E keqinterpretuar video e përpjekjeve të xhandarmërisë marokene për të ndaluar emigrantët drejt Ceutës

8

Pretendimi: Kjo video tregon mijëra emigrantë marokenë që u transportuan me kamionë në bashkëpunim me policinë në kufirin spanjoll në Ceuta

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————

Një video që po qarkullonrrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon emigrantë marokenë që “u transportuan me kamionë direkt në kufirin spanjoll në Ceuta.” Pamjet tregojnë një kamion që hap portën e karrocerisë në mes të rrugës për të zbritur dhjetra të rinj ndërsa një polic përpiqet të rregullojë trafikun dhe fluksin e njerëzve që shpërndahen. Kjo prezencë e policisë ndahet në rrjet si provë e një organizimi shtetëror të Marokut për të sulmuar kufirin tokësor me enklavën spanjolle.

Rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin këtë javë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Të paktën 57 persona vdiqën gjatë kalimit.

Megjithatë, një hetim nga kolegët faktverifikues të Open.online gjeti se video e mësipërme është filmuar në autostradën N2 që lidh Tanxherin dhe Tetuanin, 51 km larg Ceutës.

Në një nga videot me rezolucion të lartë, ishte e mundur të lexohej një nga targat e kamionit në video, ajo e bardha: “91672 [shkronjë arabe] 40.” Në sistemin maroken, kodi në të djathtë (40) identifikon prefekturën e regjistrimit, e cila në këtë rast korrespondon me Tanger-Asilah.

Në të majtë të automjetit, shihet një oficer i veshur me gri, që përfaqëson Xhandarmërinë Mbretërore, forcën përgjegjëse për autostradat marokene dhe rrugët jashtë qytetit. Disa rrugë të tilla çojnë në Ceuta nga prefektura Tangier-Asilah.

Me anë të Mapillary, platformës së imazheve të rrugëve të ngarkuara nga përdoruesit, ishte e mundur të përshkohej virtualisht një numër i madh rrugësh në Marokun verior nga prefektura e Tangier-Asilah në Ceuta.

Në rrugën që të çon në Tetouan, gjendet një foto që ka të njejtat elementë pamorë si video: llojin e rrugës, sinjalistikën rrugore dhe profilin e kodrave në sfond.

Koordinatat e fotos në Mapillary (35°33’30.9″V 5°27’29.3″W) ndodhen në N2, rrugën ekspres me katër korsi që lidh Tanxherin me Tetuanin. Nga kjo pikë, Ceuta është afërsisht 51 kilometra larg, një orë e një çerek me makinë ose 11 orë në këmbë.

Faqja në Facebook Tetouan Press më 30 korrik 2026 në orën 21:13 kishte botuar videon me përshkrimin: “Hyrja në qytetin e Tetouanit.”

Pra, incidenti i treguar në video nuk ndodhi pranë kufirit. Xhandarmëria Mbretërore e ka ndaluar automjetin në autostradën N2, rreth 50 kilometra larg Ceutës. Nëse njerëzit që u detyruan të zbrisnin nga kamioni do të donin të arrinin në kufirin e Ceutës në këmbë, do t’u duhej të ecnin për rreth 11 orë.