BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëParkingu me kate, premtim madhor i ricikluar nga bashkia Durrës

Parkingu me kate, premtim madhor i ricikluar nga bashkia Durrës

Në Durrës kanë nisur punimet për ndërtimin e godinës së parkimit publik në qendër të qytetit. Sipas verifikimit të Faktoje, ky premtim i dhënë në tetor 2022 u riciklua nga kryebashkiakja e Durrësit, Emirjana Sako, në fushatën zgjedhore për zgjedhjet lokale të 14 majit 2023. Projekti për ndërtimin e parkingut me kate është financim i qeverisë dhe parashikon krijimin e mbi 300 vendeve parkimi, që pritet të lehtësojë sado pak trafikun kaotik në Durrës, sidomos gjatë sezonit veror.        

Në prill të këtij viti, kryetarja e Bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako foli për ndërtimin e një godine për parkimin publik në qendër të qytetit të Durrësit.

“Për ta mbyllur me zgjidhjen e çështjeve të trafikut që ka qyteti i Durrësit, duke ndërtuar një godinë parkimi publik në qendër të qytetit”-deklaroi Sako ndër të tjera (min 9:30).

Nga një kërkim rezulton se i njëjti projekt është përmendur nga Sako në tetor të vitit 2022, por ku sarohej se ky ishte një financim i qeverisë, jo i bashkisë:

“Investimi do të jetë tërësisht nga qeveria shqiptare. Bashkia e Durrësit do të përfitojë një parkim, i cili do të investohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit dhe shfrytëzimi do të bëhet 50% me 50%. Ne jemi në këtë rast si pronarë trualli, investimi na vjen nga qeveria shqiptare. Më tej do të bëhet një plan biznesi i mirëfilltë se si do të vendosen qoftë tarifat për përdorim e parkimit aty, qoftë fitimet si do të ndahen, qoftë edhe menaxhimi.”

Faktoje pyeti Bashkinë Durrës se në çfarë faze janë punimet për ndërtimin e parkimit me kate dhe mori si përgjigje se ndërtimi i objektit nuk është përgjegjësi e këtij institucioni, por e Fondit Shqiptar të Zhvillimit.

“Në lidhje me pikat e mësipërme, investitor është Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Bashkia Durrës është thjesht perfituese dhe ndodhur në këto kushte të dhënat mund të gjenden pranë FSHZH”, thekson Bashkia në përgjigjen zyrtare.

Ne iu drejtuam zyrtarisht edhe FSHZH që sqaron zyrtarisht: “Fondi Shqiptar i Zhvillimit luan rolin e Njësisë Zbatuese në projektin për ndërtimin e parkimit multifunksional në qytetin e Durrësit, financim i Qeverisë Shqiptare me vlerë 503,916,650 Lekë me T.V.SH.

I ndodhur midis stacionit të trenit, portit të qytetit, terminalit të autobuzëve interurban, qendrës së qytetit dhe daljes në drejtim të rrugëve kombëtare, qendra e re e parkimit ka një potencial të veçantë në qytet, për zhvillimin jo vetëm të zonës përreth por dhe më gjerë.

Koncepti i projektit është krijimi i një hapësirë urbane të aksesueshme nga të gjitha drejtimet, si dhe lehtësimi i qarkullimit në të gjithë zonën. Ideja kryesore është që ky projekt të jetë i hapur ndaj publikut duke krijuar ndërthurje të funksioneve të ndryshme publike, ku funksioni parësor është ai i parkimit me kapacitet 324 poste parkimi”, thekson FSHZH.

Sipas njësisë zbatuese, punimet për realizimin e këtij projekti kanë nisur dhe pas përfundimit të gërmimeve dhe shtresës së varfër, po punohet për lidhjen e hekurit për pllakën e themelit.

Në një verifikim të bërë në terren nga Faktoje më 6 tetor, vumë re se në këtë kantier tabela kishte si afat nisjen e punimeve në prill të këtij viti dhe përfundimin e godinës së parkimit publik në prill të vitit 2024.

Tabela e punimeve, 6 tetor 2023

Ndërsa, nga vëzhgimi në kantier dukej qartë që punimet ishn në fazë fillestare çka konfirmohet edhe nga punonjësit në terren.

Pamje nga kantieri i ndërtimit, ku po ngrihet godina e parkimit publik, 6 tetor 2023

Gjatë monitorimit në qytetin e Durrësit vumë re gjithashtu që automjetet ishin të parkuara në të dyja anët e rrugëve, duke u bërë shpesh herë pengesë për kalimin e mjeteve të tjera, por edhe duke krijuar trafik.

“Në Durrës kemi pak sheshe parkimi dhe vështirë të gjesh vend. Parkojnë në rrugë, nëpër ndonjë cep pallati. Ky është problem sidomos gjatë sezonit turistik, kur shtohet numri i njerëzve, atëherë bëhet edhe më e vështirë të gjesh vend”, tregon Eri, banore e Durrësit.

Durrës, 6 tetor 2023

Durrës, 6 tetor 2023

Në një artikull të publikuar nga Faktoje në janar të vitit 2022, qytetarët e Durrësit ngrinin shqetësimin në lidhje me mungesën e hapësirave për parkim në qytetin bregdetar.

Nisur nga verifikimi i kryer vendosëm që premtimin e për pargimin publik me kate ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur, teksa punimet kanë nisur me vonesë dhe mbetet për t’u vrifikuar nëse do të përmbyllen në prill 2024 siç parashikohet në kontratë.

* Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img