Pretendimi se një televizion ukrainas u ka bërë thirrje qytetarëve të pamartuar të jetojnë së bashku për të përballuar të ftohtin dhe ndërprerjet e energjisë elektrike rezulton e krijuar më teknologjinë deepfake. Verifikimi i Faktoje zbuloi se video është satirë.

———————————–

Në rrjete sociale po qarkullon pretendimi se, si pasojë e krizës energjitike, një televizion ukrainas po i bën thirrje që “të gjitha gratë e pamartuara të jetojnë me burra të pamartuar.” Si provë sillet video e një prezantueseje televizive, e cila thotë: “Dhe tani një mesazh i rëndësishëm. Si pasojë e regjimit të kursimit të ngrohjes dhe elektricitetit, të gjitha grave të pamartuara u kërkohet të jetojnë me burra të pamartuar. Ju lutem mos e shpërfillni këtë çështje dhe sigurohuni t’ua thoni dhe të dashurve tuaj. Studio.”

Me anë të motorit të kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, Faktoje zbuloi se klipi i mësipërm është postuar në TikTok nga televizioni ukrainas First City TV Channel.

Këshilla që gratë e pamartuara të shkojnë të jetojnë me burra të pamartuar si pasojë e krizës energjitike është një shaka që ka qarkulluar në rrjet të paktën që në Tetor 2022.

Klipi i postuar nga televizioni ukrainas në TikTok është, gjithashtu, qartazi një shaka e të njejtës frymë.

Shënim: Ky shkrim u korigjua më 10/1/2024. Versioni i mëparshëm thoshte se klipi me gjasa ishte manipuluar me anë të programeve kompjuterike.