INVA HASANALIAJ
Neglizhenca e institucioneve të cilat nuk kthejnë përgjigje ka “infektuar” edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. Kanë kaluar gati tre muaj që nga koha kur “Faktoje” i ka dërguar një kërkesë për informacion koordinatorit të së drejtës për informim të këtij institucioni por fatkeqësisht deri tani në redaksinë tonë nuk ka mbërritur asnjë përgjigje.
Kërkesa për informacion e “Faktoje’’ kishte të bënte me deklaratën e dhënë pak kohë më parë nga ministri i Financave Arben Ahmetaj gjatë një daljeje për mediat, lidhur me eksportet. Për të mësuar më shumë për këtë çështje dhe për të ‘’ndriçuar’’ paqartësitë tona, “Faktoje’’ vendosi të komunikojë me këtë institucion i cili në fakt duhet të kthente përgjigje brenda kohës së përcaktuar me ligj, por nuk ndodhi kështu.
“Kompanitë shqiptare kanë mundur të eksportojnë jo vetëm në rajon, por edhe në Bashkimin Europian. Rritja e eksporteve tregon se ekonomia shqiptare ka rritur konkurrueshmërinë dhe është 18.3%” u shpreh ministri disa javë më parë.
Drejtoria e Doganave është një ndër institucionet kryesore e cila mund të na informonte më saktë lidhur me këtë çështje, por nisur nga mungesa e komunikimit, gjykojmë se do ta kemi pak të vështirë aksesin në informacionin që kërkojmë, edhe pse institucioni në fjalë duhet dhe ka për detyrë të na e mundësojë një gjë të tillë për të na e lehtësuar punën.