Zbarkimi i njerëzve në Hënë ka qenë shënjestër e teorive konspirative që në mesin e viteve 1970. Një fotografi e astronautit Don Pettit në një shesh xhirimi po përdoret si ‘provë’ se udhëtimi në hapësirë është inskenim. Verifikimi i “Faktoje” zbuloi se fotografia është bërë në xhirimet e një reklame ku shfaqet edhe astronauti Pettit.
—————————————-
Një foto që tregon një burrë të veshur me uniformën e NASA (Administrata Kombëtare e Aeronautikës dhe Hapësirës së ShBA) në një shesh xhirimi po përdoret nga konspiracionistët si dëshmi se udhëtimi hapësinor është një mashtrim i inskenuar.

Me anë të një kërkimi me motorin e kërkimit të imazheve Google Reverse Image Search, “Faktoje” zbuloi se fotografia e mësipërme është autentike, por nuk ka të bëjë me inskenimin e ndonjë udhëtimi hapësinor.

Foto e prapaskenave gjatë xhirimit të një klipi për fushatën #WhyIMake
Ajo është shkrepur gjatë xhirimeve të një klipi të 2017 që ishte pjesë e fushatës #WhyIMake, një fushatë që ka për qëllim ekspozimin e krijuesve dhe shpikësve.

Astronauti Don Pettit ka qenë tre herë në Stacionin Ndërkombëtar Hapësinor dhe ka jetuar atje për më shumë se një vit.
Ai shfaqet në këtë klip si krijuesi i Filxhanit Zero Gravitet (Zero Gravity Cup), një filxhan nga i cili mund të pish edhe në kushtet e mungesës së gravitetit në hapësirë. Ideja dhe nevoja për këtë shpikje erdhi, sigurisht, nga përvojat e tij në zero gravitet.
Filxhani Zero Gravitet është objekti i parë i patentuar që është shpikur në hapësirën jashtëtokësore.