Vendasit dhe jo marokenët po sulmojnë në këtë video në Ceuta

6

Pretendimi: Kjo video tregon emigrantë marokenë duke rrahur vendasit në qytetin spanjoll të Ceutës 

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————————

Rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin këtë javë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Të paktën 57 persona vdiqën gjatë kalimit, gjë që nxiti masa më të rrepta të sigurisë kufitare në të gjithë Evropën.

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon emigrantë marokenë duke rrahur vendasit në Ceuta.

Megjithëse video e mësipërme tregon një turmë që sulmon dy njerëz të cilët më pas arratisen me vrap, nuk është menjëherë e qartë nëse personat në video janë emigrantë, banorë, spanjollë apo marokenë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në rrjet më 30 korrik nga portali online i djathtë VoxPopuli, i cili e shoqëroi me përshkrimin: “Nacionalistët spanjollë kanë filluar të SULMOJNË migrantët në Ceuta. Mijëra migrantë mbërritën këtë mëngjes nga Maroku, shumë prej të cilëve thjesht notuan deri në plazhin Tarajal. Spanja ka premtuar të vendosë TRUPAT në kufi për të ruajtur sigurinë.”

Disa minuta më pas, llogaria Visegrad24, që është akuzuar për dezinformim më parë, e postoi videon me përshkrimin: “Përleshjet e para kanë shpërthyer në rrugët e Ceutës midis qytetarëve spanjollë dhe pushtuesve marokenë.”

Gazeta italiane Il Messagero e raportoi videon ngjashëm me VoxPopuli, duke përdorur titullin: “Banorët e Ceutës janë të tërbuar me emigrantët, duke i shkelmuar dhe duke i qëlluar me gurë. Situata është jashtë kontrollit.”

Nuk ka patur ende ndonjë reagim zyrtar lidhur me incidentin e treguar në video.

Sipas gazetës spanjolle El Pais, disa emigrantë kanë raportuar keqtrajtim nga banorët e lagjeve të caktuara, të cilët kanë qëlluar me gurë drejt tyre dhe i kanë kërcënuar me armë.

Nuk ka prova se video e mësipërme tregon emigrantët marokenë duke rrahur vendasit në Ceuta. Në fakt, raportimet sugjerojnë se po ndodh e kundërta, banorët vendas po sulmojnë emigrantët marokenë, të cilët largohen duke rendur.