekti kontribuon në përmirësimin e ofrimit të shërbimeve në transportin publik me autobus. Shmangien e ndotësve lokalë të ajrit në Tiranë, si dhe për të reduktuar emetimet e CO2 që ndikojnë në klimën në Shqipëri dhe në këtë mënyrë për mbrojtjen e klimës globale.

Futja e një sistemi e-Bus Rapid Transport (BRT) në Tiranë do të rrisë shpejtësinë mesatare të autobusëve në tre korridoret e përzgjedhura të transportit nga 11 km/h në 19 km/h”, argumenton KfW në përgjigjen zyrtare.

Kreu i Shoqatës së Transportit Urban: Korsitë e dedikuara shtyjnë qytetarët drejt transportit publik

Kreu i Shoqatës së Transportit Urban, Dashnor Memaj thekson se është domosdoshmëri ndërtimi i korsive të dedikuara.

“Pas shumë kërkesave tona vjen një premtim që do të kemi linja të shpejta të autobusëve të transportit publik. Kemi pasur disa takime, mendoj se do të arrihet brenda vitit, që të paktën të nisin punimet për korsitë e dedikuara për këto tre linja”, argumenton ai.

Sipas Memajt, ndërtimi i korsive do të shkurtojë kohën dhe do të shmangë mbingarkesën e autobusëve.

“Për një destinacion do të shkurtojë deri në 20 minuta. Një destinacion që përballet me një trafik të rënduar, me një ngarkesë më të madhe, sepse kur ngelin autobusët në trafik, stacioni pasaardhës është më i tejmbushur me njerëz. Por, kur autobusi lëviz më shpejt, flota e mjeteve është 100%, ka më pak njerëz, ka një shpejtësi më të madhe, shkojmë në punë më shpejt kursejmë kohë dhe shmangim mbingarkesën e autobusëve”-shpjegon ai.

Si është aktualisht gjendja e linjave të transportit publik?

Qytetarë, të cilët përdorin çdo ditë transportin publik shprehin shqetësimin në lidhje me vonesat, por edhe mbingarkesën.

“Më tepër përdor linjën e Tiranës dhe Re, ndonjëherë dhe Kombinatin, më shumë ngaqë lidhet me rrugën që duhet të bëj unë nga shtëpia në shkollë dhe për t’u kthyer. Ngaqë ka shumë vonesa, mblidhen shumë njerëz për ta pritur dhe urbani mbushet plot dhe në shumë raste nuk merren vesh as oraret që kanë”- tregon një studente.

Ka edhe nga ata qytetarë, të cilët për shkak të këtyre problemeve nuk e përdorin më transportin publik.

“Unë më parë kam përdorur linjën e Tiranës së Re, por kam 3 vite që nuk përdor më asnjë lloj transporti publik për shkak të vonesave, për shkak të trafikut, për shkak të sjelljes së faturinove. Më merrte një orë për të shkuar në shkollë ose në punë. Vonesat më të mëdha janë gjithmonë në orarin e mëngjesit”, thotë 30 një vjeçar.

Sipas qytetarëve, problemet shtohen edhe më shumë gjatë verës, për shkak se nuk ndizen kondicionerët.

“Unë përdor linjën e Kombinatit, ka shumë vonesa, sidomos në oraret 4-5 pasdite, që janë dhe oraret që dalin të gjithë nga puna. Problem më shumë është gjatë verës, nuk i ndezin kondicionerët”, shprehet një tjetër qytetare.

Në disa artikuj, Faktoje ka raportuar problemet e transportit publik urban dhe faktin se pavarësisht shumë premtimeve, ai vijon të mbetet një “luks” i mohuar për qytetarët e Tiranës.

Përfundim

Nga verifikimi i kryer, rezulton i pambajtur premtimi i kryebashkiakut Veliaj se në verën e 2023 do të lançohej projekti i tranzitit të shpejtë me autobusë me linja të superdedikuara dhe të pandërprera për Kinostudio-Kombinat, Unazën dhe Tiranën e Re. Zvarritja për nisjen e projektit, që në rastin më optimist përfundon në 2029-n, përkthehet në kosto për qytetarët dhe mjedisin.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img