Një video e vjetër e ish-kancelares gjermane Angela Merkel po qarkullon sërish në internet si ‘provë’ për teorinë se Merkel, dhe udhëheqës të tjerë të pushtetshëm, janë në të vërtetë qënie reptiliane të maskuar si njerëz.

Video origjinale nga është marrë ky klip është një kronikë e Tagesschau dhe është xhiruar në tunelin Gotthard në Zvicër. 

Me gjasa si pasojë e transmetimit nga një tunel nëntokësor, teksa Merkel flet imazhi ngrin për një moment, dhe kjo ndërprerje sinjali krijon në sytë e saj një efekt që i bën të duken të pazakontë, ose, nëse dikush është tashmë i prirur të besojë, ndoshta edhe si reptilianë.

Megjithatë, video e mësipërme është zmadhuar dhe ngadalësuar për ta bërë këtë efekt edhe më të ekzagjeruar.

Nëse shohim imazhin e plotë, vëmë re se efekti nuk shfaqet vetëm në sytë e Merkel po në gjithë imazhin, përfshi duart e Merkel dhe shpatullën e gazetarit që po e interviston, si në videon më poshtë:

Teoria se planeti sundohet nga një grup alienësh reptilë gjakpirës që mund të ndryshojnë formë dhe të duken si njerëz është një teori gati 100-vjeçare, por u përhap në formën e saj të tanishme fillimisht nga konspiracionisti David Icke në prag të këtij mijëvjeçari. 

Disa studiues propozojnë se kjo teori e ka origjinën në një histori të gjatë të akuzave se hebrenjtë përdorin gjakun e fëmijëve të krishterë në ritualet e tyre fetare. Këto akuza kanë shërbyer historikisht për të justifikuar dhe nxitur persekutimin e hebrenjve në Europë.