Godina e parkimit publik në qendër të qytetit të Durrësit nuk është ende funksionale, ndonëse kanë kaluar afatet për përfundimin e punimeve. Edhe pse është një investim i qeverisë, kryebashkiakja Emiriana Sako e kishte përdorur atë si një premtim gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit 2023. Objekti i ri ka një kapacitet prej më shumë se 300 vende parkimi dhe pritet të lehtësojë problemin me parkimin dhe trafikun në qytetin bregdetar.
—————
Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2023, kryebashkiakja e Durrësit, Emiriana Sako premtoi ndërtimin e një godine të parkimit publik në qendër të qytetit bregdetar.
“Për ta mbyllur me zgjidhjen e çështjeve të trafikut që ka qyteti i Durrësit, duke ndërtuar një godinë parkimi publik në qendër të qytetit”-deklaroi Sako më 19 prill të një viti më parë.
Ky projekt është përmendur edhe më herët nga kryebashkiakja e Durrësit, konkretisht në tetor të vitit 2022, ku theksonte se ky ishte një investim i qeverisë shqiptare.
“Investimi do të jetë tërësisht nga qeveria shqiptare. Bashkia e Durrësit do të përfitojë një parkim, i cili do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe shfrytëzimi do të bëhet 50% me 50%. Ne jemi në këtë rast si pronarë trualli, investimi na vjen nga qeveria shqiptare”, deklaroi Sako asokohe.
Kjo konfirmohet për Faktoje edhe nga Bashkia e Durrësit, pas një kërkese për informacion drejtuar këtij institucioni, ku kërkuam informacion mbi ecurinë e projektit.
“Për sa i përket godinës së parkimit është investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Bashkia Durrës është në cilësinë e përfituesit”, bëri të ditur Bashkia e Durrësit.
Faktoje.al iu drejtua zyrtarisht edhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili shpjegoi se ai vetë luan “rolin e Njësisë Zbatuese për ndërtimin e këtij parkimi, financim i Qeverisë Shqiptare me vlerë 503,916,650 Lekë me TVSH. Vendndodhja e projektit është në afërsi të Portit ekzistues të qyteti të Durrësit dhe hapësira e përzgjedhur për ndërtimin e tij paraqet potencial të lartë të zhvillimit si për qytetin e Durrësit ashtu edhe për Shqipërinë, duke qenë se është porti me aktivitetin më të lartë të import – eksporteve”.
Shkelja e përsëritur e afateve për godinën e parkimit publik
Të dhënat nga “Open Procurement” tregojnë se data e lidhjes së kontratës është bërë më 13 dhjetor 2022 dhe afati i përfundimit të punimeve është 12 muaj, pra dhjetori i viti të kaluar.
Nndërsa në një përgjigje për Faktoje. Al, në fund të muajit gusht të këtij viti, Fondi Shqiptar i Zhvillimit, ndërsa vlerësonte funksionalitetin e kësaj ndërhyrjeje, dha një tjetër afat për përfundimin e punimeve.
“Koncepti i projektit është krijimi i një hapësirë urbane të aksesueshme nga të gjitha drejtimet, si dhe lehtësimi i qarkullimit në të gjithë zonën. Ideja kryesore është që ky projekt të jetë i hapur ndaj publikut duke krijuar ndërthurje të funksioneve të ndryshme publike, ku funksioni parësor është ai i parkimit me kapacitet 324 poste parkimi. Punimet janë realizuar afërsisht në masën 75% dhe pritet të përfundojnë 12 muaj nga fillimi i punimeve, afërsisht brenda muajit Tetor 2024”, bëri të ditur FSHZH.
Por nga një verifikim të bërë më herët nga Faktoje.al, në tabelën në hyrje të kantierit, afati i përfundimit të punimeve për ndërtimin e godinës së parkimit publik në qendër të qytetit, ishte caktuar prilli i vitit 2024.
Tabela e punimeve, foto e shkrepur më 6 tetor 2023
Më 17 tetor, Faktoje.al ishte sërish në Durrës. Godina e parkimit publik nuk ishte ende gati. Ajo ishte ngritur si strukturë, por ndërkohë vijonin punimet për ndërtimin e saj. “Si strukturë ka përfunduar, po bëjmë ndarjet e nevojshme dhe shpresoj të kapim afatet”, thanë për Faktoje.al punonjës në kantier.
Por dhe nga një verifikim i bërë nga Faktoje.al, mëngjesin e sotëm (6 nëntor) në Durrës, pamja që ofronte godina ishte thuajse e pandryshuar.
Durrës, foto e realizuar më 6 nëntor 2024
Nisur nga verifikimi i kryer dhe informacionet e grumbulluara vendosëm që premtimin për parkimin publik në qendër të qytetit të Durrësit, ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.
* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.