Një video nga vizita e presidentit amerikan Joe Biden në Irlandë po qarkullon në internet me pretendimin se ajo provon që Biden ka vendosur një ‘maskë’ të fytyrës së tij. Verifikimi i “Faktoje” shpjegon se prova në imazhe është pasojë e manipulimit që i është bërë videos.

—————————————————–

Presidenti amerikan Biden mbetet shënjestër e teorive konspirative që pretendojnë se ai është ose përdor herë pas here ‘klone’ apo aktorë dublantë. 

Së fundmi, një video e kapur gjatë vizitës së Biden në Irlandë më 12 prill, po përdoret për të pretenduar se Biden ka vënë një maskë, ose është dikush tjetër që ka vendosur maskën me fytyrën e Biden. 

Gjatë videos, Biden kruan qafën dhe shihet se disa rrudha shfaqen në lëkurën e qafës së tij. Kjo ka mjaftuar që konspiracionistët të deklaronin se Biden ishte në fakt një aktor me maskë.

videon origjinale nga është marrë klipi, tregohet Biden duke u takuar me stafin e ambasadës amerikane dhe zjarrëfikës në Dublin. Rreth minutës 5:08, duket Biden duke kruar qafën si në klipin e mësipërm. Megjithatë, në klipin e videos origjinale, ato që interpretohen si ‘provë’ se kemi të bëjmë me një maskë, duket se janë në të vërtetë thjesht rrudha që formohen natyralisht në lëkurën e dikujt të moshuar.

Klipi nga video origjinale

Le të krahasojmë pamjet nga dy klipet.

Siç duket, kontrasti në klipin që po qarkullon në internet është rritur artificialisht me anë të programeve digjitale, gjë që i thekson rrudhat normale të Biden dhe përdoret për të pretenduar se kjo është provë se ai ka vënë një maskë.