ANXHELA RUÇI
Shumëkujt prej nesh mund t’i ketë rastisur të vizitojë Vlorën apo të qëndrojë për një kohë më të gjatë në qytetin bregdetar. Përveç detit të mrekullueshëm, bukurisë së qytetit, palmave që hera-herës edhe janë tharë, një gjë që të bie në sy fare pa u lodhur është trafiku, sidomos në stinën e verës.
Megjithatë, duket se trafiku nuk shihet aspak si problematikë për kreun e Bashkisë së këtij qyteti, Dritan Leli i cili flet për një realitet krejt ndryshe. “Në Vlorë nuk të duhet më shumë se tre deri në katër minuta për të shkuar nga njëri cep në cepin tjetër në ditë normale, por sigurisht dhe në periudhën e verës”.
Kjo është një pjesë e deklaratës së dhënë prej tij në emisionin “Ekopolitikë” në Ora News në maj të këtij viti ku ndër të tjera për të përforëcuar deklaratën shtoi: “Ditët me trafik në Vlorë nuk janë më shumë se tetë të tilla. Dhe këto janë katër të shtuna dhe katër të diela. Pjesa tjetër është përgjithësisht e qetë dhe e menaxhueshme.”
Skepticizmi ynë si gazetarë por edhe si pushues hera-herës në këtë qytet, bëri që “Faktoje’’ të ndërmerrte një udhëtim në Vlorë për t’a provuar këtë bindje të Lelit, që në fakt na u duk shumë e bukur për të qenë e vërtetë, aq më tepër në sezon pushimesh.
Janë jo të paktë drejtuesit e automjeteve që i’u është dashur të përshkojnë Vlorën nga cepi në cep dhe kanë pritur me minuta të tëra për të mos thënë më shumë (në raste trafiku të rënduar) kur kalon përgjatë “Lungomare-s’’, dhe jo vetëm. Edhe sikur trafiku të jetë në nivelet më minimale, vetëm kalimi duke pritur semaforët nga njëri cep i Vlorës në tjetrin, nuk e mundëson përshkrimin e këtij itinerari për tre apo katër minuta.
Nga rruga “Transballkanike” deri në zonën e “Ujit të Ftohtë”, ne e përshkuam për më shumë se 11 minuta, sigurisht me automjet. Video është xhiruar të premten e parë të muajit korrik, atëherë kur sezoni turistik ende nuk kishte filluar vrullshëm. Imagjinoni se çfarë mund të ndodhë në këtë aks rrugor ditët e gushtit apo fundjavave kur edhe numri i pushuesve shtohet?
Nga ajo që pamë dhe vërtetuam në terren, “Faktoje” do ta klasifikojë si GËNJESHTËR deklaratën e Dritan Lelit, sipas së cilit, Vlorën nga cepi në cep edhe në periudhën e verës e përshkon për tre deri në katër minuta.