Katër ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit 2023, Armando Subashi, kandidat për kryetar të Bashkisë Fier, premtoi përfundimin e shpejtë të rehabilitimit të qendrës së Libofshës.
“Jemi duke punuar dhe shumë shpejt përfundojmë rehabilitimin e qendrës së Libofshës, një zonë me resurse dhe mundësi të jashtëzakonshme në zhvillimin e turizmit,” deklaroi ai më 10 maj 2023, duke e shpallur këtë projekt si një nga prioritetet e mandatit të ardhshëm.

Pas verifikimit të parë në terren në nëntor të vitit 2023 dhe një verifikimi të dytë një vit më pas në nëntor 2024, Faktoje iu rikthye premtimit elektoral të kryebashkiakut Subashi për të parë nëse situata kishte përparuar.
Në gusht 2025, Faktoje mori informacion nga Bashkia Fier, që njoftoi se rehabilitimi i qendrës së Libofshës po realizohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH), institucion që ndjek dhe ecurinë e projektit. “Bashkia po punon për të përfunduar procedurat e shpronësimeve” , vijoi sqarimin Bashkia Fier, një proces që ishte njoftuar në zhvillim prej të paktën dy vitesh.
FSHZH në një përgjigje për Faktojen tha se punimet konsiderohen të mbyllura.
“Punimet e zbatimit për rehabilitimin e qendrës Libofshë kanë përfunduar dhe pritet procesi i kolaudimit të punimeve”, tha FSHZH në shtator 2025.
Punimet për rehabilitimin e qendrës së Libofshës, që zgjasin prej të paktën dy vitesh, parashikohej të zbatonin këtë projekt:


Faktoje shkoi edhe njëherë në Libofshë për të parë nga afër punimet.

Pedonalja e qendrës së Libofshës ka përfunduar dhe përgjatë saj janë vendosur stola.



Perveç pedonales, pjesa tjetër e punimeve nuk duket të përputhet me projektin fillestar të FSHZH.
Pas pedonales gjendet vetëm rruga, që para dy vitesh ishte e hapur dhe e paasfaltuar, por tashmë është rregulluar.

Objektet që pritej të shpronësoheshin për të përfunduar projektin gjenden ende ‘në këmbë’ në qendër të Libofshës.

Në zonë janë ende makina të punimeve dhe disa hapësira mbeten të pa sistemuara, duke treguar se puna nuk ka përfunduar plotësisht.


Ky projekt është investim i Qeverisë me vlerë kontrate mbi 37 milionë lekë, në kuadër të programit të 100 fshatrave.
Duke marrë parasysh tejkalimin e afateve nga premtimi fillestar i dhënë nga kryebashkiaku dhe progresin aktual të punimeve, premtimi për rehabilitimin e qendrës së Libofshës kategorizohet si pjesërisht i mbajtur.