BallinaFaktometerGjysmë e vërtetëDurrës, Qendra Kulturore për Fëmijët ende në rikonstruksion përtej afateve të projektit

Durrës, Qendra Kulturore për Fëmijët ende në rikonstruksion përtej afateve të projektit

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës i është nështruar rikonstruksionit prej muajit maj, por ende nuk ka përfunduar, edhe pse afati i projektit ishte 4 muaj. Rikonstruksioni i QKF është një ndër premtimet e  kryebashkiakes së Durrësit Emirjna Sako në programin e shpallur para zgjedhjeve vendore. Qytetarë të Durrësit e konsiderojnë qendrën ndër të paktat vende ku fëmijët mund të kalojnë kohë cilësore dhe mezi presin që ajo të jetë funksionale.

Pjesë nga platforma e shpallur gjatë fushatës nga Emiriana Sako, maj 2023

muajin qershor të këtij viti, kryebashkiakja inspektoi punimet për ndërtimin e qendrës. Në pamjet e publikuara prej saj në ërrjetet sociale, duket edhe tabela e punimeve, ku tregohet se leja ndërtimore është dhënë më 28 prill 2023 dhe afati i përfundimit të punimeve është 4 muaj.

“Në përfundim të këtij rikonstruksioni kjo qendër do të ketë ambiente bashkëkohore ku rreth 1 000 fëmijë do të frekuentojnë sektorin e Artit, Sportit dhe Shkencës”, tha Sako.

Tabela e punimeve për rikonstruksionin e QKF, Durrës

Për të mësuar më tepër në lidhje me ecurinë e punimeve në QKF, ne iu drejtuam me një kërkesë për informacion Bashkisë së Durrësit. Ndër të tjera e pyetëm institucionin se në çfarë faze janë punimet për rikonstruksionin e kësaj qendre.

“Punimet në Qendrën Kulturore të Fëmijëve janë në fazë të punimeve të shtresave, rifiniturave dhe montimin e sistemit të kondicionimit. Vlera e investimit është 124 787 056.4 lekë me TVSH”, njofton zyrtarisht Bashkia Durrës.

Më tej, thuhet se Qendra Kulturore e Fëmijëve do të jetë gati deri në fund të vitit 2023.

“Në Qendrën Kulturore të Fëmijëve do të ketë aktivitete të ndyshme si kurse kërcimi, klasa shahu, pikture, kurse për matematike, gjuhë të huaja etj”-sqaron Bashkia e Durrësit për Faktoje.

Përgjigjia e Bashkisë Durrës për Faktoje

Ne bëmë një verifikim në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve për rikonstruksionin e kësaj qendre. Gjatë verifikimit më datë 6 tetor, pamë se aty ishte ende një kantier ndërtimi, por tabela e punimeve nuk ndodhej.

“Godina është 2 kate, dhe ka një kat nëntokë. Lart kemi filluar me lyerjen, ndërsa në katet e tjera me mbylljen dhe stukimin e gipsit. Godina ka goxha ambiente, ka skenë, ka dhe plot salla”, sqaroi për Faktoje mbikqyrësi i punimeve i cili, mjaft optimist për përfundimin e tyre thotë se do të mbyllen brenda 2 javësh.

Qytetarë të Durrësit, me të cilët biseduam thonë se kjo qendër është e domosdoshme, pasi shihet si ndër të paktat mundësi ku fëmijët mund të kalojnë kohë cilësore.

“Shpresojmë të mbyllet ndërtimi këtë vit, kështu kemi dëgjuar. Të paktën pak orë fëmijët do i kalojnë këtu, larg telefonit dhe televizorit dhe do mësojnë ndonjë gjë”, thotë një banore.

Sipas të dhënave nga Open Procurement, data e lidhjes së kontratës për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore për Fëmijë në Durrës është 24 mars 2023. Sipas afateve të përcaktuara, përfundimi i punimeve është 120 ditë. Mirëpo, deri më 6 tetor, kjo qendër nuk ishte gati për të zhvilluar aktivitetet e ndryshme kulturore.

Qendra Kulturore e Fëmijëve në Durrës, në rikonstruksion, 6 tetor 2023

Nisur nga verifikimi i kryer vendosëm që premtimin e kryebashkiakes Emirjana Sako për rikonstruksionin e Qendrës Kulturore të Fëmijëve, ta kategorizojmë Gjysmë të Mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

Ilda Hoxha
Ilda Hoxha
Gazetare Ka përfunduar studimet në nivelin “Bachelor” për “Gazetari dhe Shkenca Komunikimi” në “Universitetin e Tiranës” dhe studimet në nivelin “Master Shkencor” në drejtimin “Marketing Mediatik”. Ka punuar si gazetare në “Top Albania Radio” në periudhën janar 2013-dhjetor 2014. Ka punuar si gazetare në “Gazetën Shqip” në print për çështjet sociale në periudhën dhjetor 2014- korrik 2016. Në periudhën shkurt 2015-gusht 2017 ka punuar për “Votra Magazine”, ku ka mbuluar pjesën e marketingut të saj, por edhe shkrimin e artikujve me karakter kulturor dhe promovues për Shqipërinë. Ka punuar si redaktore në “Gazetën Shqip Online” në periudhën korrik 2016-deri më 19 maj 2021. Në periudhën qershor-gusht 2021 ka punuar si gazetare në emisionin “Pushime On Top” në Top Channel.

Të fundit

Më të lexuarat

spot_img